Ministri Lleshaj zbulon sa euro u grabitën në Aeroportin e Rinasit

08:48 | 12 Prill 2019
A. B.

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë Sandër Lleshaj ka akuzuar koncesionarin e Aeroportit të Rinasit si përgjegjësin kryesor të grabitjes së ditës së martë të miliona eurove.

Këtë qëndrim ai e mbajti në studion e “Real Story” në Vizion Plus.

“Ne kemi identifikuar përgjegjësin kryesor të kësaj ngjarje, e cila është koncesionari pasi ky është rast i përsëritur dhe për me tepër ka disa letra dërguar kompanisë që duhet të rriste sigurinë dhe janë injoruar në mënyrë sistematike çuditërisht. Fakti që kontraktori ka dështuar në ndërtimin e një barriere sado të vogël që të na jepte ne mundësi të reagonim, tregon dobësinë e tyre. Jo vetëm që koncesionari nuk i ka dhënë qoftë edhe një minutë më shumë kohë policisë për ndërhyrje, por as nuk ka njoftuar e konfirmon këtë gjë”, tha ai.

Por ai shtoi se edhe puna e Aviacionit Civil duhet të shikohet në këtë drejtim për të kuptuar përgjegjësinë edhe të këtij institucioni. Lleshaj tha se edhe policia ka përgjegjësinë e vet në një varg të gjatë institucionesh përgjegjëse, por në piramidën e fajtorëve, uniformat blu janë të fundit në këtë rast.

“E përsërisë që përgjegjësinë maksimale e ka koncesionari. Mos harroni që çdo pasagjer paguan 3 euro për çdo lëvizje që bën nëpërmjet Rinasit. Për çfarë shpenzohen këto para? A kanë qenë në shërbim të sigurisë. Natyrisht në disa aspekte kjo gjë duhet të ishte kontrolluar edhe nga Aviacioni Civil. Ka pasur frymë refuzuese dhe aspak bashkëpunuese nga koncesionari. Madje ne nuk kemi pasur akses as në dhomat e kamerave të sigurisë. Ka pasur mungese gatishmërie për transparence. Mungesa e dëshirës për bashkëpunim nga koncesionari është aq e dukshme saqë ka shkuar ne nivele irrituese. Tentativa për të bërë dominuesin dhe padronin nga koncesionari është e patolerueshme nga ana jonë”, thekson ministri Sandër Lleshaj.

Ministri Lleshaj zbardhi për herë të parë edhe shifrën e saktë të parave të grabitura në Rinas.

“Nga informacionet që kam unë, shifra që është grabitur është rreth 5 milionë euro”, tregoi ai.

Të ngjashme