Google ADS

Mbyllja e fushatës elektorale në Vlorë, parashikohet pjesëmarrja e 10 mijë qytetarëve

15:47 | 28 Qershor 2019
Arbresh.info

Partia Socialiste ka zgjedhur Vlorën për mitingun përmbyllës të zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit.

Top Channel raporton se shtabi elektoral në fillim të Lungomares është duke vendosur 10.000 karrige.

Synohet një miting përmbyllës elektoral shumë herë më i madh krahasuar me atë të 2017-tës zhvilluar po në këtë qytet.

Vlora është në garë edhe me Elbasanin e Fierin ku janë organizuar mitingje elektorale me një pjesëmarrje të lartë. Ky miting përmbyllës do të nisë në ora 20:00.

Mesazhet e krye socialistit Rama pritet të jenë të njëjta si ato gjatë fushatës elektorale, por me një theks të veçantë tek ftesa për pjesëmarrje.

Në Vlorë socialistët kandidojnë për një mandat të dytë Dritan Lelin përballë të cilit është Valbona Mezi e Bindjes Demokratike.

Mësohet se dega lokale e PD është duke u përgatitur për një anti-miting jo shumë larg perimetrit ku socialistët do të zhvillojnë mbylljen e fushatës së tyre, një fushatë e paprecedentë pas bojkotit të këtyre zgjedhjeve nga PD dhe LSI.

Pavarësisht këtij fakti socialistët për 30 ditë e zhvilluan fushatën e tyre elektorale në të gjithë vendin. Nuk munguan incidentet si pasojë e anti-mitingjeve të mbështetësve të opozitës në disa qytete ku kryeministri shkoi për fushatë.

E premtja me mitingun përmbyllës në Vlorë nis edhe numërimin mbrapsht për socialistët drejt te dielës ku shqiptarët kanë ftuar të zgjedhin qeverisjen e re lokale për 4 vitet e ardhshme.

Ndërkohë në edicionin e lajmeve të orës 15:00 i intervistuar nga Top Channel kandidati i PS për Vlorën, Dritan Leli tha: ” Këtu sot nuk do të jenë 10 mijë njerëz, por shumë më tepër sepse vlonjatët dinë të jenë mirënjohës, të respektojnë ligjin dhe kushtetutën”.

I pyetur se çfarë do realizojë ai në 4 vitet e ardhshme për Vlorën, Leli u përgjigj: Në 4 vitet e ardhshme ka projekte të tjera që i kemi vendosur. Ajo që u kam treguar qytetarëve, është se çdo punë që kemi arritur janë garancia që në 4 vitet që do të vijnë. Do të bëjmë punë më të mira për Vlorën. Me investimet e reja do të bëjmë punë më të mira për komunitetin, por dhe për ata që do të vizitojnë Vlorën”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme