Marrëveshja për emigracion me Italinë, Rama: Nuk ka pakt të ngjashëm me shtet tjetër, përfshirë Gjermaninë

22:55 | 13 Tetor 2024
E.H

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjatë një interviste për agjencinë “Reuters” nga Berlini ka folur edhe për çështjen e emigrantëve ku ka përjashtuar çdo mundësi që marrëveshja me Italinë të ndodhë me ndonjë shtet tjetër përfshirë këtu edhe Gjermaninë.

Rama ka theksuar se edhe nëse Gjermania gjen ndonjë partner tjetër në rajon do duhet të shihej nëse kjo funksionon në të njëjtën mënyrë.

“Gjermania duhet të gjejë partner tjetër sepse Shqipëria ka lidhje me Italinë dhe Shqipëria nuk mund të bëjë këtë me të gjithë, ndërsa të tjerët mund të përfshihen. Edhe nëse Gjermania gjen një partner tjetër në rajon do të ishte mirë të shihej nëse kjo funksionon në të njëjtën mënyrë. Ajo që do të ndodhë me këto refugjatë apo azilkërkues apo çfarëdo qoftë është se ata nuk do të ndalen në bregun e Italisë, por do të vazhdojnë të ndalen në bregun e Shqipërisë mes Bashkimit Europian dhe Ballkanit dhe duke kuptuar sërish se Ballkani është një vend vërtetë shumë strategjik, shumë i rëndësishëm në atë që mund të bëhet diçka krejt ndryshe”, tha Rama.

Ndërkohë kur mbeten edhe pak muaj nga zgjedhjet e përgjithshme, kreu i qeverisë shfaq hapur objektivin e tij për të kandiduar për një mandat të katërt si kryeministër.

“Plani është të kandidojmë, por e dini ka ende pak kohë për të shkuar atje. Kështu që unë besoj se duhet të kandidoj sepse ka punë për të përfunduar dhe në këto tre mandate ne kemi bërë gjëra të mahnitshme. Tani kemi kapërcyer tavanin e 10 milion turistëve në një vend ku turizmi ishte një ide e mirë dhe nuk ishte realiteti”, shtoi ai./tvklan.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme