Momentet e fundit të Olldashit me familjen para së të ndahej përfundimisht

14:54 | 20 Nëntor 2015
Arbresh.info

Sot mbushen dy vjet që nga aksidenti automobilistik ku humbi jetën Sokol Olldashi. Në një intervistë për gazetën “Dita”, e ëma, Kozeta rrëfen momentet e ndarjes për herë të fundit me të birin e gjallë.

“…E përcolla atë ditë në orën gjashtë, i pyeti djemtë për detyrat dhe u largua. Nuk e pashë më. Më mbajnë si grua të fortë, por jam rënduar edhe unë. Nuk duroj dot më. E kujtoj çdo ditë. Më thonë se koha shëron shumë plagë, po për mua nuk është kështu, sa më shumë kalon koha, aq më shumë më shtohet malli… Ai nuk duhet të ikte përpara meje. E kam peng, duhet ta kisha lënë pas”.
Ardiani, vëllai i vogël i Sokolit jeton në Gjermani që prej fillimit të viteve ’90. Ka ardhur këto ditë në Tiranë me rastin e përvjetorit të ndarjes nga jeta të të vëllait.
“Kur e mendoj veten të plakur një ditë, përballë një filxhani kafeje, do të jem i dënuar të ndaj kujtimet me veten time. Vëllai është gjaku yt, shoqërues në jetë, pavarësisht çfarë ndodh Sa do të doja t’i thoja një ditë: Koli, e mban mend kur ti…,kur ne…. Ja pra, që nuk do kem më kë të bisedojë në këtë dimension, ndaj në këtë pikë, ndihem si… jetim. Edhe vëllai të lënka të tillë…”

I pyetur mbi rrethanat e aksidentit si edhe dyshimet e hedhura fill pas asaj që ndodhi, Ardiani mohon të mendojë se ishte diçka e kurdisur.

“Mos më pyesni se nuk e di se përse, ku shkoi, kë takoi dhe me kë foli atë ditë! Pavarësisht, se e kisha vazhdimisht në mend që duhet ta merrja në telefon atë mbrëmje, nuk e mora, dhe mos më pyesni pse, se nuk di të them… Mos më pyesni për koiçidencat e çuditshme që kishte ai aksident, se nuk e di… Por mendoj se ishte një aksident.

E di që vetë Sokoli nuk ishte aspak komod në atë kohë për shumë qarqe, për shumë fraksione politike dhe ndoshta shumë do ta brohorisnin daljen e Sokolit nga jeta politike dhe ndoshta janë lutur që të ndodhte ajo gjë, por ajo që ndodhi atë mbrëmje nuk ma merr mendja se ka qenë një gjë e kurdisur.. E kam të vështirë ta besoj.”

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme