Meta nën arrest: Ndihem më i fortë se kurrë dhe besoj në pafajësinë time

21:39 | 21 Tetor 2024
E.G

Ish-presidenti Ilir Meta ka mohuar një sërë akuzash që Struktura e Posaçme Antikorrupsion ngriti në mesditë, që rezultuan edhe në arrestimin e tij.

Nga Blloku i Sigurisë, ku po mbikëqyret nga forcat e policisë, Meta reagoi të hënën mbrëma në rrjetet sociale, duke u shprehur i pafajshëm dhe “më i fortë se kurrë” pas “rrëmbimit në mënyrën më banditeske”.

Meta është marrë i pandehur me kërkesë të SPAK-ut për akuza si korrupsioni, mosdeklarimi, deklarimi i rremë apo fshehja e pasurisë. Bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, po ashtu është nën hetim dhe me masën “detyrim paraqitje” për akuza të ngjashme.

“Falënderoj përzemërsisht të gjithë anëtarët e Partisë së Lirisë për mbështetjen e jashtëzakonshme që më kanë dhënë deri tani.

Po kështu nga sot lufta jonë nis një faqe të re në përballjen pa asnjë kompromis me Narkoshtetin e instaluar brutalisht.

Jam i bindur në fitoren e kauzave tona kombëtare dhe demokratike!

Armiqtë e kombit tonë dhe demokracisë do u ngrijë e qeshura në buzë.

Rrëmbimi im sot në mënyrën më banditeske tregon panikun e regjimit diktatorial nga ballafaqimi me të vërtetat.

Ju siguroj se pas njohjes me vendimin e arrestimit tim ndihem më i fortë se kurrë dhe besoj edhe shumë në pafajësinë time të plotë.

Ndihem krenar që jam rrëmbyer dhunshëm nga antishqiptarët dhe shqipfolësit vetëm për patriotizmin tim dhe mbrojtjen e interesave kombëtare,” shkroi Meta në Facebook.

/rtsh.al/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme