Google ADS

Matës inteligjentë për dritat, si do t’i ‘kontrolloni’ ato edhe nëpërmjet telefonit

09:52 | 15 Shtator 2019
L G

Matësit inteligjentë të energjisë elektrike do t’i japin zgjidhje përfundimtare një prej ankesave më të mëdha të familjarëve mbi faturimet.

Nga zona Kashar-Vorë, ku vijoi projekti pilot i instalimit të tyre, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, foli për benefitet që sjellin matësit e rinj, pjesë e reformës në sektorin energjetik.

“Ky është një sistem i cili nuk lë asnjë rrugë për abuzime, qoftë nga abonenti, por qoftë edhe nga punonjësit e OSHEE-së. Tashmë faturat printohen direkt sipas të dhënave që ky sistem nxjerr. Për më tepër, sistemi i matësve inteligjentë ofron gjithashtu kontrollin e automatizuar për të gjitha problemet gjatë shkëputjes së energjisë elektrike apo rilidhjes së saj nga qendra“.

Instalimi i këtyre matësve bën të mundur përmirësimin e procesit të faturim-arkëtimit si dhe rrit transparencën ndaj klientit për konsumit ditor dhe mujor të energjisë elektrike, duke i ofruar atij mundësinë për të aksesuar në çdo moment dhe kohë reale konsumin në matës nëpërmjet aplikacionit mobile.

Por çfarë përfiton vetë OSHEE-ja nga ky sistem matjeje? Përgjigjen e jep drejtori i OSHEE-së për rajonin e Tiranës, Klevis Jahaj. “Pa diskutim që na ulin kostot operacionale, ulin kontaktet që bizneset kanë me punonjësit tanë, në mënyrë që të shmanget çdo mundësi për abuzim. Ne kemi në çdo minutë, në çdo orë, në çdo kohë të gjithë situatën në kontroll, bashkë me rrjetin e tensionit të ulët dhe atij të mesëm për të parandaluar qoftë mbingarkesat, qoftë defektet që mund të paraqiten aty apo qoftë edhe abuzimet që mund të ndodhin në sistemin matës“.

PROJEKTI

Pas Durrësit, Kasharit e Vorës, ministrja Balluku bëri me dije se sistemi i matësve inteligjentë të energjisë elektrike do të shtrihet në gjithë vendin. “Projekti i Durrësit dhe projekti i Kashar-Vorës, janë dy projektet e para pilot për të vijuar më tej dhe në bashkëpunim me Bankën Botërore për të aplikuar në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë matësit inteligjentë, të cilët kanë të gjitha këto veti të dobishme si për abonentin, ashtu dhe për sistemin e shpërndarjes”.

Matësit inteligjentë bëjnë të mundur matjen e energjisë elektrike në çdo moment, duke i dhënë mundësi Operatorit të Shpërndarjes për një menaxhim më të mirë gjatë periudhave të ngarkesave në rrjet. Nga ana tjetër, ky projekt i mundëson OSHEE-së përmirësimin e procesit të matjes dhe grumbullimit të arkëtimeve, duke reduktuar kostot në terren, si dhe duke rritur saktësinë e faturave.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme