Plazhe me rërë të bardhë, ujëra bruz dhe temperatura tropikale – nuk është çudi që Maldivet janë një nga destinacionet më të dëshirueshme të pushimeve në botë, shkruan Ellie Hutchings në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Metro”.
Por, destinacionet parajsore kushtojnë, dhe në rastin e këtij destinacioni të Azisë Jugore, çmimet janë shumë të larta. Një javë në një vilë mbi ujë kushton të paktën 2000 paund gjatë pikut të sezonit, i cili zgjat nga dhjetori deri në prill.
Gjithashtu, kohët e fundit fluturimet drejt Maldiveve janë shtrenjtuar – që do të thotë se pasagjerët e klasit ekonomik do të tarifohen me 40 paund vetëm për t’u larguar nga shteti arkipelag.
Vendi ishullor është në rrugën e duhur për të arritur qëllimin e tij për të regjistruar një shifër rekord prej dy milionë turistësh në vitin 2024, ndërsa ai përballet me krizën klimatike.
Rritja e nivelit të detit kërcënon t’i bëjë ishujt të pabanueshëm, që do të thotë se plazhet e bukura, mund të zhduken së shpejti në thellësitë e Oqeanit Indian.
Për të mbrojtur ekosistemin dhe për të mos sforcuar buxhetin tuaj, “Metro” ju rekomandon destinacionet më të mira – të ngjashme me Maldivet – perfekte për turistët që kërkojnë çmime të përballueshme që nuk bëjnë kompromis me bukurinë.
Nga brigjet evropiane te ishujt e largët, këto “arratisje” ofrojnë pamje spektakolare me kosto më të ulëta se Maldivet.
Shqipëria
Shqipëria është quajtur “Maldivet e Evropës”, falë plazheve me rërë të bardhë dhe ujërave pastra kristal përgjatë Rivierës së saj.
Vendi i vogël mesdhetar po zbulohet nga një numër në rritje turistësh që po vërshojnë në rajon.
Akomodimi luksoz është i disponueshëm me një kosto të përballueshme krahasuar me vendpushimet e njohura evropiane.
Apartamentet buzë plazhit mund të merren me qira për më pak se 20 paund nata, ndërsa një vakt i plotë me pije kushton rreth 15 paund.
Fluturimet për në Shqipëri janë gjithashtu jashtëzakonisht të përballueshme. Kompania ajrore “Ryanair” ofron fluturime drejt Tiranës për vetëm 30 paund për një udhëtim kthimi.
E zbuluar përmes videove në TikTok me ujërat e kristalta dhe rërën e bardhë të ndritshme, Shqipëria ofron një shije të stilit të jetesës së Maldiveve, një klimë mesdhetare me temperatura maksimale prej 30 gradë Celcius gjatë muajve të verës.
Riviera Shqiptare është gjithashtu shtëpia e produkteve të shkëlqyera të detit dhe e shumë vendeve kulturore, si vendbanimi historik i Linit – që thuhet se është fshati më i vjetër i banuar i Evropës – dhe Gjirokastra, një qytet malor dhe vend i trashëgimisë botërore të UNESCO-s.
Për të shijuar perëndimin e bukur të diellit mbi detin Jon, vizitoni Kalanë e Lëkurësit pranë Sarandës, ku mund të zbuloni pamjen e bukur të qytetit.
E përditshmja britanike “Metro” ka renditur pesë destinacionet spektakolare bregdetare që janë më të lira se Maldivet:
1-Shqipëria
2-Malta
3-Tajlandë
4-Bali, Indonezi
5-Korfuz, Greqi
Numrat e engjëjve: Çfarë mesazhi kanë për ty?
Rama: Nga 1 janari, faturat e tatimit në pronë dhe mbeturina...
Rama për Veliajn në SPAK: Hetimi nuk të bën fajtor
Tre të lënduar nga aksidenti në “Arbër Xhaferi”, autostrada ...
Izraeli arreston 240 palestinezë, përfshirë mjekë pas bastis...
Rizvanolli i quan “gënjeshtra” pretendimet se pajisjet efiçi...