Google ADS

Merkel i vendos kushte të reja kryeministrit Rama

00:26 | 15 Shtator 2019
Trina Galanxhi

Vendimi për çeljen ose jo të negociatave me 18 tetor do të varet nga qëndrimi që mban Gjermania. Kancelarja Merkel thotë se do ta vendos pwrlamenti gjerman. Vota e shtetit kryesor të Bashkimit Europian ndikon në mënyrë direkte dhe në mënyrën sesi votojnë 27 anëtarët e tjerë të Unionit.

Për këtë qëllim, vizita e kryeministrit Edi Rama dje në Berlin mund të cilësohet dhe si më e rëndësishmja në gjithë lobimin e qeverisë shqiptare për negociatat. Ajo që mund të thuhet në përfundim të takimeve zyrtare të kryeministrit është se Gjermania do të vendos kushte të reja për Shqipërinë. E thënë ndryshe, 18 tetori do jetë një fazë tjetër ku Shqipërisë nuk do t’i thuhet as “po” dhe as “jo”, por do të kërkohet ende përmbushja e kushteve të tjera. Për situatën në të cilën ndodhet Shqipëria, vendosja e kushteve të reja përkthehet në refuzim të qartë për negociatat. Vetëm se është një refuzim diplomatik, të cilin kryeministri Edi Rama dhe propaganda e tij do t’a shesin si suksesin e radhës. Kjo u pa dhe dje pas takimit me kancelaren Angela Merkel, kur kryeministri tha se kishte marrë mbështetje për negociatat

. Në fakt, njoftimi i zyrës së shtypit të Kancelares Angela Merkel nuk jepet optimizmin që pretendon kreu i qeverisë shqiptare. Njoftimi i Kancelares bën me dije se “vendimi për Shqipërinë do merret në fund të shtatorit nga Bundestagu”. Pra, ndryshe nga sa tha kryeministri që Kancelarja do të merrej personalisht me negociatat e Shqipërisë, kryeministrja gjermane Merkel njofton se do të zbatojë atë vendim që do të marrë Bundestagu (parlamenti gjerman). Në këtë pikë nisin dhe problemet e reja të qeverisë “Rama” dhe çështja e kushteve. Partitë në Gjermani janë të ndara lidhur me procesin e zgjerimit dhe konkretisht me negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Edhe vetë brenda koalicionit që drejton Angela Merkel ka qëndrime të ndryshme lidhur me hapjen e negociatave. Pjesa kryesore e deputetëve mendojnë se negociatat duhet të hapen sa më shpejt me Maqedoninë e Veriut, ndërsa për Shqipërinë mendojnë se është ende herët. Ndërkohë deputetë të koalicionit qeverisës në Gjermani, për mediat në Berlin kanë përmendur dhe të paktën gjashtë kushte të reja që duhet të plotësojë Shqipëria. Reformimi i Kodit Zgjedhor, funksionimi i sistemit të Drejtësisë, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, hetim i lidhjeve mes politikës dhe krimit, ndjekje penale zyrtarëve të dyshuar për lidhje me mafian, ulja  e kërkesave për azil, si dhe zgjidhja e krizës politike janë disa prej çështjeve që janë përmendur nga politikanët dhe mediat gjermane. Nëse Gjermania që ka qenë gjithmonë një mbështetëse e integrimit të rajonit dhe Shqipërisë në BE ka kaq shumë kërkesa, vendet e tjera që janë kundër zgjerimit mund të kenë një listë edhe më të gjatë. Kushtet e reja nuk janë “teka” të burokratëve të BE, por qëndrime për krizën politike dhe atë çfarë ka bërë qeveria “Rama” këto vite. Se cilat janë kushtet e vërteta për Shqipërinë, kjo do të zbulohet vetëm kur Bundestagu të dalë më një qëndrim në fund të muajit shtator.

Ndërkohë, ekzistencën e kushteve e pranoi edhe vetw Edi Rama dje në prononcimin e dhënë për mediat pas takimeve në Gjermani. “Bëhet fjalë për të hyrë në një fazë të re, me kushte në çdo hap, sepse i gjithë procesi është i kushtëzuar, duhet të përmbushësh gjithmonë disa kushte për të shkuar një hap më tutje, pastaj disa kushte të tjera, pastaj disa të tjera dhe llogaritë tregojnë se të gjithë vendet që kanë kaluar në këtë proces, i cili është bërë gjithmonë e më i vështirë, për shkak se Europa, BE është bërë gjithmonë e më e ngurtë dhe ka hyrë në vështirësi të reja me vetveten, iu është dashur të përmbushin qindra e qindra kushte”,- deklaroi kryeministri. Kushtet e reja, që kanë të bëjnë edhe me krizën politike, pritet të jenë një tjetër penalitet për qeverinë “Rama”. Pas disa dështimeve me negociatat, bllokimi edhe një herë i intergimit do të ishte fatal jo thjesht për qeverinë, por për gjithë vendin.

Deri në fund të qershorit, mbase Gjermania vendos të mos e shkëpusë Shqipërinë nga Maqedonia dhe të jap “OK” të plotë për të dy vendet. Në të kundërt, asnjë ekspozitë dhe prezantim librash nga Edi Rama në Berlin nuk i shpëton negociatat./koha jone/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme