Google ADS

Më 4 dhjetor! Meta njofton organizimin e shortit për zgjedhjen e anëtarëve të KED

12:19 | 27 Nëntor 2020
Arbresh.info

Presidenti Ilir Meta njofton se shorti për zgjedhjen e anëtarëve të KED do të bëhet më 4 dhjetor ora 11:00.

Në njoftim thuhet se njoftohet dhe Avokati i Popullit, për të qenë i pranishëm si vëzhgues i të gjithë procedurës së hedhjes së shortit.

KED e re sipas ligjit do të funksionojë në vitin 2021. Ndërkohë që KED aktuale akoma nuk ka e zgjidhur çështjen e zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, ku i institucion prej afro katër vitesh mbetet pa u plotësuar.

KED-ja aktuale do të vijojë detyrën deri më 31 dhjetor.

“Rregullat e hollësishme për hedhjen e shortit janë të miratuara me Vendim nr. 404, datë 25.11.2019, të Presidentit të Republikës, “Për përcaktimin e procedurës dhe rregullave të hedhjes së shortit për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi”.

Në zbatim të nenit 221, të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, të ndryshuar, Gjykata Kushtetuese, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, kanë dërguar pranë Institucionit të Presidentit të Republikës listat me emrat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët plotësojnë kushtet e parashikuara në ligj, për t`u përfshirë në shortin që do të hidhet për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Institucioni i Presidentit të Republikës, në zbatim të pikës 1 dhe 2 të ligjit nr. 115/2016, do të jetë në komunikim zyrtar të vazhdueshëm me institucionet respektive për administrimin e informacionit të azhornuar për të garantuar që, në momentin e hedhjes së shortit në datë 4 dhjetor 2020, ora 11:00, sipas ligjit të përfshihen në short për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, ata magjistratë (gjyqtarë dhe prokurorë) dhe gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, të cilët, plotësojnë kushtet e parashikuara në Kushtetutë dhe në ligj.

Institucioni i Presidentit të Republikës njofton publikisht dhe zyrtarisht Avokatin e Popullit, për të qenë i pranishëm si vëzhgues i të gjithë procedurës së hedhjes së shortit.

Duke mbajtur në konsideratë nevojën për respektimin e protokolleve shëndetësore dhe rregullave për shkak të situatës pandemike Covid-19, Presidenti i Republikës fton Gjykatën Kushtetuese, Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, të jenë të pranishëm në momentin e hedhjes së shortit përmes një përfaqësuesi të caktuar prej tyre.

Procedura e hedhjes së shortit do të jetë publike dhe do të transmetohet live përmes mjeteve të informimit publik, medias televizive, medias on line etj.

Institucioni i Presidentit të Republikës bën me dije se ka parashikuar që, momenti i hedhjes së shortit të ketë mbulimin e nevojshëm mediatik, si dhe ka marrë të gjitha masat që ky proces t’i nënshtrohet plotësisht parimeve të transparencës, gjurmueshmërisë dhe monitorimit, dhe të bëhet e mundur ndjekja live dhe në kohë reale e procesit.

Kjo për të bërë të mundur që ky proces të ndiqet nga të gjithë institucionet, subjektet e interesuara dhe publiku, që për shkak të akteve ligjore në fuqi për shkak të pandemisë, nuk e kanë të mundur ta ndjekin drejtpërdrejtë nga salla procesin e hedhjes së shortit.

Më poshtë gjenden të publikuara:

Vendim nr.413, datë 25.11.2020 i Presidentit të Republikës “Për caktimin e datës për organizimin e procedurës për hedhjen e shortit nga Presidenti i Republikës, për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi që do të funksionojë përgjatë vitit 2021”

Listat paraprake të kandidatëve të dërguara nga Gjykata Kushtetuese, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë;

Rregullore për përcaktimin e procedurës për hedhjen e shortit për zgjedhjen e anëtarëve të KED-së, miratuar me Vendimin nr. 404, datë 25.11.2019, të Presidentit të Republikës“, njofton Presidenca./TCH

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme