Google ADS

Meta i ka kthyer qeverisë së Ramës 13 ligje në 2 vite

17:40 | 22 Korrik 2019
Arbresh.info

Plotë 13 herë e ka kthyer Presidenti i Republikës, Ilir Meta, qeverinë në nismat e saj ligjore të miratuara më parë në Kuvend. Kur bëhen plot dy vite nga marrja e detyrës së kreut të shtetit, bilanci i marrëdhënieve të presidentit Meta me mazhorancën socialiste është i mbushur me një numër të madh përplasjesh ligjore, duke nisur që nga rikthimi i ligjeve, te mosdekretimi i ministrave apo edhe përplasjet e fundit për çështjen e datës së zgjedhjeve.

Kështu, sa u përket ligjeve, Presidenti i Republikës, Ilir Meta rezulton ta ketë ushtruar të drejtën e dekretit për kthimin e nismës ligjore për rishqyrtim në Kuvend më shumë se çdo president tjetër për të njëjtën periudhë kohore. Në vetëm 2 vite, Meta ka kthyer për rishqyrtim 13 nisma ligjore, nga të cilat një pjesë e mirë vetëm brenda këtij viti. Më konkretisht, gjatë gjashtë muajve të parë në postin e presidentit, Meta e ushtroi këtë të drejtë vetëm një herë, teksa kthehu ligjin nr. 98/2017 “Për tarifat gjyqësore në Republikën e Shqipërisë”.

Ndërkohë që ky numër do të rritej ndjeshëm gjatë vitit 2018, kur edhe tensioni mes Presidencës dhe qeverisë do të rritej ndjeshëm. Gjatë këtij viti ai i ktheu qeverisë 5 herë të tjera, ku dy herë vetëm për ligjin e posaçëm për prishjen dhe rindërtimin e Teatrit Kombëtar. Gjatë këtij viti Meta përveç ligjit për teatrin, ktheu për rishqyrtim në Kuvend dy nisma që ndryshojnë ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat, të ndryshuar” dhe një herë ligjin për “Për buxhetin e vitit 2019”. Kujtojmë se këto tri ligje ai i ktheu gjatë kohës kur në shesh protestonin studentët, me qëllim që të rishikohej buxheti dhe tarifat e studimit për ta. Por pavarësisht këtij veprimi, mazhoranca e majtë nuk i mori parasysh sugjerimet e presidentit, ndërsa i votoi sërish këto nisma pa ndryshime në Kuvend. Kujtojmë se krahas dekreteve për kthimin e ligjeve, gjatë fundit të 2018 Meta refuzoi fillimisht që të dekretojë edhe emërimin e ministrit të ri të Brendshëm, Sandër Lleshaj. Pas këtij momenti, marrëdhëniet mes Presidencës dhe shumicës qeverisëse u përkeqësuan në ekstrem dhe këtë e tregon edhe numri i madh i ligjeve të kthyera vetëm në 6 muajt e parë të 2019-ës. Kështu, vetëm në gjysmën e parë të këtij viti, kreu i shtetit i ka kthyer qeverisë plot 7 ligje, numri më i lartë i kthyer ndonjëherë në një periudhë kaq të shkurtër kohore.

Në fillim të këtij viti Meta ktheu ligjin “Për noterinë” dhe menjëherë pas tij edhe ligjin “Për Kadastrën”, dy nisma ligjore shumë të rëndësishme, të cilat prekin sektorë shumë të ndjeshëm për qytetarët, siç janë pronat dhe legalizimet. Po ashtu, ai ktheu për rishqyrtim edhe ligjin nr. 12/2018, “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe ankesat në Ministrinë e Brendshme” dhe më pas edhe ligjin nr. 26/2019 “Për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat”. Ndërkohë që brenda 1 dite, pra në 15 korrik, Presidenti i Republikës i ktheu shumicës qeverisëse plot 3 ligje, si asnjëherë më parë. Bëhet fjalë për ligjin “Për rezervat materiale të shtetit”, ligjin nr. 37/2019 “Për disa shtesa në aktin normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 4, datë 9.7.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve”, si dhe ligjin “Për vetëqeverisjen vendore”. Por krahas kësaj të drejte, kreu i shtetit ka ndjekur edhe një rrugë tjetër po ashtu ligjore, atë për t’i lënë ligjet që të hyjnë në fuqi në heshtje, pra pa u shprehur me dekret./gsh/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme