Me shpejtësi në trotuar, i këput këmbën gruas, arrestohet djali i ish zv-drejtorit të policisë

09:02 | 11 Qershor 2021
Trina Galanxhi

Jehon Breçani, djali i ish-zv/drejtorit të policisë i cili një ditë më parë aksidentoi të renë  Xhesina Gega e cila po ecte në trotuar, duke i këputur këmbën, është arrestuar nga policia. Sipas bluve 24-vjeçarja ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve ndërkohë që materialet në lidhje me këtë ngjarje u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

“J. B., 19 vjeç, pasi ditën e djeshme në rrugën “Xhanfize Keko”, ka aksidentuar këmbësoren shtetasen Xh. G., 24 vjeçe, e cila ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve; Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.

Aksidenti ndodhi rreth orës 19:15, ku makina luksoze nën drejtimin e 19-vjeçarit Jehon Breçani djali i numrit dy të Policisë së Shtetit Erzen Breçani, dyshohet se për shkak të shpejtësisë doli nga rruga dhe përplasi vajzën 24-vjeçare dhe më pas u përplas me një pemë që ishte buzë rrugës.

Përplasja qe aq e fortë sa mësohet se vajza e aksidentuar, pësoi dëmtime të rënda në gjymtyrët e poshtme duke humbur njërën këmbë. 24-vjeçarja për disa minuta qëndroi në trotuar, ndërsa ndihmën e parë e mori nga kalimtarë të rastit të cilët edhe njoftuan ambulancën. /abcnews/

Të ngjashme