Mediat franceze, destinacioni tendencë për muajin korrik: Shqipëria

08:43 | 10 Korrik 2019
Arbresh.info

Në mesin e shumë artikujve të shkruar kohët e fundit për Shqipërinë, nga media të ndryshme ndërkombëtare, ai i radhës është nga media franceze “Boursorama”, e njohur në Europë për shkrimet mbi turizmin dhe destinacionet.

Në hapësirën kushtuar Shqipërisë, për të cilën ajo thotë se është ‘destinacioni ideal i muajit korrik’, francezët përmendin natyrën, plazhet dhe qytetet shqiptare, si një katalog për t’u vizituar nga të huajt.

“Në vitet e fundit, Ballkani është popullarizuar kudo në botë. Mund të thuhet se rajoni ka shumë për të ofruar dhe për të joshur turistët. Ajo gëzon një klimë mesdhetare, nuk është pushtuar nga turistët në verë dhe ofron peizazhe të bukura natyrore”, thuhet në artikull. Pas Serbisë dhe Malit të Zi, ju ftojmë të zbuloni Shqipërinë, shkruhet më tej.

Vetëm 2 orë nga Parisi me avion, Shqipëria është një xhevahir i vërtetë i panjohur për turistët francezë. Madje, është një vend frankofil ku nuk është e pazakontë të flasësh me banorët (të njohin gjuhën franceze). Por kjo nuk është ky interesi kryesor i këtij destinacioni sekret.
Shqipëria vlerësohet veçanërisht për autenticitetin dhe për mikpritjen e banorëve të saj. Ende e ruajtur nga turizmi masiv dhe globalizimi, ky vend duket si i shkëputur nga historia, sidomos kur zhytet në masivet malore që mbulojnë 70% të territorit të saj. Në mesin e këtyre relieveve, qyteti i vogël i Gjirokastrës meriton të vizitohet. Shtëpitë prej guri dhe fortesa, e meritojnë vendin në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Për ata që pëlqejnë rërën e imët, Riviera Shqiptare është si parajsë. Ju nuk do të gjeni vendpushime të mëdha, por plazhe të bukura dhe pothuajse të braktisura (me kusht që të ecni pak). Ata që kërkojnë rehatinë e një shezlongu me diell, aktivitetet në uje dhe restorantet buzë detit, Ksamili është destinacion që duhet vizituar. Ky fshat i vendosur drejt ishullit grek të Korfuzit është shtëpia e disa prej plazheve më të bukura në vend. Por kini kujdes, sepse popullariteti në rritje i tij tërheq më shumë turistë.

Nëse Shqipëria ju tundon, mos prisni shumë kohë për të blerë biletat tuaja, sepse ajo pritet të bëhet shpejt një destinacion i patjetërsueshëm për turistët europianë./monitor.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme