Google ADS

Meta për 108-vjetorin e krijimit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë: Moderinzimi i ushtrisë prioritet

11:09 | 4 Dhjetor 2020
A. B.

Presidenti i Republikës Ilir Meta, me anë të një statusi në “Facebook” ka uruar të gjithë ushtarakët për 108-vjetorin e krijimit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

Meta shprehet se modernizimi i ushtrisë është një prioritet absolut.

Postimi i presidentit Ilir Meta:

Me rastin e 108-vjetorit të krijimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, ju shpreh sot të gjitha grave dhe burrave në uniformë, konsideratat më të larta, urimet më të përzemërta, falënderimin dhe mirënjohjen e thellë për kontributet, përkushtimin dhe sakrificat në mbrojtje të Atdheut, Sigurisë Kombëtare, por edhe garantimit të lirisë, paqes e stabilitetit në rajon e botë, nën flamurin e NATO!

Edhe ky përvjetor, pas tërmetit tragjik të vitit të kaluar, na gjen në një periudhë të pazakontë dhe tepër të vështirë, të shkaktuar nga pandemia COVID-19.

Koha shtron si domosdoshmëri një solidaritet mbarëkombëtar, bashkëpunim dhe gjithëpërfshirje, për të mposhtur këtë armik të përbashkët, që kërcënon çdo ditë shëndetin dhe jetën e qytetarëve.

Duke përgëzuar Forcat tona të Armatosura, veçanërisht Njësinë Mjekësore Ushtarake, për vigjilencën, gatishmërinë e përkushtimin në krye të detyrës, në Spitalin e Traumës dhe në çdo repart e strukturë të FA, ju inkurajoj të vijoni në përmbushje të misionit tuaj kushtetues, për të qënë kurdoherë në shërbim të qytetarëve në nevojë.

Me këtë rast, ju shpreh ngushëllimet e mia të gjithë familjarëve të ushtarakëve, të cilët kanë humbur të dashurit e tyre nga COVID-19, si dhe ju uroj shërim të shpejtë të prekurve nga ky virus.

Me sfidat e reja të sigurisë, që parashtron koha, modernizimi i pandalshëm i ushtrisë shqiptare është domosdoshmëri!

Zoti i bekoftë ushtarakët shqiptarë dhe familjet e tyre!

Lavdi Dëshmorëve dhe Heronjve të rënë për Atdhe e Flamur!

Të ngjashme