Ministria e Bujqësisë konfirmon gripin e shpendëve në Vlorë, fermat të paprekura

14:23 | 7 Janar 2025
E.G

Analizat e marra nga 20 shpendë të egër të ngordhur përgjatë bregut të detit në Plazhin e Vjetër në Vlorë kanë rezultuar pozitive me influencën aviare të nëntipit H5N1.

Rezultatet u bënë të njohura nga Ministria së Bujqësisë, e cila ka urdhëruar ngritjen e menjëhershme të 7 grupeve të punës për monitorimin e situatës në terren dhe gjurmimin kryesisht të zonave lagunore dhe ujore të Nartës, Novoselës, Plazhit të Vjetër, Orikumit, në Butrint, Karavasta dhe Seman.

Sipas grupit të Shërbimit Veterinar, që është në terren, nga shpendët e fermave dhe komplekseve industriale nuk ka dyshime për përhapjen e infeksionit.

Është njoftuar Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura për komunikim të hershëm të rasteve të dyshuara midis institucioneve.

Ministria e Bujqësisë i bën thirrje fermerëve të rrisin vigjilencën, të zbatojnë masat e biosigurisë dhe ato veterinaro-sanitare për të ulur riskun e përparimit të infeksionit në shpendët e mbarështimit.

Për çdo rast të dyshimtë fermerët lajmërohen të mos i prekin shpendët e sëmurë, por ta raportojnë menjëherë rastin në numrin e gjelbër 08003366./rtsh.al/

Të ngjashme