Presidenti i Republikës, Ilir Meta mori pjesë në meshën e shenjtë të mbajtur nga Arqepshkvi Metropolitan i Firences, Kardinal Giuseppe Betori në Kishën e Shna Ndout në Laç, ku ishin të pranishëm gjithashtu klerikët më të lartë dhe me qindra besimtarë katolikë.
Presidenti i Republikës vlerësoi Hirësinë e Tij më të Shkëlqyer, Kardinalin shqiptar Ernest Simoni (Troshani) me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” me motivacionin: “Kardinalit të shquar shqiptar, përfaqësuesit të brezit të jashtëzakonshëm të klerikëve katolikë që jetën ia kushtuan besimit të palëkundur ndaj Zotit, dashurisë së pakushtëzuar ndaj njerëzve, vlerave të larta shpirtërore dhe morale, lirisë së ndërgjegjes e qëndresës dinjitoze në shërbim e në respekt të atdheut dhe kombit”.
Fjala e piotë e Presidentit të Republikës, Ilir Meta:
“Fort i nderuar Eminencë Kardinal Giuseppe Betori, Arqipeshv i Firences,
Fort i dashur Eminencë Kardinal Ernest Simoni Troshani,
Të dashur zonja e zotërinj,
Motra e vëllezër,
Jam i lumtur që ndodhem sot mes jush, këtu në Kishën e Shna Ndout, në shtëpinë e Zotit, në këtë vend të shenjtë pelegrinazhi, jo vetëm për besimtarët katolikë, në një nga kishat më të dashura, për të gjithë.
Jemi këtu në kishën simbol të qëndresës dhe të lutjeve, për të nderuar një nga simbolet e gjalla si rrallëkush tjetër të qëndresës dhe të lutjeve, një personalitet të spikatur të besimit katolik, një promovues universal të vlerave të paqes, dashurisë, humanizmit, harmonisë e bashkëjetesës ndërfetare, Kardinal Ernest Simoni-Troshani.
Pas kësaj meshe të mrekullueshme dhe të veçantë, pas kësaj shërbese që na mbush shpirtin dhe zemrën vetëm me mirësi dhe paqe dëshiroj të nderoj Kardinalin e shquar, Ernest Simoni Troshani, me Dekoratën e lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.
Zonja dhe zotërinj,
Kjo dekoratë me emrin e madhështorit e të pavdekshmit Heroit tonë Kombëtar, “shqiptarit më të gjallë ndër të gjallët”, siç do të shprehej Fan S. Noli, i jepet sot Kardinalit Troshani, si përfaqësues i brezit të jashtëzakonshëm të klerikëve katolikë që jetën ia kushtuan besimit të palëkundur ndaj Zotit, dashurisë së pakushtëzuar ndaj njerëzve, vlerave të larta shpirtërore dhe morale, lirisë së ndërgjegjes e qëndresës dinjitoze, në shërbim e në respekt të atdheut dhe kombit
Kardinali Ernest Simoni Troshani është njëri ndër dëshmitarët e fundit të gjallë të gjeneratës së klerikëve shqiptarë, që u persekutuan mizorisht, u dënuan dhe u martirizuan vetëm se shpirtin dhe veprën e tyre i kishin të lidhura me lirinë e besimit dhe të ndërgjegjes.
Kardinali Troshani është simboli i rezistencës dhe i përkushtimit të pashembullt ndaj vlerave dhe idealeve kombëtare.
Dëshmia e jetës së krishterë të Kardinalit tonë është dëshmia e një të riu 35-vjeçar, kurajoz e trim, i cili më 24 dhjetor 1963, në vitet e valës persekutuese të diktaturës komuniste në Shqipëri, guxoi heroikisht të mbante një meshë në kujtim të presidentit të vrarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhon Kenedi.
Ky veprim, simbol i besimit, i paqes, i respektit dhe i lirisë u ndëshkua ashpër me dënimin me vdekje dhe më pas me 25 vjet burgim për Dom Troshanin.
Dëshmia e viteve të gjata të vuajtjeve, të persekutimit, të torturës, por edhe të qëndresës së tij martire në burgjet e komunizmit është dëshmi e kalvarit të gjatë të kombit shqiptar dhe të gjithë përfaqësuesve të besimeve fetare, të cilët mes sakrificave dhe vështirësive mundën të ruanin jo vetëm forcën e besimit, por edhe dashurinë për kombin dhe vlerat e tij në vitet më të vështira.
Falenderojmë Zotin, që Kardinali Troshani është sot mes nesh, jo vetëm si dëshmitar i gjallë i kalvarit të vuajtjeve të klerit shqiptar nën regjimin komunist, por edhe si bariu që me fjalët dhe veprat e tij vijon ende të na inkurajojë e frymëzojë për të ecur drejt udhës së atyre vlerave shpirtërore njerëzore, fetare e kulturore, kishtare e kombëtare, për të cilat flijuan jetën shumëe shumë klerikë e shumë shqiptarë të ndershëm.
Më 21 shtator 2014 gjatë vizitës së tij në Shqipëri Ati i Shenjtë, Papa Françesku, u kushtoi jo vetëm një çast të posaçëm dëgjimi vuajtjeve të Dom Troshanit, por edhe përlotje dhe një përqafim të përzemërt papnor që mbeti i gdhendur në mendjen e të gjithëve.
Dy vite më vonë, nga Sheshi Shën Pjetër i Romës, në lutjen e engjëllit të Tënzot, Papa Françesku shpalli kardinalët e rinj, mes të cilëve edhe shqiptarin tonë Dom Ernest Troshani.
Ky akt i rëndësishëm, ashtu sikurse lumturimi i martirëve të Kishës Katolike Shqiptare dhe shenjtërimi i Nënë Terezës, ishin mesazhe për të cilat të gjithë shqiptarët kudo në botë i janë mirënjohës Atit të Shenjtë, Papa Françeskut.
Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë, janë shumë të rëndësishme dhe do të mbeten të tilla edhe në të ardhmen veçanërisht në drejtim të promovimit të përkatësisë, përpjekjeve dhe aspiratave tona evropiane.
Këto marrëdhënie të shkëlqyera me Selinë e Shenjtë i demostron edhe sot, me praninë e tij këtu, Eminencë Kardinal Giuseppe Betori, Arqipeshkv i Firences, i cili ka ardhur në këtë ceremoni dhe në këtë meshë për të nderuar Eminencën, Kardinalin tonë të dashur, Ernest Simoni Troshani.
Zonja dhe zotërinj,
Bashkëjetesa mes besimeve fetare të shqiptarëve është një thesar, një pasuri dhe një vlerë e jashtëzakonshme.
Figura e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu është simboli i përbashkimit të shqiptarëve dhe frymëzim i dashurisë pa kufi për atdheun.
Ndaj kam kënaqësinë dhe privilegjin që në këtë vit jubilar të Skënderbeut, me rastin e 90-vjetorit të lindjes së Tij, t’i akordoj Kardinalit tonë, Eminencës së Tij Ernest Simoni Troshani Dekoratën e lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.
Me këtë rast, i lutemi të gjithë Zotit që t’i japë sa më shumë shëndet e kurojë në misionin e tij hyjnor!
Zoti ju bekoftë ju!
Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët!
Faleminderit!”
Mbi 1.000 koreanoveriorë të vrarë apo të plagosur duke luftu...
Rohde i shqetësuar për moscertifikimin e Listës Serbe: Proce...
Rusia marrë propozime për të zhvilluar një takim mes Putin d...
100-vjetori i themelimit të Klubit të Futbollit Prishtina, K...
LDK shënon 35 vjetorin e themelimit, Abdixhiku: Lidhja ka qe...
Gjendet pa shenja jete një person në Zubin Potok