Shkrimtari i njohur shqiptar, Ismail Kadare, ka zhvilluar një intervistë për median italiane, La Stampa, ku ka prekur disa tema të rëndësishme, kryesisht atë të marrëveshjes mes kryeministrit Edi Rama dhe homologes Giorgia Meloni, për emigrantët.
Kadare tha se nuk i interesojnë këto marrëveshje, duke i konsideruar si “diçka e vogël”, pasi sipas tij, Shqipëria dhe Italia janë dy vende e popuj të bashkuar tashmë.
Pjesë nga intervista:
Çfarë duhet të festojmë?
Kadare: Më 9 nëntor, rënia e Murit të Berlinit. Sot, si tridhjetë e katër vjet më parë, kur u mund komunizmi dhe u kthye ëndrra e lirisë. Edhe nëse politika në përditshmërinë e saj ka qenë dhe është shumë herë anti-evropiane, ne jetojmë në një kontinent evropian të frymës. Marksizëm-leninizmi është mundur, diktatorët dhe autokratët nuk do të fitojnë mbi këtë frymë evropiane.
Ku futet Shqipëria juaj?
Kadare: Jam shumë optimist. Unë gjithmonë pres një ndryshim, një Shqipëri ndryshe dhe besoj se kombi im shumë shpejt do të bëhet më i mirë nga sa mund ta imagjinoj. Ky është momenti ynë, shansi ynë. Ka shqiptarë në udhëheqje dhe qeverisje në disa vende të Ballkanit, nga Kosova në Maqedoninë e Veriut. Ne mbartim me nder mbi supe, në këtë det, traditën letrare më të vjetër në botë, atë latine dhe atë greke, djepin e parë të letërsisë. Ëndrra evropiane e kulturës filloi mes brigjeve tona dhe tuaja. Popujt mund të ndahen ose të bashkohen, por ne tashmë jemi ribashkuar, edhe nëse politika është më e ngadaltë.
Ju jeni sponsori më i mirë i hyrjes së Ballkanit Perëndimor në BE. Pse keni pritur kot 20 vjet?
Kadare: Jeta e përditshme e politikës ka shumë faza. Në Shqipëri ëndrra liberale nuk u shua asnjëherë, as në kohën e diktaturës, kur Enver Hoxha vrau e burgosi armiqtë, pa të keqen që duhej luftuar në europianizëm. Por marksizëm-leninizmi, armiku më i madh i njerëzimit, është mundur.
Rusia e Putinit është larg nga “ëndrra evropiane”. Çfarë menduat kur shpërtheu lufta në Ukrainë?
Kadare: Ishte një turp. Një luftë e re në Evropë për të thyer gjithçka përsëri. Rusia mbeti e ngrirë shpirtërisht në privimin e lirisë.
Ka nga ata që e krahasojnë Putinin me Stalinin. A jeni dakord?
Kadare: Une nuk e di. Por diktatorët janë njerëz të vegjël. Siç them në librin tim të fundit për Pasternakun (i cili do të dalë në italisht në muajt e ardhshëm, në origjinalin shqip titullohet “Kur tiranët grinden”, i përkthyer në anglisht me titullin “Diktatori thërret”), autokratët nuk dominojnë asgjë, dhe herët a vonë bien. Shkrimtarët dominojnë shpirtin e një populli. Pushteti bën vetëm marrëveshje të vogla.
Duke folur për marrëveshjet, çfarë mendoni për atë të parashikuar mes Ramës dhe Melonit për të sjellë emigrantë në Shqipëri?
Kadare: Këto janë gjëra të vogla që ndodhin mes qeverive, nuk më interesojnë ato, protesta dhe lojëra pushteti. Siç thashë, Shqipëria dhe Italia janë tashmë të bashkuar, janë 500 mijë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Itali, shumë italianë janë shpërngulur në Shqipëri, ka martesa të përziera, kompani të mëdha janë krijuar këtu, fëmijët tanë kanë baballarë italianë. Ku qendron problemi? Një marrëveshje?.
A është e drejtë të ndalosh emigrantët jashtë Evropës? A është njerëzore, a është çnjerëzore kjo politikë?
Kadare: Evropa është një lagje e bukur dhe të gjithë duan të vijnë këtu, kjo është normale. Njerëzit kanë lëvizur gjithmonë, që nga kohërat e lashta. Nuk e kuptoj askënd që nuk është dakord.
Për vite e vite keni qenë kandidat për çmimin Nobel, i cili nuk u arrit kurrë. A jeni ende duke pritur për të?
Kadare: Jo, jam i mërzitur. Nuk e kam menduar prej vitesh. Nuk është e rëndësishme për mua si shkrimtar, por për kulturën shqiptare. Më vjen keq për njerëzit e mi që e meritojnë. /Euronews/
Deputetët e Komisionit për Shëndetësi presin në takim presid...
Mblidhen sot katër komisione parlamentare
Harris apo Trump, amerikanët votojnë për presidentin e ri
Osmani merr pjesë në lanisimin e raportit të UNICEF-it mbi n...
Moti për sot në Shqipëri
Vazhdon dëshmin Shukri Buja në Hagë