Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, në një intervistë telefonike me KosovaPress deklaroi se qytetarët nuk kanë nevojë që të bëjnë panik rreth furnizimeve me produkte bazike pasi nuk ka asnjë problem në qarkullimin e mallrave.
Ai tha se brenda 24 orëve rreth 190 maune hyjnë dhe dalin përmes kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës, ndërsa shtoi se Porti i Durrësit është në shërbim të të gjitha kompanive kosovare që të marrin mallra nga cilido vend në botë.
“Nuk ka asnjë problem për qarkullimin e mallrave midis Shqipërisë dhe Kosovës. Brenda 24 orëve qarkullojnë diku te 190 maune dhe po kaq sa vijnë edhe dalin. Porti i Durrësit është në efiçencë të plotë, Kosova i ka të gjitha mundësitë për të marrë mallra nga bota perëndimore, nga Kina, nga çdo vend i botës që kompanitë kosovare kanë kontrata. Nuk ka asnjë problem në këtë drejtim dhe çdo gjë është në suaza normale”, tha Minxhozi për KosovaPress.
I pyetur nëse ka vonesa në kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë për shkak edhe të kontrolleve mjekësore, Minxhozi deklaroi se vonesat janë shumë minimale dhe nuk ka shqetësime të tilla as nga bizneset.
Sipas tij, tashmë situata në kufi është edhe më e qetë për shkak se nuk ka mjete të tjera që presin, ndërsa situata e ngjashme është edhe në Rrugën e Kombit që sipas Minxhozit mbretërit e autostradës janë vetëm maunet.
“Fare. Absolutisht nuk asnjë vonesë. Vonesat janë krejt minimale. Ajo që po them është një situatë edhe më e qetë se përpara sepse tani në kufi nuk kemi mjete të tjera, nuk kemi makina të cilat janë reduktuar në shkallën më minimale, pothu ajse nuk ka lëvizje fare dhe mbretërit e autostradës janë vetëm maunet, janë kamionët e mëdhenj që transportojnë kryesisht produkte ushqimore por edhe produkte bazike siç janë nafta apo artikuj të tjerë që janë shumë të domosdoshëm për zhvillimin e një jete normale këtu në Prishtinë”, vijoi Minxhozi.
Ambasadori i Shqipërisë u shpreh se qytetarët nuk duhet të bëjnë panik pasi ka furnizime që po vijnë edhe në Portin e Durrësit që kanë destinacion Kosovën.
Ai bëri edhe një pasqyrim të situatës në Shqipëri për shkak të virusit COVID-19, ndërsa apeloi qytetarët në të dy anët e kufirit që të tregohen të kujdesshëm gjatë kësaj kohe dhe të marrin masat e rekomanduara.
SHBA do të rrisë prodhimin e raketave
Barcelona mbetet sërish pa Torresin
Kushtetuesja shtyn për janar shqyrtimin e kërkesës së ish-kr...
“Mua më pëlqen është çikë e mirë”, Driloni flet me Rovenën p...
Rama vijon traditën, ndan medalje ari për 188 nxënësit eksel...
Izraeli konfirmon për herë të parë vrasjen e liderit të Hama...