Media gjermane: Alpet Shqiptare, në krye të destinacioneve për t’u vizituar në vitin 2025

20:31 | 27 Shtator 2024
R J

Pas pushimeve verore, rifillon planifikimi. Por, cili është objektivi në listën e udhëtimeve për vitin e ardhshëm? Frymëzohuni nga vende më pak të njohura, shkruan Franziska Kaindl në një artikull të botuar në revistën gjermane “Merkur.de”.

 Për shumë turistë, pushimet verore sapo kanë përfunduar,  por pikërisht në këtë moment dëshira për të planifikuar udhëtimin e radhës është më e madhe. Në fund të fundit, pritjet janë gëzimi më i madh.

Viti i ardhshëm mund të jetë gjithashtu një mundësi për shumë turistë që të provojnë destinacione të reja udhëtimi. Në funksion të protestave kundër turizmit masiv ose vapës së madhe në Mesdhe gjatë verës, turistët mund të jenë të etur për ajër të freskët kur planifikojnë pushimet e tyre.

Platforma online e udhëtimeve “Urlaubspiraten” ju sugjeron tri destinacione udhëtimi që deri më tani janë nën radar:  Alpet Shqiptare, Shqipëri; Laplanda, Finlandë; Galicia, Spanjë.

Jo vetëm bregdetin: vizitoni Alpet Shqiptare

Shqipëria është kthyer në një nga destinacionet më në trend të udhëtimeve gjatë viteve të fundit – dhe vendi mesdhetar konsiderohet si një alternativë më e lirë kundrejt Greqisë.

Përveç bregdetit, pushuesit mund të hedhin një vështrim më të afërt në Alpet Shqiptare, të quajtura Prokletije, ku ndodhen disa parqe kombëtare të rrethuara nga peizazhe mahnitëse.

Një nga parqet më të bukur është Parku Kombëtar i Thethit me ujëvarën e Grunasit.

Por, edhe lugina e Valbonit me lumin me të njëjtin emër, si dhe malet dhe formacionet shkëmbore mbresëlënëse ia vlen të vizitohen.

Gjithashtu, ju rekomandojmë të mos humbisni një vizitë në lumin e Shalës, i cili mund të arrihet me varkë pëmes liqenit të Komanit  shpesh i konsideruar nga ekspertët e udhëtimeve si “Tajlanda e Shqipërisë”. 

Të ngjashme