ARISTIR LUMEZI/ Ish-mjeku personal i Enver Hoxhës, pjesë e ekipit të mjekëve që monitoronin prej vitesh shëndetin e udhëheqësit komunist, shprehet se në shëndetin e Enverit luajti rol negativ vetëvrasja e ish-Kryeministrit Mehmet Shehu.
Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Panorama”, profesor Brokaj tregon se që në vitin 1981-1982, pas rëndesës së gjendjes shëndetësore të Enver Hoxhës, Ramiz Alia mori rol parësor në drejtimin e partisë dhe të vendit, duke zëvendësuar në këtë mënyrë Hoxhën.
Në një dokument sekret të Byrosë Politike të shkurtit 1984, kur Ramiz Alia informon Byronë për gjendjen e rëndë shëndetësore të Enver Hoxhës, pas një ishemie që kaloi, duket se Ramizi që aty fillon dhe ka marrë drejtimin e partisë dhe të vendit, kur Enveri ishte ende gjallë. Kaq e rëndë ishte gjendja e Enver Hoxhës në atë kohë, ju keni qenë në ekipin e mjekëve që i qëndronit pranë. Paraqitja që bën Ramizi është korrekte. Madje, episodi shëndetësor ka ndodhur kur unë isha roje. Sapo ndodhi episodi, u thirr menjëherë ekipi, aty erdhi dhe Ramizi me Adilin. Ishemia të tremb shumë në fillim, sepse është një situatë komotore me probleme në lëvizshmëri dhe natyrisht shokuese për të gjithë.
Fatmirësisht, gjendja ktheu shpejt, Enveri u përmend shumë shpejt, pa iu cenuar funksionet jetësore, zemër, tension dhe gradualisht fitoi dhe lëvizjen e krahut dhe më pas të këmbës. Enveri realisht e përballonte shumë mirë patologjinë dhe u riaftësua shumë mirë dhe pak kohë pas saj, ai u duk dhe në tribuna të aktiviteteve të ndryshme. Edhe vështirësia në ecje nuk binte shumë në sy. Nga ana tjetër, Ramizi ishte korrekt të merrte masa, sepse në të tilla raste një episod i parë shoqërohet me episode të tjera ishemie. Ne si mjekë, ia argumentuam se çfarë ndodh me këtë patologji.
Pas episodit të ishemisë, Enver Hoxha ishte më pasiv dhe Ramizi nisi të merrte frenat e pushtetit?
Pas 1981-1982, pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut, gjendja shëndetësore e Enverit u rëndua në mënyrë të përshpejtuar, duke kulmuar me 1984 kur u godit nga ishemia. Prandaj, roli i Ramizit që në ato vite ishte evident, doli në pah dhe normalisht që do të dilte në pah. Tek Enveri u vu re një rëndesë e theksuar në funksionimin e zemrës.
Për shkak të diabetit?
Të diabetit, por dhe të infarktit të kaluar. Diabeti i manifestoi të gjitha ndërlikimet në shëndetin e Enverit, edhe në zemër, edhe në veshka, edhe insulti që ndodhi. Ju thoni se pati një përkeqësim shëndetësor të Enver Hoxhës pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut.
Ju i njihnit atij çdo ndryshim, edhe humori, përkeqësimi ishte si shkak i një zhgënjimi të madh, i një shembjeje të brendshme ndaj një bashkudhëtari prej dekadash?
Për mua, vetëvrasja e Mehmetit vetëvrau Enver Hoxhën. Ishte shkatërrim për të. Njerëzit që i qëndronin afër Enverit, e vunë re një gjendje të tillë. Ai pati një rëndim të përshpejtuar të gjendjes shëndetësore, jo aq gradual saç ndodhte prej vitesh. Efektet psiko-emocionale Enverin e rëndonin realisht. Në aktivitetin e përditshëm fizik mund edhe të mos dukej, por kishte përjetime të forta psiko-emocionale.
Në dokumentin e Byrosë Politike, Ramiz Alia kishte merakun e ruajtjes së këtij sekreti për gjendjen shëndetësore të Enver Hoxhës. Kishte një lloj presioni dhe te ju që të ruhej ky sekret?
Ekipi i mjekëve e mbante tepër sekret gjendjen shëndetësore të Enver Hoxhës. Ne e kishim rreptësisht të ndaluar të tregonim se ku shkonim dhe çfarë bënim, përtej orëve që punonim në Fakultetin e Mjekësisë dhe në spital. Agjenci të ndryshme, veçanërisht ajo jugosllave, krijonte lajme që “Enveri vrau veten”, ose “Enveri është shumë rëndë” etj., por kjo ka qenë loja normale e agjenturave të huaja. Sekreti për shëndetin e një udhëheqësi ruhet jo vetëm në vende të mbyllura si Shqipëria e asaj kohe, por edhe vendet perëndimore e ruanin me fanatizëm gjendjen shëndetësore të presidentëve, sepse dihej kishim të bënim me Luftën e Ftohtë mes dy blloqeve. Sot që nuk kemi Luftën e Ftohtë, lajme të shëndetit rrjedhin më lehtë. Për vende si Shqipëria, gjendja shëndetësore e udhëheqësit si Enver Hoxha krijonte pasiguri për të ardhmen te populli.
Në atë mbledhje, Lenka Çuko shprehej se duhet të bëhej kujdes me mjekët, të mos dilte sekreti. Keni pasur kontrolle, survejime apo presione për të mos dalë asgjë për shëndetin e Enverit?
Kjo porosi, që çfarë sheh dhe çfarë bën këtu nuk duhet të merret vesh nga askush, të jepej që në 5 minutat e para që të thërrisnin për të punuar aty. Dhe kjo ishte absolute. Problemet e ekipit shëndetësor dhe të dosjes mjekësore të Enver Hoxhës i dinte vetëm Hysni Kapo dhe askush tjetër, as Mehmet Shehu. Kur vdiq Hysniu, dosjen mjekësore të Enverit e mori në dorëzim Mehmet Shehu dhe pas Mehmetit dosjen e Enverit e mori Ramizi. Kartela mjekësore e Enver Hoxhës ruhej si sekret shtetëror.
Si funksiononte Enver Hoxha pas goditjes së ishemisë, a dilte në zyrë, punonte normalisht apo dalëngadalë kompetencat i mori Ramiz Alia. Sepse ne dimë që Enveri ishte aktiv në detyrë deri ditën e fundit të jetës.
Enveri ka kaluar shumë problematika me shëndetin, por sapo gjendja e tij përmirësohej, ai shkonte në zyrë. Ai kalonte herë pas here rëndesë me shëndetin, por ai kishte guxim shumë të madh dhe e thyente urdhrin e mjekëve shumë herë. Më kujtohet që kur vajti në Varrezat e Dëshmorëve, nuk ishte në gjendje të mirë, por nuk na dëgjoi. Ne i thamë që gjendja shëndetësore nuk e lejon se kishte rëndesë të zemrës. Ama, kur e vendoste një gjë, nuk i ktheje dot mendjen. Por kur ishte mirë, ai dilte pasdite në zyrë dhe punonte. Nuk mund të thuash sa ishte rendimenti i punës së tij.
A kryente në këtë kohë më shumë funksione Ramiz Alia dhe konsultohej me Enver Hoxhën për çështje të ndryshme?
Kjo është pyetje që u bëhet politikanëve, jo mjekëve. Por pa diskutim që Ramizi mori rol parësor. Kjo ra në sy, jo pas 1984, pas ishemisë, por që në 1982, ai ra shumë dhe ngarkesat kryesore të punëve i mori Ramizi.
Po në Spartakiadën e 1984, sa e vështirë ishte që të mos e lejoje të shkonte? Apo ishte një moment që ai duhet të dilte në publik?
Ishte një periudhë kur agjencitë e ndryshme bënin lajme sikur Enveri ishte i vdekur, i vrarë, i helmuar, i sëmurë rëndë, invalid dhe ai si politikan duhet të jepte një mesazh nga meraku dhe për popullin. Por atij kur i mbushej mendja, nuk na pyeste më. Vetëm t’i zije rrugën dhe të mos e lejoje të dilte nga shtëpia.
Ishte ky rasti i Spartakiadës?
Edhe i Spartakiadës festive, por dhe ai i vajtjes në Varrezat e Dëshmorëve, në një kohë që Enveri duhet të ishte në regjim shtrati.
Ju thatë që ishit ju mjek roje kur Enver Hoxha pësoi ishemi. Si ndodhi?
Kjo ka ndodhur rreth orës 5 e ca të pasdites. Ne rrinim gjithmonë dy mjekë roje, asnjëherë vetëm një. Unë, në ato momente, isha futur në dush dhe i them Isuf Kalos që të kishte pak kujdes deri sa unë të dilja nga banjo. Në rast nevoje, kishim tre butona që binin, njëri ishte i alarmit të madh nga dhoma e Enverit, e cila ishte përballë dhomës së mjekëve. Kishim një buton interfoni, ku përgjithësisht Nexhmija kërkonte ndonjë këshillë dhe një buton për nevoja jo urgjente. Isufi, si mjek i familjes, nuk qëndroi aty, por shkoi në vilë, meqenëse kishte miqësi me fëmijët. Kur ra zilja e alarmit, unë sapo kisha dalë nga dushi dhe vajta menjëherë, ashtu siç isha. Mora mjetet mjekësore dhe hyra në dhomë.
Si e gjetët Enver Hoxhën?
Gjysma e trupit të Enverit ishte në dysheme dhe gjysma në shtrat, sepse shtratin e kishte të ulët. I mata pulsin dhe tensionin, ishin në rregull, gjë që tregonte se nuk kishte probleme me zemrën. Menjëherë protokolli na çonte në ishemi. Ishte në gjendje kome. E shtrimë në shtrat dhe filluam trajtimin. Isufi ishte nga familja dhe nuk po vinte, unë isha me infermieren dhe ndihmësmjekun, pjesë të ekipit. Për një gjendje reanimacioni, optimumi kërkon pesë veta, minimumi tre. U lajmërua dhe ekipi i mjekëve dhe arriti shpejt.
Pas sa kohe?
Pas disa minutash, 20 apo 30 minutash, shkoi makina dhe i mblodhi. Enveri filloi të reagojë, sepse nuk ishte komë e thellë. Më thotë profesor Fejzi Hoxha, si gjirokastrit i mirë dhe i rregullt: “I ke shënuar ato që ke bërë deri tani në kartelë?” Unë i thashë: O do shkruaja, o do i jepja ndihmë shokut Enver, s’mund t’i bëja të dyja. Shkoi te kartela dhe shënoi se ato gjykohen në fund. Nuk e harroj këtë qartësi të tij në ato momente. Në atë kohë erdhi Ramizi dhe Adili, ndërsa unë plotësova të gjithë protokollin e ndërhyrjeve të mia pas atij episodi. Por edhe kur vdiq Enveri, unë isha mjek roje.
Si ndodhi? Çfarë e përkeqësoi gjendjen e tij?
Pas 1984, unë dhe Ahmet Kamberi mbetëm në ekipin e udhëheqjes. Iku Ylli Popa, se ndihej i lodhur, një mjek që kishim në ekip ishte kushëri i Mehmet Shehut dhe e larguan. Unë propozova që të shtohej ekipi i mjekëve, por partia nuk e shtoi. Unë në atë kohë i dhashë emrin e Sali Berishën, por dhe Anesti Kondilit etj., por asnjë nuk morën. Ia propozuan Enverit këta emra, ai tha që nuk dua figura të reja. Si çdo i moshuar, edhe ai ishte mësuar me ne dhe ndihej i sigurt dhe i qetë. Kur ndodhi episodi me Enverin, unë isha mjek roje dhe Ahmeti ishte i pranishëm.
Vdekja e Enverit, kur ndodhi?
Në mëngjes të 9 prillit. Në orën 9 të mëngjesit, Enveri doli pak. Një ditë më parë, më 8 prill, ai doli me karrocë me Nexhmijen, ka dhe një foto të asaj dite. Ka qenë e fundit e Enverit. Më parë, ai ka qenë rëndë si gjendje, por sapo ndihej pak më mirë, dilte nga shtëpia, e linte shtratin. Rreth orës 9 të datës 9 prill i bëmë vizitën. Tensioni ishte mirë, ritmi i zemrës normal, si një gjendje për regjim shtrati. Enveri doli pak dhe ne ishim në dhomë. Bie zilja e alarmit. Vrapojmë në dhomën e tij. E gjetëm në vdekje klinike. E goditëm shumë herë me elektroshok, u rikthye zemra, u rikthye tensioni dhe u rikthye pa u çrregulluar deri në mesnatën e datës 11. Gjatë kësaj kohe, Enveri ishte në gjendje kome të thellë, por zemra i punonte. Nuk iu rikthye koshienca, nuk iu rikthye as funksioni i veshkave. Në ato 1-2 minuta që ne rikthyem zemrën në jetë, nuk shpëtuam trurin. Truri kishte vdekur sepse nuk ishte furnizuar me gjak.
Edhe te njerëzit e shëndetshëm, nëse truri nuk furnizohet për 4-5 minuta, ai vdes e jo më te truri i Enverit, i cili ishte sklerotik, donte rikthim të shpejtë. Edhe veshka duket se ishte shumë e ndjeshme, sepse edhe urinimi nuk iu kthye. Por ne vazhduam me shpresën se do të dilte nga kjo gjendje. Afër orës 13:00 zemra ndaloi, e dha aparati. Ishte i gjithë grupi i mjekëve aty. Në këtë moment, unë nisa të bëj elektroshok, bëra goditjen e parë, bëra të dytën, pa asnjë rezultat. Kur bëra të tretën apo të katërtën, ishin nxehur elektrodat dhe Enveri dha përshtypjen se ndjeu dhimbjen nga nxehtësia, sepse u konsumua xheli që vendosja në elektroda. Pasi bëra disa goditje, pashë nga ekipi për të thënë që nuk ka më shpresë, a duhet të vazhdoj?! Kryetar i ekipit të mjekëve ishte Petrit Gaçe. Kur kryqëzova shikimin me Gaçen, ai më tha: Lëre o Sabit…! Të gjithë qëndruam si të ngrirë. Pastaj filluan disa të bënin teatër. Dikush të qante, dikush të thurte vargje..
Përse?
Sepse kur Enveri ra në koma kur u godit nga ishemia, Nexhmija nuk ishte aty dhe kur erdhi e gjeti në koma. Por ne fillimisht si ekip mjekësh qëndronim në një godinë ngjitur me vilën, por që të shkonim deri te dhoma e Enverit humbnim shumë kohë, ndërkohë që në një gjendje koma, ne duhet të kishim kthyer zemrën për jo më shumë se 1 minutë, ndryshe vdiste truri. Ia argumentova Sulo Gradecit se duhet të vendoseshim pranë dhomës së Enverit, por ma mori për keq. I ndodhi Ylli Popës që kur pati një episod kardiak Enveri dhe Ylli ishte roje, iu desh shumë kohë, edhe pse nxitoi të shkonte që të arrinte gjendjen e Enverit. Ylli nuk kishte vrapuar në rininë e tij e jo më gati në moshën 70 vjeç të zbriste shkallët dhe vrap dhe t’i ngjiste me vrap. Vonesa në dhënien e ndihmës së shpejtë, sipas protokollit mjekësor, është e dënueshme edhe për njerëzit e dënuar me burg e jo për udhëheqësin.
Ramizi kishte thënë në një ambient që vonesa e mjekëve do të ishte fatale për Enverin. Ky rast i detyroi që të na vendosnin pranë dhomës së Enverit brenda në vilë. Kur Enveri ra në gjendje koma nga ishemia, më 17 shkurt 1984, Nexhmija e gjeti të shtrirë, nuk ishte prezente./ Burimi: Panorama
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...