Google ADS

Mesazhi i Kryemadhit për të rinjtë: Kemi avantazh që jeni votues për herë të parë, kërkesa që i bën për prindërit

22:48 | 29 Janar 2021
Arbresh.info

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka takuar të rinjtë në Njësinë 8 ku u takua me grupin e votuesve për herë të parë dhe theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes në zgjedhjet e 25 prillit.

Kryemadhi u shpreh se qëllimi i LSI është të rrisë standardin e jetesës, të ulë koston e jetesës dhe të krijojë mundësi për të investuar.

Monika Kryemadhi: Unë Klevi të falenderoj dhe falenderoj shumë edhe grupin e votuesve për herë të parë. Ne kemi në avantazh shumë të madh që ju që jeni votues për herë të parë i keni bërë kartat e identitetit dhe nuk ju kanë skaduar. Por do të dëshiroja që secili nga ju, duke qenë se keni pranuar për të kontribuar, ndihmuar dhe për të votuar LSI-në më 25 prill, t’iu bëni kërkesë prindërve dhe familjarëve tuaj për të qenë të vëmendshëm për të parë kartat e identitetit, pasaportën biometrike, në mënyrë të tillë që të kemi një pjesëmarrje sa më të madhe në zgjedhjet e 25 prillit.

Pse duam ne që të kemi një pjesëmarrje sa më të madhe në zgjedhjet e 25 prillit? Ne si LSI, kemi një program shumë të thjeshtë, shumë të detajuar, shumë specifik, i drejtpërdrejtë. Është ky program, një broshurë me fjalë të thjeshta, që është i fokusuar në 5 prioritete, që janë të realizueshme dhe të menjëhershme, ku prioriteti i parë për ne është ekonomia, lufta ndaj papunësisë dhe krijimi i vendeve të reja të punës, si edhe një punë të mirëpaguar. Dhe në anën tjetër është arsimi, ku këto vende pune të mirëpaguara vijnë si rezultat i studentëve, i profesionistëve të zotë dhe që kanë mundësi për të krijuar hapësirat e tyre.

Ne jemi fokusuar në disa gjëra, sepse në fund të ditës të gjithë thonë, se si realizohet kjo. Është shumë e thjeshtë për ta realizuar. Një nga pikat kryesore është rimbursimi i 5% të faturës. Ne sot morëm një faturë, ja ku e kemi, ku në këtë faturë paguajmë kafet që po pimë sot këtu, dhe kjo faturë ka TVSH-në 20%, e cila automatikisht formalizon ekonominë. Por çfarë ndodh? Jo e gjithë ekonomia jonë është e formalizuar në kuponë tatimorë. Jo e gjithë ekonomia jonë shkon në shërbim të investimeve, të arsimit, të shëndetësisë, të pensioneve. Gjysma e ekonomisë sonë është informale, gjysma e ekonomisë sonë grabitet nga 3 apo 4 duar. Për ta formalizuar këtë lloj ekonomie është ky lloj propozimi që ka bërë LSI-ja.

Çfarë do të thotë? Sepse në fund të ditës të gjithë qytetarët paguajnë taksa. Çdo gjë që blejnë, që nuk ka lidhje me entet publike, e formalizojmë, e regjistrojmë dhe për të gjitha shpenzimet që bëjmë gjatë gjithë muajit, ne kemi për detyrë që t’u kthejmë qytetarëve 5% në xhepat e tyre. Ky 5% është një pagë më shumë, një mundësi më shumë. Por nga ana tjetër përveç përfitimeve që kanë në xhep prindërit tuaj, ka edhe një përfitim të madh buxheti i shtetit. Çfarë krijon ky buxhet? Krijojmë mundësinë për hapësira të reja për vende pune, investim. Për shembull mund të krijohet mundësia për të investuar në një rafineri të re nafte, që do të thotë që ne ulim çmimin e naftës. Ulja e çmimit të naftës do të thotë uljen e çmimit të kostos së çdo prodhimi, të furrave të bukës, të shërbimit të transportit publik, si dhe të kemi një naftë më të mirë që familjarët, prindërit tuaj të mos shpenzojnë çdo 2-3 muaj për të ndërruar filtrat e makinës për shkak të naftës së keqe. Por do të rrisim standardin e jetesë, do të ulim koston e jetesës dhe të krijojmë mundësi për të investuar. Ose mund të jenë investime për të rritur pensionet për gjyshërit tuaj.

Ndër të tjera, foli rreth programit “Mëso dhe fito”, të cilin e konsideron tepër të rëndësishëm për këdo që është në shkollë profesionale. Sa i përket 5 prioriteteve të LSI, Kryemadhi tha se do të jenë emergjente, të shpejta dhe të menjëhershme për të ndryshuar situatën ekonomike dhe varfërinë dhe për të pasuruar xhepin e çdo shqiptari.

Monika Kryemadhi: Ana tjetër është taksa 1% për arsimin, që shkon drejtpërdrejtë në investim për të. Aktualisht janë 800 kompani VIP që këtë 1% e çojmë në investim për arsim. Pak më parë isha në një takim me banorët e Njësisë 5 dhe ata më tha që paguajnë për rojet paradite, për kamerat pasdite, paguajnë për ngrohjen, paguajnë për pastruese, edhe pse paguajnë taksën në bashki për arsimin. Pra ky buxhet i cili shkon në duart e 4-5 vetave, ne do ta çojmë drejtpërsëdrejti investim në arsim. Gjithashtu edhe programi “Mëso dhe fito” është shumë i rëndësishëm për të gjithë ata në janë në shkolla profesionale. Ty Henri të kemi në shkollë ekonomike profesionale. Është shumë e rëndësishme për Henrin, që edhe pse është sot në shkollë të mesme dhe do të aspirojë për të vajtur në shkollë të lartë, duke qenë në kuadrin edhe të punojë për t’u rritur profesionalisht, ndihmon edhe familjen me një pagë, por ndërkohë edhe shkollohet edhe rrit cilësinë e mësimdhënies.

Është një program i drejtpërdrejtë. Ne kemi dalë që po e shpërndajmë për të bashkëbiseduar me ju. Mendojmë që kjo është shumë e rëndësishme. Sot kemi një plan për të përfshirë votuesit për herë të parë, sepse angazhimi i tyre sjell një lloj angazhimi të drejtpërdrejtë tonin politikisht por edhe emocionalisht, sepse në fund të fundit, edhe programi “Nga bebja në bebe” sot duket si absurde për Monikën, por nuk është absurde për ju, sepse shumë shpejt ju do të krijoni familjet tuaja, do të krijoni mundësinë që ky program nuk do të ju ngulisë në mendje që të ikni nga Shqipëria, sepse do thoni që ne e kemi mundësinë për të ndërtuar familjen këtu dhe t’iu garantojmë familjes sonë në të ardhmen sistem arsimor dhe shëndetësor shumë të mirë. Nuk është ndonjë shpikje, nuk e kemi bërë ne. Është një mekanizëm që vë në punë të gjithë këtë sistem, që për hir të së vërtetës është një vizion për të ardhmen.

Por prandaj themi 5 prioritete kryesore, që vijnë me atë që është emergjente, e shpejtë, e menjëhershme, për të ndryshuar situatën ekonomike dhe varfërinë dhe për të pasuruar xhepin e çdo shqiptari. Si dhe vizioni për të ardhmen, për të pasur një vazhdimësi për të gjithë Shqipërinë, por mbi të gjithë për ju. Sepse në fund të fundit, unë jam e bindur që po të bisedoj me prindërit tuaj, gjëja e parë çfarë kanë: të ardhmen tuaj./TCH

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme