Google ADS

Mes lotësh, babai i Klodian Rashës dhuron paratë për shërimin e vogëlushes nga Shkupi

22:27 | 18 Dhjetor 2020
Arbresh.info

Mes lotësh, babai i 25-vjeçarit Klodian Rasha, Qazim Rasha, ka vendosur të dhurojë të gjitha paratë që i janë mbledhur si ndihmë pas vdekjes së të birit për kurimin e vajzës së vogël nga Shkupi, Adisa, që vuan nga skoliozë, dhimbja e së cilës është paraqitur këtë mbrëmje në emisionin “Shqiptarët për shqiptarët”, që transmetohet në News24 dhe RTV Dukagjini.

Në një lidhje për emisionin “Shqiptarët për shqiptarët”, i ati i 25-vjeçarit të ndjerë ka rrëqethur me fjalët e tij, teksa ka shprehur dhimbjen e madhe që i ka lënë vrasja e të birit, duke thënë se ishte një bombë që nuk përjetohet.

“Ju falënderoj që ndatë dhimbjen bashkërisht për djalin tim. Dhimbja e djalit tim është dhimbja e gjithkujt, është fatkeqësi e rëndë, është një bombë që nuk përjetohet, por mua më ra përpjesë. Mendova që pjesën time, për interesimin që bënë për djalin tim, që u munduan të ma lehtësonin dhimbjen, duke qenë se në shtëpinë time shumë njerëz kanë ardhur për të kontribuar për shpirtin e Klodianit, të mund t’ua kthej këtë në një gëzim. Nuk mund të pranoj t’i fus në shtëpi ndihmat që na kanë dhënë për Klodianit, se ai cfarë pati e mori me vete. Të mundohemi të shërojmë një zemër nëne, një zemër prindi, një plagë. Apeli im është mos lëndoni nëna, mos lëndoni zemra, mos merrni jetë. Duke falënderuar babain e artistit Noizy e të gjithë ata që më kanë ndihmuar, kam vendosur t’ia dhuroj paratë vajzës, që po dergjet. Të gjitha ndihmat për Klodianin t’i kalojnë shërimit të asaj vajze. Zoti e shëroftë. Plagë të tilla mos përjetoftë askush”, tha i ati i të ndjerit.

Elvis Naçi: Jemi gjithë shumë të emocionuar këtu, na i mbushi sytë dhe zemrat me lot.

Qazim Rasha: Jam pa fjalë, çdo zemër të shërohet, asnjë zemër të mos lëndohet. Çdo nënë të gëzojë, çdo fëmijë të jetojë. Zoti i begatoftë zemrat e çdo shqiptari, asnjë familje mos e provoftë. Mundohuni të shëroni zemra, mos u mundoni të plagosni zemra.

Elvis Naçi: Çdo donacion që bëhet sot të shkojë për shpirtin e Klodit e të shkojnë për Adisën e vogël. Zoti ju bekoftë edhe ju Qazim pas asaj sprove që kaluat!

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme