Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, gjatë seancës për votimin e qeverisë së Re ditën e sotme tha se policia do të transformohet dhe në plan është procesi i digjitalizimit.
Fjala e plotë e ministrit:
Mandati i tretë qeverisës mbart edhe më shumë përgjegjësi, pasi na vendos jo vetëm përpara detyrimit për të justifikuar besimin e madh që shqiptarët na dhanë për të tretën herë radhazi, por edhe përpara sfidës për të qenë në nivelet e standardit të lartë të vendosur në dy mandatet e mëparshme. Udhërrëfyesi ynë në këtë mandat mbetet lufta e vazhdueshme e pakompromis për sundimin e ligjit, përmes 4 elementëve, që janë mbrojtja e territorit, forcimi i rendit dhe i sigurisë, ofrimi i shërbimeve sa më cilësore dhe thellimi i luftës kundër çdo forme të krimit të organizuar dhe fenomeneve të jashtëligjshme.
KONTROLLI I TERRITORIT PËRMES TEKNOLOGJISË
Pasi kemi shndërruar Policinë e Shtetit, në një nga institucionet më të besueshëm për shqiptarët, dhe në një partner të denjë për policitë homologe evropiane e më gjerë, do të vijojmë transformimin e saj përmes shtrirjes së dixhitalizimit, nga njëra anë, dhe integritetit të lartë nga ana tjetër. Siç jeni njohur, përmes veprimeve konkrete të nisura tashmë në terren, kontrolli i plotë i territorit, është një aksion që nuk do të ndalet deri në skajin më të largët të vendit. Për goditjen dhe ndëshkimin e ashpër të fenomenit të ndërtimeve pa leje, do të përdoret teknologjia bashkëkohore, përfshirë këtu edhe dronë inteligjentë, për monitorimin e veprimtarisë së kundraligjshme dhe sinjalizimin në kohë. Rol parësor do të marrë Policia e Shtetit, duke qenë forca e vetme përgjegjëse për evidentimin e çdo paligjshmërie në territor.
LUFTA KUNDËR KRIMIT TË ORGANIZUAR
Ndëshkimi pa kompromis i grupeve dhe organizatave kriminale nëpërmjet hetimit të çdo pasurie të krijuar nga krimi. Nën parimin ‘ndiq paranë’, lufta kundër krimit ekonomik do të jetë prioritet kryesor për Ministrinë e Brendshme. Vetëm duke prerë burimet financiare godasim në zemër aktivitetin dhe grupet e strukturuara kriminale. Këto pasuri do të jenë asete për të mirën publike nesër. Në këtë funksion në Policinë e Shtetit do të rriten kapacitetet investiguese, përmes bashkëpunimit me policitë partnere duke ristrukturuar Policinë Kriminale, me asistencën e drejtpërdrejtë të Policisë Federale gjermane. Rritja e hetimeve proaktive do të përbëjë një drejtim të rëndësishëm të punës së policisë. Aksesi dhe mundësia për të hetuar e Policisë së Shtetit do të rritet, në disa baza të dhënash, shtetërore dhe bankare, për të gjurmuar trasferta të dyshimta. Bashkëpunimi ndërinstitucional i policisë do të përsoset edhe më tej me Prokurorinë, SPAK, SHISH, BKH-në, Njësinë e Inteligjencës Financiare, si dhe do të forcohet bashkëpunimi ndërkombëtar me strukturat homologe të rajonit nëpërmjet kanaleve të INTERPOL, EUROPOL dhe oficerëve të kontaktit. Në këtë mandat do të ulim përfundimisht kriminalitetin nën mesataren e vendeve të BE-së. Ky është një objektiv plotësisht i mundur.
SIGURIA PUBLIKE DHE QASJA E POLICISË SI SHËRBIM
Me bindjen se siguria është kushti themelor për një shoqëri të zhvilluar, në funksion të rritjes së sigurisë publike, do të forcojmë zbatimin e ligjit. Do të garantohet prona e qytetarëve, do të ketë kontroll të plotë dhe do të ndëshkohet me forcën e ligjit çdo sjellje e veprimtari e paligjshme, dhe do të garantohet siguri maksimale në shkolla e institucione publike e private. Për ta përmbushur këtë detyrim, në emër të fëmijëve e të së ardhmes sonë, Policia e Shtetit do të transformojë rrënjësisht mënyrën e veprimit dhe të marrëdhënieve me komunitetin, duke u shndërruar në një strukturë të mirëfilltë në shërbim të publikut, me qasje si shërbim, jo si thjesht forcë represive. Perfeksionimi i Komisariatit Digjital, konsolidimi i Këshillave të Sigurisë Publike në Njësitë vendore do jenë një kontribues në këtë proces transformues.
SIGURIA RRUGORE
Për sigurinë rrugore, ku megjithë përmirësimet dhe rezultatet e arritura, mbetet ende një shqetësim që kërkon zgjidhje më efikase, – do të fillojmë menjëherë punën për ndryshimet në Kod dhe rritjen e investimeve në sistemet e monitorimit të trafikut dhe digjitalizimitë të proceseve që lidhen me përdoruesit e automjeteve apo sjelljen e tyre. Përdorimi i teknologjisë së lartë edhe këtu do të luajë një rol të rëndësishëm, për të patur gjithnjë e më pak aksidente nëpër rrugët tona dhe shkelës të ligjit. Në këtë mandat do të synojmë vendosjen e kamerave në çdo kryqëzim dhe kontrollin me radar në çdo segment të rëndësishëm rrugor të Shqipërisë.
INTEGRITETI INSTITUCIONAL DHE AGJENCIA E MBIKËQYRJES POLICORE
Në lidhje me integritetin institucional, sigurisht që rritja e integritetit profesional të Policisë së Shtetit dhe forcimi i ligjshmërisë do të përmbushet duke përmirësuar nivelin e edukimit e të trajnimit të punonjësve nën uniformë, dhe policia, Garda dhe Shërbimi Zjarrfikës do të jenë në mënyrë të pandërprerë pjesë e një procesi trajnues, të Akademinë e Sigurisë, tashmë me status universitar dhe në procese binjakëzimi me disa universitete të njohura perëndimore. Forcimi i ligjshmërisë dhe transformimi rrënjësor i SHÇBA-së në Agjenci të Mbikëqyrjes Policore do të jenë aspektet kryesore për rritjen e integritetit institucional. Funksioni i mbikëqyrjes policore do të transformohet, në organizim, në autoritet e përgjegjësi nëpërmjet miratimit të ligjit të ri për Agjencinë, duke e shndërruar atë në një mekanizëm efektiv.
SHËRBIMET PUBLIKE DHE SISTEMI I ADRESAVE
Në lidhje me shëbrimet publike përfundimi i plotë i procesit të Adresarit, duke bërë që shteti të dijë kush banon ku më së fundmi, dhe regjistrimi i plotë i shtetasve me banim jashtë shtetit e adresimi i tyre, do të jenë prioritete në fushën e Gjendjes Civile. Gjithashtu digjitalizimi i arkivave dhe shfrytëzimi më pas online i tyre, si dhe rritja e numrit të institucioneve që do të kenë akses në këto sisteme, do të jenë masat që përmirësojnë shërbimet ndaj publikut.
BASHKËPUNIMI RAJONAL, LËVIZJA E LIRË DHE KUFIJTË E SIGURT
Për lehtësimin e qarkullimit të shtetasve e mallrave, duke i paraprirë zhvillimeve të nismës “Open Balkan”, do të intensifikohet bashkëpunimi rajonal. Ngritja e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar mes vendeve të rajonit, aplikimi i procedurave të përshpejtuara dhe lehtësimi i tyre, shtimi i vendkalimeve kufitare, janë disa nga masat. Për rritjen e sigurisë kufitare, kontrolli i vijës së kufirit dhe shërbimeve do të kryhet nëpërmjet teknologjisë projekte të cilat janë tashmë në proces. Në parandalimin e krimit ndërkufitar dhe trafiqeve të paligjshme do të vijojë bashkëpunimi me FRONTEX dhe me fqinjët. Kufij të hapur, por të sigurt. Do të modernizojmë më tej kontrollin e vijës së kufirit të gjelbër dhe do të përmirësojmë më tej cilësinë e shërbimeve në Pikat tona kufitare, të cilat siç e kam theksuar dhe herë të tjera, janë në fakt ‘fytyra e parë’ për Shqipërinë e miliona turistëve që vijnë në vendin tonë. Të gjitha këto sa thashë do të mbështesin politikat dhe programet për menaxhimin e fenomeneve të migracionit të paligjshëm. Në përmbushje të angazhimeve humanitare, janë marrë dhe po merren të gjitha masat e nevojshme, në raport me të qenit një vend me kapacitete të limituara në fakt siç është Shqipëria.
Dhe së fundmi, në zbatimit të Strategjisë së Decentralizimit do të punohet për rritjen e kapaciteteve të Njësive të Vetëqeverisjes Vendore për ofrimin e shërbimeve sipas standardeve. Në këtë drejtim do të forcohet mbikëqyrja e përmbushjes së standardeve në ofrimin e shërbimeve në të gjitha bashkitë e vendit.
Të nderuar kolegë, programi qeverisës jo vetëm për sigurinë, por edhe fushat e tjera, nuk është thjeshtë një menu dëshirash, por një plan i detajuar reformash, ndërhyrjesh konkrete që përmbushin vizionin tonë për projektin “Shqipëria 2030”, si dhe e çojnë vendin në një tjetër nivel zhvillimi. Duhet dhe do të ringrihemi më të fortë pas goditjeve që morëm prej tërmetit dhe pandemisë. Ky mandat i tretë dhe historik, mbetet një përgjegjësi shumë e madhe. Prandaj do të bëjmë gjithçka duhet të përmirësojmë qeverisjen në të gjitha nivelet dhe të jemi në lartësinë e nevojave dhe pritshmërive të shqiptarëve.
Faleminderit!
Bislimi e Petkoviq takohen në dhjetor, Lajçak: Pres me padur...
E ardhmja e NATO-s dhe qëndrimet e zotit Trump
Gary Neville zbulon se si drejtuesit e Man Cityt e bindën Gu...
“Shqetësimi i Sarës ishte fake”, Xheneta tregohet e ashpër
Abdixhiku nga Malisheva: Më 9 shkurt do ta sjellim bashkë nd...
WhatsApp po prezanton një tjetër veçori të dobishme për përd...