Presidenti Ilir Meta ka komentuar largimin e ish-kryeministrit të Maqedonisë Nikola Gruevski, ku theksoi se me këtë veprim ka pranuar fajësinë.
Kreu i shtetit ka thënë para gazetarëve se politikanët nuk duhet t’i shmangen drejtësisë dhe luftës politike.
“Çdo politikan aq më tepër politikan me përgjegjësi të mëdha siç është rasti në fjalë nuk duhet t’i shmanget as drejtësisë dhe as luftës politike. Nuk mund të gjykoj për çështjen në fjalë, se kemi të bëjmë me një vend tjetër dhe duke pasur këtë pozicion nuk kam përse të hap një debat për këtë çështje. Por ne kemi raste dhe në Shqipëri, kur ka pasur burgosje që janë konsideruar politike, janë përballuar. Largimi i tij është edhe një marrje e fajësisë së tij, pavarësisht nga pretendimet që ai mund të paraqesë”.
Ai solli në vëmendje edhe një rast personal, ku në vitin 1992 Prokuroria i ka hequr imunitetin dhe ka lëshuar flet-arrest. Në atë kohë tha Meta, iu ofrua strehim politik në Greqi dhe Itali, por nuk e pranoi.
“Kam edhe një rastin tim, në vitin 1992, në zonën time elektorale u morën peng dy oficerë policie nga protestuesit. Unë isha në opozitë dhe nuk isha ketu dhe vajta i shpëtova nga ajo pengmarrje padashje e njerëzve të painformuar. Për këtë cështje prokuroria më hoqi imunitetin dhe donin të më fusnin në burg. Mua më ofruan strehim politik në Greqi se kishim parti aleate në atë kohë dhe në Itali. Edhe pse isha fare i ri nuk e pranova një gjë të tillë. Kështu që politikanët në Ballkan duhet të jenë gati për të gjitha sfidat dhe të qëndrojnë si burrat”, tha Meta.
Nikola Gruevski u arratis nga Maqedonia drejt Hungarisë ku ka kërkuar azil politik. Sot mediat zbuluan se në këtë rrugë arratie, ai ka kaluar përmes Shqipërisë. Mënyra se si ka hyrë në territorin shqiptar ende nuk është zbardhur nga policia shqiptare, por në një deklaratë për mediat u tha se Gruevski është larguar përmes pikës kufitare të hanit të Hotit, ku ka qenë pasagjer në një makinë diplomatike të ambasadës hungareze në Tiranë.
Zëri i Amerikës shkruante sot se në makinë veç shoferit dhe Gruevskit, ishte edhe një punonjës i ambasadës hungareze, ndërsa pas kalimit të kufirit, nuk ka kaluar shumë kohë dhe makina diplomatike është futur sërish në Shqipëri.
Mbi Gruevskin rëndojnë akuzat e shpërdorimit të detyrës gjatë blerjes për nevojat e qeverisë të një “Mercedesi” në vlerë rreth 600 mijë euro. Nikolla Gruevski u dënua nga Gjykata për keqpërdorim të detyrës zyrtare me vendim të plotfuqishëm me dy vjet burg. Përveç kësaj, Gruevski gjykohet për katër akuza të tjera penale.
Osmani: E ardhmja e Kosovës në BE është e pashmangshme e për...
71 aksidente brenda 24 orëve në Kosovë
Ancelotti bëhet trajneri më i trofeshëm në histori të Real M...
Kërkohet paraburgim ndaj të dyshuarit që shkaktoi aksident t...
Dy raste të vjedhjeve të rënda në Ferizaj, policia jep detaj...
Vidhen para e gjësende tjera në Lupq të Podujevës