Google ADS

Ministrja irlandeze: Shqiptarët janë të mrekullueshëm

23:06 | 7 Shkurt 2019
Trina Galanxhi

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti sot në një takim ministren e Jashtme për Europën të Irlandës, Helen McEntee. Ata biseduan mbi shtimin e marrëdhënieve mes Tiranës dhe qyteteve irlandeze, si dhe për një sërë bashkëpunimesh konkrete në fusha të caktuara dhe me interes për qytetarët e të dyja vendeve.

Më pas mbollën edhe një pemë në parkun “Europa”, në shenjë të miqësisë mes dy vendeve, ndërsa kryebashkiaku Veliaj i shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Irlanda i jep Shqipërisë në procesin e integrimit europian.

Kryebashkiaku i Tiranës theksoi se Irlanda është shembulli se si një vend me ekonomi të vogël është bërë sot një nga vendet me zhvillim të qëndrueshëm, nga i cili edhe Shqipëria ka çfarë të mësojë.

“Jam shumë i lumtur që ministrja e Irlandës për Evropën na vizitoi në Bashkinë e Tiranës dhe mbollëm edhe një pemë në kujtim të një marrëdhënie shumë speciale që kemi me Irlandën. Kemi një partneritet me Bashkinë e Dublinit dhe duam shumë që të mësojmë nga Irlanda, një vend që para disa vitesh ishte në një ekonomi modeste dhe sot është bërë një portë hyrëse e investimeve në Evropë”, tha Veliaj.

Ai theksoi se kjo vizitë do të pasohet me një kalendar të detajuar aktivitetesh dhe bashkëpunimesh mes Tiranës dhe qyteteve irlandeze.

“Mezi pres që ky bashkëpunim, ky filiz i ri, ashtu si edhe kjo pemë e re që mbollëm, të mbijë, të hedhë rrënjë dhe të jetë një urë bashkëpunimi mes dy vendeve tona. Irlanda është një mbështetëse fantastike e ambicies sonë evropiane dhe Irlanda është një provë se çfarë mrekullie mund të bëjë anëtarësimi serioz në Bashkimin Evropian dhe përfshirja në tregun evropian, qoftë për zhvillimin ekonomik të dijes dhe të kulturës. Kemi disa ide edhe për çështje të kulturës, të sportit dhe besoj që shumë shpejt do bëjmë një kalendar të përbashkët të këtyre shkëmbimeve, për të përfituar sa më shumë nga dashamirësia e qytetarëve, por edhe qeverisë irlandeze”, shtoi Veliaj.

Ministrja irlandeze, Helen McEntee vlerësoi mikpritjen e Tiranës, ndërsa theksoi se pret që kjo vizitë t’i japë një impuls të ri bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Irlandës në përgjithësi, dhe Tiranës dhe qyteteve irlandeze në veçanti.

“Është absolutisht fantastike të jem këtu në Tiranë, bashkë me kryetarin e Bashkisë. Gjatë ditëve që kam qëndruar këtu, duhet të them se njerëzit janë të mrekullueshëm, ka qenë vërtet një eksperiencë shumë e ngrohtë e miqësore dhe qyteti ka shumë për të ofruar. Shpresoj realisht të kemi mundësinë për të punuar së bashku”, tha ajo.

Kryebashkiaku Veliaj bëri të ditur se falë këtij bashkëpunimi Tirana do të festojë edhe një nga festat më të rëndësishme irlandeze, atë të Shën Patrikut, gjatë së cilës Kulla e Sahatit do të ndriçohet me ngjyrë të gjelbër./gsh/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme