Marrëveshja për emigrantët, Rama: Shtyrja e hapjes së kampeve, çështje e Italisë

09:44 | 24 Maj 2024
K.B

Hapja e qendrave pritëse për emigrantët në Gjadër dhe Shëngjin është shtyrë dhe për kryeministrin shqiptar Edi Rama kjo është përgjegjësi e shtetit italian.

Në një intervistë për “La Repubblica”, Rama theksoi se Shqipëria e ka përmbushur detyrimin e saj duke ofruar disponueshmëri dhe tokë, ndërsa pjesa tjetër i takon shtetit fqinj.

Megjithëse kampi do të hapet pas disa muajsh, Rama u tregua skeptik lidhur me funksionimin e tij. Sipas kreut të qeverisë shqiptare, burokracitë dhe rregullat europiane do ta bëjnë të vështirë menaxhimin.

“Shqipëria ofroi disponueshmëri dhe tokë, por asgjë më shumë. Qendra do të jetë gati për disa muaj gjithsesi, por kjo nuk është asgjë! Problemi do të jetë funksionimi i tij! Dhe do të jetë shumë e vështirë për procedurat: si do të menaxhohen 3.000 persona në 28 ditë me burokracitë italiane dhe rregullat evropiane?” u shpreh Rama.

Kujtojmë se marrëveshja mes Ramës dhe Melonit parashikon që emigrantët, të cilët mbërrijnë në Itali, të kthehen në Shqipëri dhe të qëndrojnë aty derisa vendi fqinj të përcaktojë nëse ata do të kthehen në vendin e origjinës apo do t’u pranohet kërkesa për azil.

Një grup deputetësh të Partisë Demokratike italiane ishin në Shqipëri këtë javë për të parë nga afër zonën ku do të ngrihen dy qendrat e emigrantëve. Ato ishin parashikuar të hapeshin të hënën, më 20 maj, “tani jemi data 22 dhe këtu janë vetëm ruspat,” u shprehën deputetët opozitarë, duke e denoncuar marrëveshjen e dy vendeve si një “dështim elektoral prej 800 milionë eurosh” për kryeministren Meloni./rtsh.al/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme