Google ADS

Miratohet plani paraprak i hetimit, Hyseni: Do bazohemi tek Kushtetuta

12:35 | 8 Maj 2021
L G

Komisioni Hetimor zhvilloi mbledhjen e parë ditën e sotme për të hetuar shkeljet kushtetuese të kryera nga presidenti Ilir Meta.

Mbledhja u zhvillua në ambientet e Kryesisë së Kuvendit nën drejtimin e Alket Hysenit dhe nënkryetarit Myslim Murrizi, ku sekretare me votimin e të gjithëve u zgjodh Klotilda Bushka.

Kryetari i Komisionit, Alket Hyseni është shprehur se gjithçka do të zhvillohet me gjakftohtësi duke u bazuar vetëm në Kushtetutë pa u ndikuar nga politika.

Ai gjithashtu theksoi se s’duhet të jepen deklarata në lidhje me presidentin pasi edhe koha prej një muaji është e shkurtër.

“Nuk është kënaqësi e madhe të ngrihet ky komision por ne duhet ta marrim me gjakftohtësi. Ndaj dhe këshilla juaj zoti Braho që të mos bëjmë komente pa vend vlen. Sot miratojmë një plan paraprak që nuk është përfundimtar. Do plotësohet nga sugjerimet e kolegeve mbledhjen tjetër. Është e drejtë e komisionit të thërrasë Presidentin, i cili mund të vijë. Kërkoj mirëkuptimin tuaj për deklaratat në lidhje me mbledhjen e këtij komisioni. Në përfundim të çdo mbledhje do të ketë një njoftim shtypi për mediat”, tha Hyseni.

Një nga anëtarët e Komisionit Hetimor i ngritur për presidentin Ilir Meta, Spartak Braho kërkon vendimet e Venecias në dispozicion dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese që kanë trajtuar marrëdhëniet me presidentin. Gjithashtu kërkon një fond të posaçëm për punën e komisionit.

Ai shtoi se të gjithë anëtarët duhet të tregohen të kujdesshëm sa i përket prononcimeve për presidentin e vendit.

“Ne s’duhet të prononcohemi për punën e Presidentit. Sa i takon planit të veprimit duam t’i shohim me video imazhet për të cilat akuzohet kreu i Republikës, duhet të tregohemi shumë të kujdesshëm”, tha Braho.

Sekretarja e zgjedhur, Bushka ka kërkuar që të merren në shqyrtim opinionet e Venecias në lidhje me presidentin.

Anëtarët e Komisionit Hetimor Alket Hyseni, Myslim Murrizi, Klotilda Bushka, Vasilika Hysi, Elena Xhina, Spartak Braho, Halil Jakimi, Nikolin Staka, Arlind Çarçani, Ermonela Felaj, Xhemal Qefalia dhe Eugen Bojaxhi.

Komisioni Hetimor u ngrit pas miratimit ditën e djeshme nga Kuvendi me 97 vota pro dhe 6 kundër.

Ky është komisioni i dytë hetimor që ngrihet për hetimet e shkeljeve kushtetuese për Ilir Metën brenda 2 viteve, ku mazhoranca kërkon shkarkimin e tij nga detyra.

Afati i punës së Komisionit Hetimor i ngritur nga Kuvendi pritet që të jetë një muaj, përgjatë të cilit do të shqyrtohen të gjitha argumentet e ngritura nga Partia Socialiste për shkarkimin e Presidentit.

Vendimi i shkarkimit të Presidentit duhet të mbështetet nga të paktën 2/3 e anëtarëve të Parlamentit.

Rend i ditës i mbledhjes së Komisionit Hetimor:

1.Konstituimi i Komisionit Hetimor të Kuvendit “Për hetimin e shkeljeve të rënda kushtetuese nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë”

2.Deklarimi i qëllimit të ngritjes së komisionit me vendimin nr. 45 datë 07.05.2021 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë

3.Zgjedhja e sekretarit për drejtimin e çështjeve administrative dhe teknike të Komisionit Hetimor

4.Miratimi i planit paraprak të hetimit

5.Çështje të tjera./TCh/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme