Në Shqipëri, presidenti Ilir Meta, reagoi sot me tone të ashpra ndaj vendimit të Departamentit amerikan të Shtetit për t’i ndaluar hyrjen në territorin e Shteteve të Bashkuara ish presidentin dhe ish kryeministrit të vendit Sali Berisha dhe familjes së tij, për shkak të “korrupsionit në shkallë të lartë”. Në një sulm të hapur ndaj Departamentit amerikan, zoti Meta flet për “fletërrufe” të porositur në Tiranë apo një akt të poshtër, sipas tij.
Zoti Sali Berisha u shfaq i përmbajtur në reagimet e tij ndaj vendimit të firmosur nga Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken që e përfshinte atë në kategorinë e zyrtarëve të korruptuar që kishin minuar demokracinë. Duke këmbëngulur se në të gjithë veprimtarinë politike nuk kishte kryer asnjë veprim të tillë, ai foli për cënim të dinjitetit dhe njoftoi ngritjen e një padie për shpifje publike.
Katër ditë pas kësaj ngjarjeje që shkundi jetën politike të vendit, presidenti Ilir Meta, një ish aleat i zotit Berisha, theu zhurmshëm heshtjen me tone të forta kundër vendimit të Departamentit amerikan të Shtetit. Në një postim në Facebook, drejtuar, siç shkruan që në krye, qytetarëve dhe gjithë bashkëkombasve, zoti Meta flet për një “”fletërrufe” të porositur nga regjimi i kleptokracisë në Tiranë kundër zotit Sali Berisha”
Nga ana tjetër, vetë ish kryeministri, personi ndaj të cilit janë vënë sanksionet amerikane, është rezervuar të shprehet për shkaqet e mundshme që kanë nxitur këtë vendim apo dhe momentin e publikimit të tij. Por presidenti Meta në të kundërt shfaqet i sigurt se sipas tij gjithshka ka të bëjë me zgjedhjet e 25 Prillit. “Kjo “fletërrufe” jo rastësisht u kërkua në këtë moment, kur procesi zgjedhor ende nuk është mbyllur zyrtarisht dhe kur institucionet, sipas Kodit Zgjedhor, duhet të shprehen lidhur me ankesat e shumta për manipulimet dhe krimet zgjedhore të denoncuara gjerësisht, që kanë cenuar rëndë standardet perëndimore të një procesi elektoral plotësisht të lirë, të ndershëm dhe demokratik”, shkruan ai.
Tonet e zotit Meta marrin formën e një sulmi të hapur ndaj Departamentit amerikane të Shtetit, në tekstin e mesazhit të “solidaritetit” që ai thotë se i ka nisur zotit Berisha pas atij që e cilëson “një akt të shëmtuar, të pabesë dhe të poshtër, që ka të bëjë vetëm me lobingjet antishqiptare dhe asgjë tjetër”. Presidenti Meta, shkon dhe më tej duke folur për “pacipësi” nga ana e DASH, ndërsa përmend vlerësimin e dhënë nga ky institucion për gjykatësin shqiptar Ardian Dvorani. “Ata që financuan për të shpallur hero të Reformës në Drejtësi Dvoranin e Partisë mund të bënin çdo marrëzi dhe nuk mund të na habisin më me pacipësinë e tyre për respektin ndaj shtetit të së drejtës dhe pavarësinë e Drejtësisë”, përmbyll reagimin e tij presidenti shqiptar.
Edhe më herët, presidenti Meta ka patur përplasje publike me ambasadoren amerikane Yuri Kim dhe ka akuzuar përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar se po mbështesin atë që ai e quan regjim të kryeministrit Edi Rama.
Një ditë më parë, ambasadorja Kim, deklaroi se nuk kishte çfarë t’i shtonte asgjë asaj çfarë kishte thënë vetë Sekretari i Shtetit, duke shpjeguar se “mesazhi është se Shqipëria po ndryshon, është një anëtare e Natos, do të jetë anëtare e BE-së. Shqipëria është një aleate dhe një mike e SHBA-ve, dhe se Shteti ligjor duhet të mbizotërojë. Duhet të jetë një vend i pastër dhe një vend i pasur. Për të arritur aty, askush, askush nuk mund të jetë mbi ligjin. Ditëve të pandëshkueshmërisë duhet t’ju vijë fundi”, nënvizoi ambasadorja amerikane./voa/
Asociacioni “Klubet Sportive Prishtina” emëron bordin dhe kr...
Shkup/ Ligji për Gjuhët pritet të shqyrtohet në mars të viti...
Fitimi, Gresa dhe Laurenti ngjallin të qeshura teksa flasin ...
Hamza premton Fond Shtetëror të Bursave: 25 milionë euro çdo...
Arb Manaj, futbollisti më i mirë i muajit dhjetor tek Drita
Prokurorja thotë se është vërtetuar që në veprimet e Çedomir...