Google ADS

Miratohet plani i masave për mbarëvajtjen e pelegrinazhit në malin e Tomorrit

21:27 | 12 Gusht 2019
Trina Galanxhi

Nga prefektura e Beratit ku është mbajtur mbledhja e grupit të punës për planin e masave për mbarëvajtjen e pelegrinazhit të përvitshëm në malin e Tomorrit, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi u kërkoi institucioneve vendore shërbim të shtuar, ditë të qeta dhe të sigurta për çdo pelegrin.

 

Në takim ishin të pranishëm prefektja dhe kryetarët e  bashkive të qarkut. Ministri Klosi theksoi se ky plan i ri masash synon përfshirjen e të treja bashkive Berat, Çorovodë dhe Polican që do të ndihmojnë me infrastrukturën e nevojshme për mbarëvajtjen dhe mirëadministrimin e festës. “

 

Do të jenë ditë kur  i gjithë qarku i Beratit të tregojë më të mirën e tij, mikpritjen dhe po ashtu pastërtinë dhe dëshirën që kjo festë të jetë shumë e mirëadministruar”- tha ministri Klosi duke shtuar se për të siguruar shërbim sa më të mirë dhe ditë të qeta do të jenë të angazhuara të gjitha forcat e rendit, Inspektoriati i Higjenës dhe Inspektoriati i Mjedisit, Drejtoria Rajonale e Shëndetësisë dhe të gjitha institucionet lokale.

 

 

Në fund të takimit grupi i punës miratoi planin i detajuar i masave,  për organizimin dhe mbarëvajtjen e Pelegrinazhit që fillon javën e ardhshme. Pelegrinazhi në malin e Tomorrit është një nga ngjarjet më të shënuara për qarkun e Beratit. Cdo vit mijëra pelegrinë vizitojnë Kulmakun për të kryer ritualin.

 

Për herë të parë këtë vit, nën drejtimin e ministrit Klosi është përgatitur një plan masash me qëllim koordinimin e të gjitha institucioneve vendore në funksion të mirëadministrimit të kësaj festet që sjell mijëra pelegrinë në qarkun e Beratit.

 

Ditët e pelegrinazhit do të shërbejnë gjithashtu për të mbledhur firmat për mbrojtjen e Malit të Tomorrit, Park Kombëtar. Peticioni ka nisur prej ditës së parë të protestës së banorëve ndaj vendimit të gjykatës që u jepte të drejtë guroreve që të vazhdonin aktivitetin e tyre dhe po firmoset nga qindra mijëra banorë por edhe turistë të huaj që vizitojnë Beratin.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme