Marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë për pensionet, nesër drafti diskutohet në komisione parlamentare

22:41 | 12 Maj 2024
D.H

Marrëveshja me Italinë për njohjen e pensioneve të mbi 500 mijë shqiptarëve do të diskutohet nga e hëna në  komisionet parlamentare.

Komisioni për Politikën e Jashtme, Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut si dhe Komisioni për Ekonominë dhe Financat të Shqipërisë, ka parashikuar të diskutoj nesër Projektligj “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë në fushën e sigurimeve shoqërore”.

Gjithashtu pritet që drafti të diskutohet nga ekspertët në komisionin e ligjeve, të Ekonomisë dhe Financve të Shqipërisë.

Shqipëria dhe Italia firmosën  në 6 shkurt marrëveshjen për njohjen reciproke të pensioneve mes dy vendeve për shtetasit shqiptarë dhe italianë.

Pas firmosjes së marrëveshjes në Romë, ministri i Jashtëm i jashtëm, Igli Hasani tha se ky është një moment i rëndësishëm për të gjithë shqiptarët që kanë kontribuar prej vitesh në Itali, por edhe italianët që punojnë në vendin tonë.

Ky projektligj do të shënojë një pikë të rëndësishme kthese për shpresat e emigrantëve shqiptarë që prej vitesh jetojnë në Itali që të mund të përfitojnë nga njohja e sigurimeve të ndërsjellta.

Marrëveshja do të votohet në kuvend pasi të marrë më herët dakordësinë e disa komisioneve përgjegjëse parlamentare.

Marrëveshja do të zbatohet për sigurim për pleqërinë, invaliditetin, pension familjar (pasjetuesit), sigurim për përfitim për sëmundjet dhe barrë-lindjen dhe sigurim i papunësisë. Nga marrëveshja pritet të përfitojnë rreth 500 mijë shqiptarë që kanë kontribuuar në Itali prej më shumë se 30 vitesh./rtsh.al/

Të ngjashme