Kisha e Shën Kollit, në fshatin Mesopotam të Delvinës, është monument kulture i kategorisë së parë. Prej 10 vitesh, kjo kishë nuk vizitohet nga asnjë vizitor, pasi është në proces rikonstruksioni.
Një tender për rikonstruksionin e saj u shpall në vitin 2008, e sipas projektit të miratuar punimet do të bëheshin në 3 faza, dy prej të cilave u kryen, ndërsa faza e tretë u ndal për mungesë fondesh. Pesë vite më vonë, Ministria e Kulturës merr një vendim për të hapur një tender të ri për rikonstruksionin e kishës, në vitin 2015, dhe projekti do të zbatohej nga fillimi.
Agjencia e Prokurimeve Publike, sivjet shpall tenderin për rikonstruksion të një kishe në Mesopotami, me emrin Shën Mëri. Ndërkohë, firma fituese fillon rikonstruksionin e projektit nga fillimi, por në kishën e Shën Kollit, pasi kisha e Shën Mërisë nuk ekziston.
Reshat Gega, studiuesi dhe drejtuesi i firmës së parë të rikonstruksionit, iu drejtua redaksisë së “Fiks Fare”, pasi sipas tij ka mbivendosje projekti në kishën e Shën Kollit në Mesopotam.
Në vitin 2008, firma e drejtuar nga zoti Gega ka fituar tenderin për rikonstruksionin e kishës dhe nisi punën e ndarë në 3 faza. Ai tregon se 30 për qind e punës është bërë, duke përfshirë dy faza të rikonstruksionit, por në fazën e tretë nuk u akordua fondi.
Ndërkohë që firma e zotit Gega pret të rifillojë fazën e tretë, një tjetër firmë fiton tender për rikonstruksionin e kishës, që nga faza e parë, pa u marrë parasysh punimet e kryera dhe lekët e shpenzuara.
Studiuesi Reshat Gega thotë se është miratuar një projekt mbi projektin e parë, pra pa u shfuqizuar projekti i parë, duke e bërë të paligjshëm këtë të fundit. Ndërkohë që Agjencia e Prokurimit Publik ka bërë shpalljen e një tjetër tenderi për rikonstruksion, me emrin e kishës së Shën Mërisë, firma fituese vijon punimet në kishën e Shën Kollit, pasi në Mesopotami nuk ka kishë me emrin Shën Mëri.
Kështu që firma e dytë fillon rikonstruksionin në kishën e Shën Kollit, duke e filluar nga faza e parë projektin. Reshat Gega denoncoi në “Fiksi Fare” rastin e paprecedentë, pasi këto objekte janë shumë të rëndësishme.
Gazetarët e “Fiksit” iu drejtuan Ministrisë së Kulturës për të marrë një përgjigje në lidhje me mbivendosjen e projekteve për rikonstruksionin e kishës. Juristja e ministrisë shprehet se, me zotin Gega është në një proces gjyqësor. “Fiksi” kërkon shpjegim, jo për procesin gjyqësor, por për faktin se përse APP-ja bëri shpallje me emër tjetër, pra me kishën e Shën Mërisë.
Zëdhënësja e Ministrisë së Kulturës ia faturon gabimin Institutit të Monumenteve. Sipas saj, për këtë çështje ka mbivendosje projekti, pasi kur ky institucion iu drejtua Ministrisë, afati i firmës së parë kishte mbaruar.
“Është një gabim që mund të ndodhë dhe kaq, por më vonë dokumentacioni është ribërë i plotë”, pohon zëdhënësja. E pyetur për firmën e parë që kishte bërë punimet, ajo e pohon se nga Ministria kishte një bllokim fondesh për fazën e tretë, por i mëshon faktit se firmës së parë i mbaroi afati, ndaj u shpall vendimin në vitin 2015 për një rikonstruksion të ri të kishës.
Gazetarët e pyetën edhe pse i njëjti projekt nuk po vazhdohet aty ku u la, por zbatimi i tij filloi nga faza e parë, ndërkohë që zëdhënësja i bëri bisht pyetjes. E lutur nga gazetarët për të pasur një intervistë edhe me një përfaqësues të Institutit të Monumenteve të Kulturës, zëdhënësja e injoroi kërkesën, duke u shprehur se ky është i gjithë informacioni./TCH/
35-vjetori i themelimit të LDK-së, Abdixhiku sot bën homazhe...
Mblidhet KQZ për certifikimin e 17 subjekteve tjera politike
Sot diskutohet për transparencën parlamentare
Rama: Nis shpërndarja e mbi 20 mijë librave artistikë për bi...
Nëntë vite më parë Kushtetusja vendosi për Asociacionin
“Ke e diele, nuk u nejke”, arsyetimi qesharak i Gjestit pse ...