Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Anila Denaj, ka reaguar lidhur me deklaratat e presidentit Ilir Meta lidhur me marrëveshjen që Këshilli i Ministrave ka miratuar në parim për rehabilitimin e objekteve në aksin Vlorë-Orikum përmes huasë së marrë nga Fondi Saudit i Zhvillimit, një marrëveshje që sipas Metës është bërë në kundërshtim të Kushtetutës pasi nuk ka pasur asnjë negociatë për të dhe as nuk është kërkuar autorizimi i tij për të bërë një marrëveshje të tillë siç e kërkon ligji për marrëveshjet ndërkombëtare.
Në një postim në facebook, Denaj shprehet se është ” shumë e befasuar nga shfaqja e Ilir Metës nga podiumi i Presidentit të Republikës, ku bëri lëmsh Kushtetutën, institucionet dhe konceptet e ligjshmërisë marrëveshjes, negociatës, duke krijuar një kakofoni krejt të papërshtatshme për kreun e një shteti”.
Ministrja shton se nesër do t’i përgjigjet me fakte kokëforta zotit President, madje me vetë firmën e tij në raste të ngjashme.
Por ndërkaq ajo sqaron se çështja në fjalë është shumë e thjeshtë.
“Qeveria nuk ka pasur çfarë të negociojë, sepse nuk bëhet fjalë për një hua të re, po për një hua të negociuar më parë. Këtu Presidenti gabon! Fondi Shqiptar i Zhvillimit nuk ka negociuar termat e huasë, sikundër edhe këtu presidenti gabon; por thjesht ka shkëmbyer me kundërpalën e vet për ta rialokuar nga një objekt në një objekt tjetër, madje brenda për brenda të njëjtës zonë gjeografike në këtë rast, një pjesë të huasë.
Pala saudite nuk ka pasur asgjë tjetër për të thënë kur ka dhënë dakordësinë dhe edhe këtu Presidenti gabon. Rialokimet e fondeve brenda marrëveshjeve financiare të nënshkruara, janë bërë edhe në të shkuarën, bëhen kudo dhe nuk përbëjnë asnjë përjashtim nga rregulli.
Presidenti gabon nga fillimi në fund edhe pse ia kemi shpjeguar shkresërisht logjikën e kësaj praktike krejt të qartë e të thjeshtë. A nuk e kupton vërtetë apo e bën me qëllim këtë zvarritje të një projekti me rëndësi për Vlorën, këtë nuk dua ta them. Por nesër do të them më shumë”.
Në përgjigje të akuzave të kryeministrit Rama nga Vlora se Presidenti po bllokon investimet në Vlorë-Orikum, Meta deklaroi se kjo është një gënjeshtër e madhe dhe se presidenti ka kërkuar disa herë informacion lidhur me këtë marrëveshje të re dhe nga ministria e Financave ka marrë përgjigjen se kjo është kryer pa negociata, ku Meta shprehet se kjo është në kundërshtim të hapur me ligjin.
Kreu i Shtetit tha se për këtë marrëveshje ose janë kryer negociata të paligjshme në kundërshtim me ligjin dhe të dyshimta pa autorizimin e Presidentit duke marrë si provë deklarata e kryeministrit Rama në Vlorë, ose nuk janë kryer fare negociata siç thotë me shtresë zyrtare Ministria e Financave.
Në të dy rastet, thotë Presidenti, ka shkelje të Kushtetutës dhe të ligjit për marrëveshjet ndërkombëtare dhe se vihet në dyshim mbrojta e interesave të qytetarëve.
Aksidenti në rrugën Pejë-Prishtinë, 22 persona marrin trajti...
Casado për Pedrin: Ai është një nga më të mirët në pozicioni...
Përplasen 2 automjete në aksin Korçë-Pogradec, 2 të lënduar
Dënohet me 18 vite burg pronari i hotelit që u shemb nga tër...
Mungesa e energjisë elektrike, ministria e Ekonomisë del për...
Mbesin pa ujë deri nesër dy fshatra të Vushtrrisë