Marrëdhëniet me Ramën, Meta: Nuk flas për dashuri në kohën e pandemisë

23:40 | 22 Prill 2020
Arbresh.info

Ditët e fundit është folur për një zbutje të marrëdhënieve mes kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit Ilir Meta. Ky i fundit thotë se ka ushtruar përgjegjësitë e tij si Presidentit dhe se në këtë kohë duhen të jepen mesazhe bashkëpunimi.

“Së pari unë nuk do të doja të flisja për dashuri në kohën e pandemisë. Këtu bëhet fjalë për një ushtrim të përgjegjshëm të përgjegjësive të mia, si kryetar i shtetit. Shqetësimet që kam pasur edhe për këtë situatë i kam bërë në mënyrën e duhur. Kështu që nëse dikush mendon se unë në këtë situatë duhet të vë theksin tek mangësitë nuk mendoj se kjo është rruga më e mirë për të ndihmuar në adresimin e duhur të problemeve dhe po kështu mendoj që ka nevojë për të dhënë mesazhe bashkëpunimi kudo sepse kjo pandemi nuk bën dallime”, tha Meta në një intervistë për emisionin “Opinion”.

Presidenti Ilir Meta tha se masat e marra nga qeveria për parandalimin e koronavirust kanë qenë të domosdoshme. Sipas Kreut të Shtetit, do ishte më e pranueshme shtyrja me 30 ditë e situatës së fatkeqësisë natyrore.

“Këto kufizime kanë qenë një domosdoshmëri. Tani është momenti që të shohim si do të dalim hap pas hapi drejt normalitetit pa cënuar masat e sigurisë, të menaxhimit të pandemisë. Mendoj se kjo shtyrje mund të ishte bërë me një afat përsëri 30 ditor, megjithatë duhet të shoh, dhe vlerësoj argumentet. Një shtyre 30 ditore do të kishte qenë më e pranueshme, megjithatë për të mbajtur një qëndrim zyrtar duhet të shoh arsyetimet”, tha Meta.

Në lidhje me ndryshimet në Kodin Penal, Presidenti Ilir Meta u shpreh se këto ndryshime respektojmë parimet e sigurisë juridike.

“Së pari duhet të kemi parasysh se kishte një boshllëk në Kodin Penal për menaxhimin e një situate të tillë. Nuk duhet të harrojmë që ka një përmbysje nga propozimet, tek ndryshimet e miratuara në kuvend në variantin final. Këto ndryshime u realizuan si pasojë e një bashkëpunimi. Ndryshimet ë bëra respektojmë parimet e sigurisë juridike”, u shpreh Kreu i Shtetit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme