Google ADS

Media greke i hyn debatit: Rama zgjodhi për Ministër të Jashtëm një 30 vjeçar nga Kosova

13:53 | 7 Janar 2019
Arbresh.info

Në një kohë kur Ministri aktual i Jashtëm Ditmir Bushati ende nuk është shkarkuar me dekret nga Presidenti Ilir Meta, në median greke janë kushtuar artikuj në lidhje me zgjedhjen e Genti Cakajt si Ministri i ri i Jashtëm i Shqipërisë.
Protothema shkruan sot për Ministrin e zgjedhur nga Rama përmes një titulli që lë të kuptojë qëndrimin e gazetës, “Vetëm 30 vjeç dhe kosovar, Ministri i ri i Jashtëm i Shqipërisë”.

Media greke vë në dukje debatin që po zhvillohet në Shqipëri në lidhje me emrin e Cakajt e veçanërisht pikëpyetjet e ngritura nëse ai do të jetë i aftë të përballojë sfidat që i shtrihen para diplomacisë shqiptare për vitin 2019, sfida të cilat janë të shumta.

“Kryeministri Edi Rama vendosi të zëvendësojë Ditmir Bushatin me një kosovar 30-vjeçar. Siç tha vetë kryeministri shqiptar gjatë prezantimit, Gent Cakaj do të jetë figura që do sjellë rinovimin në qeveri. Këshilltari i deritanishëm i Ramës në postin e ri ka ngjallur mjaft debate, pasi janë të shumta zërat që vënë në dyshim aftësitë e tij për këtë post”- shkruan Protothema.

Më tutje artikulli vijon duke ju referuar deklaratave të Ramës më datë 31 dhjetor, ku kryeministri u pyet nga gazetarët në lidhje me mungesën e shpalljes së CV-së së Cakajt. Në përgjigje Rama u shpreh se Genti Cakaj kishte lexuar më shumë libra se ç’kishin thënë fjalë të gjithë gazetarët e pranishëm. Protothema në fund të artikullit rradhit dhe studimet e Genti Cakajt.

“Cakaj ka studiuar në Kosovë, Belgjikë dhe Hungari, ka dy diploma Bachelor dhe tre diploma master në Filozofi, Shkenca Politike dhe Juridik. Para këtij posti ishte ministër plotësues kompetent për BE-në, një arsye që prej shumicës posti i kryediplomatit konsiderohet “mesazh” i Shqipërisë për kthesën europiane të vendit”,- shkruan Protothema.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme