Meta: Nderimi i mirë që mund t’i bëhet këtij 28 Nëntori është dalja në ndihmë familjeve të dëmtuara nga tërmeti

11:04 | 28 Nëntor 2019
Arbresh.info

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka thënë se nderimi më i madh që mund t’i bëhet 28 Nëntorit, Festës së Flamurit është që të vazhdohet t’ju ndihmohet familjeve të dëmtuara nga tërmeti në Shqipëri dhe të jemi sa më afër familjeve që kanë humbur më të dashurit e tyre.

“Nderimi më i mirë që mund të i bëjmë këtij 28 nëntori dhe gjithë sakrificave etërve të pavarësisë tonë që kaluan sprova shumë herë më të rënda dhe të vështira për të garantuar mbijetesën e kombit dhe ndërtimin e shtetit është që të vazhdojmë të angazhohemi për të shëruar sa më parë të jetë e mundur plagët e gjithë atyre familjeve që janë dëmtuar në një mënyrë të jashtë zakonshme nga ky tërmet dhe njëkohësisht të jemi sa më arën të gjithë atyre familjeve që kanë humbur të afërmit dhe të dashurit e tyre më të shtrenjtë në këto ditë për të përballuar këto dhimbje, por edhe për të shikuar me besim tek e ardhmja në mënyrë që gjithë familjet shqiptare që u goditën drejtpërdrejt nga tërmeti dhe po vuajnë pasojat e tij sa më shpejt të rifillojnë jetën normale të gjitha këto familje dhe fëmijët e tyre”, ka thënë Meta, përcjell arbresh.info.

Presidenti i Shqipërisë poashtu tha se politika duhet të jetë gjithmonë bashkë në çështjet më të rëndësishme të vendit.

“Politika duhet të jetë gjithmonë bashkë për çështjet më të rëndësishme të vendit, të shtetit, të popullit tone dhe bashkëjetesës tonë shoqërore dhe demokratike por sot në këto raste duhet të jetë dhe jam i bindur që do të jetë si asnjëherë tjetër dhe shpresojmë të jetë edhe në jetën e përditshme aq më tepër për të përmbusur një mision të cilit nuk i jemi afruar në vitet e fundit siç është anëtarësimi në Bashkimin Evropian që është aspiratë e gjithë popullit shqiptarë, gjithë forcave politike dhe mbarë popullit dhe kombit tonë”, ka përfunduar ai./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme