Nga Bujar Nishani
Një krim i rëndë kundër jetës dhe shëndetit të shqiptarëve dhe fëmijëve të tyre ka dalë rastësisht në dritë. Trafikimi dhe depozitimi në territorin e vendit tonë të lëndëve kancerogjene nga vendet e tjera konfirmon pushtetin e mafias dhe krimit të organizuar në Shqipëri.
Trafiku i drogës dhe vrasjet mes bandave të krimit duken si dilentantizëm përballë trafikut dhe hedhjes mes shqiptarëve të helmeve kancerogjene, duke e kthyer Shqipërinë në një gropë vdekjeprurëse për shqiptarët.
Në tetor të vitit 2016 si President i Republikës, i ktheva mbrapsht Parlamentit me dekret, ligjin skandaloz të mbetjeve, një ligj që i hapte rrugën depozitimit në Shqipëri të mbetjeve të rrezikshme për jetën e qytetarëve. Përtej sulmeve ordinere, akuzave të ulta që vinin prej rilindasve ndaj Presidentit të Republikës në atë kohë, më shqetësonte rreziku i madh ndaj jetës së shqiptarëve dhe fëmijëve të tyre. Me gjithë mos dekretimin e atij ligji, rilindasit vazhduan me dhunën e kartonave të manipuluar, rrugën e tyre, duke e futur në fuqi ligjin.
Tashmë këto ditë doli në dritë nga media një rast që besoj se është një pikë uji në det, nga sjellja dhe depozitimi në Shqipëri i mbetjeve kancerogjene. Tentativa për ta varrosur këtë skandal të përmasave jetësore është po aq kriminale sa dhe hedhja e atyre mbetjeve në frymën, gjakun dhe ushqimin e shqiptarëve. Media hesht, e ashtuquajtura shoqëri civile është zhdukur në drejtim të paditur, intelektualët e mbetur fshihen të tromaksur. Ata heshtin, kur në fakt duhet ulëritur.
Ndërkohë çdo ditë, muaj e vit ndotja bëhet më vrasëse ndaj të gjithë neve, ndaj familjeve e fëmijëve tanë. Vdekjet e shqiptarëve nga ndotja e mjedisit janë bërë të frikshme me rritje galopante.
Në Shqipëri vdekjet nga ndotja rezultojnë të jenë dy herë më të larta se në Europë, Sipas të dhënave, Shqipëria është e treta në Europë për nga vdekshmëria nga ndotja e ajrit, pas Bosnjës dhe Bullgaisë. Sipas Raportit të Cilësisë së Ajrit në Europë 2016, në Shqipëri vdiqën prej ndotjes së ajrit 2120 persona.
Në vitin 2013, numri i vdekjeve të shkaktuara nga ndotja ishte 776. Brenda 3 vitesh rritje me 300%.
Imagjinoni sa ka shkuar raporti në 2020, kur është bllokuar çdo lloj informacioni e transparence ?
Sipas të dhënave nga OBSH, Shqipëria renditet e dyta për peshën më të lartë të vdekjeve të shkaktuara nga kanceri i aparatit të frymëmarrjes në Europë, Trafikimi dhe depozitimini mbetjeve kancerogjene në Shqipëri përbën jo vetëm një krim ndaj mjedisit por dhe një krim ndaj njeriut. Shqiptarët përveçse po i përzënë nga vendi i tyre por dhe po i vrasin në vendin e tyre. Trafikimi dhe depozitimi në Shqipëri i mbetjeve kancerogjene është një fakt i shtuar, pse mafia ndërkombëtare financon dhe lobon papushim për mbajtjen në pushtet në forma dhe metoda fashiste të qeverisjes së rilindjes.
Duket se në këto rrethana, sikur fati ynë është i paracaktuar, fataliteti është i vetmi opsion në rrugën tonë, sikur e keqja është e plotfuqishme dhe e pandëshkueshme.
Por jo, kjo nuk është e saktë !
Forca dhe fuqia e qytetarëve është e paimagjinueshme ndaj çdo të ligu sado i fuqishëm që të duket ai.
Mjafton që shqiptarët të vendosin të reagojnë për të mbrojtur, më në fund, jetën e fëmijëve të tyre, jetën e fëmijëve të fëmijëve të tyre, pikërisht këtu, në këtë vend që Zoti e ka bekuar, por që një grup keqbërësish e kanë dhunuar.
Përveç rezultateve negative, Manchester United i del një pro...
Simeone trajneri i muajit në La Liga
ShBA e shqetësuar që KQZ-ja nuk certifikoi Listën Serbe
Nënkryetarit të Kuvendit të Shqipërisë i bie të fikët në pro...
Arteta i shqetësuar pas lëndimit të Sakas, futbollisti prite...
Tensione në protestën e opozitës, shoqërohen në polici katër...