Google ADS

Mbrojtja e Parkut të Vjosës- Plani i Menaxhimit gati për konsultim publik, Rama: Një tjetër hap i rëndësishëm

20:57 | 20 Maj 2024
KRG

Kryeministri  i Shqipërisë, Edi Rama ka bërë të ditur se është hartuar Plani i Menaxhimit për Parkun Kombëtar të Vjosës nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura dhe ekspertët ndërkombëtarë të IUCN.

Përmes një postimi në Facebook, teksa e konsideron një tjetër hap të rëndësishëm, Rama bën me dije se dëgjesat publike do të mbahen në Fier, Vlorë e Gjirokastër më 22 dhe 23 maj.

“Hedhim një tjetër hap të rëndësishëm në mbrojtjen e lumit të Vjosës, i fundmi lum i egër në Europë, ku tanimë është hartuar Plani i Menaxhimit për Parkun Kombëtar si një punë e kujdesshme dhe intensive nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura dhe ekspertët ndërkombëtarë të IUCN, duke qenë GATI për t’u konsultuar në publik.

Është radha e komuniteteve lokale, atyre që jetojnë aty e do t’i gëzojnë të parët frytet e parkut të ri, të bashkojnë zërin në planin për menaxhimin të Vjosës e cila mbrohet si Park Kombëtar në 480 km vijë lumorë, në 12.000 hektarë sipërfaqe, me të tre degët e saj, nga hyrja në territorin e Shqipërisë e deri në grykëderdhje … e për të gjithë ata që i fryjnë një tymi pa zjarr se grykëderdhja e Vjosës është lënë jashtë kufijve të mbrojtjes, e kundërta është e vërtetë, se është dyfish Zonë e Mbrojtur si pjesë e Parkut Kombëtar Lumi Vjosa dhe si pjesë e Peizazhit të Mbrojtur Pishë Poro-Nartë për rëndësinë e jashtëzakonshme natyrore.

Dëgjesat publike për ata që dinë të dëgjojnë do të mbahen në Fier, Vlorë e Gjirokastër më 22 dhe 23 maj”, shkruan Rama.

Të ngjashme