Google ADS

Manjani: Rama ktheu në punë drejtorin e burgut që e shkarkova unë

01:25 | 30 Tetor 2017
Trina Galanxhi

Mes të Drejtorëve të rinj të burgjeve të komanduar nga Ministrja e Drejtësisë pas shkarkimeve masive ra në sy edhe rikthimi i Arjan Hasanit, i cili është emëruar drejtori i ri i burgut të Peqinit.

Hasani ka qenë më parë drejtor burgu në Fier dhe u shkarkua nga ish-Ministri Ylli Manjani pas publikimit në media të një video në të cilën dukeshin të dënuarit në burgun e Fierit, teksa lanin makinën e tij. Vetë Manjani në një intervistë për Ora Neës tha se kjo nuk i la shije të mirë.

Manjani: Nuk kam pasur ndonjë emocion të veçantë, Drejtorët e burgjeve për këtë punë janë, ndryshohen shpesh, është një sektor delikat dhe i lënë shumë pa mbështetje nga qeveria në vite. Po ju them vetëm beteja për uniforma e policëve të burgjeve apo për dietat, trajtimin dhe mënyrën si kontrollohet sistemi i sigurisë është i pafund. Është një sektor që përthith shumë fonde dhe qeveria asnjëherë nuk ka pasur mundësi dhe nuk ka mundësi me sa duket që ti plotësojë ato kushte që duhet ti plotësojë.

Kjo është arsyeja që bëhen ndryshime të shpeshta sepse punonjësit e burgjeve joshen drejt favoreve, ndërtimit të skemave korruptive dhe Minsitrat këtë punë bëjnë.Nuk shoh gjë të veçantë me përjashtim të faktit që sot pasdite media kishte zbuluar rikthimin e dikujt që unë e kam pas shkarkuar për shkak se po mediat kishin zbuluar që të burgosurit i lanin makinën. Nuk më la shije të mirë.Sidoqoftë Ministres për arsye etike i kam uruar suksese dhe vazhdoj ti uroj suksese në detyrë.Është një gocë e re që i duhet lënë koha e nevojshme që të adoptohet në këtë sektor.

Por a e zgjidh qarkullimi i drejtuesve çështjen e sigurisë në burgje? Për Manjanin jo. Ai e sheh problemin tek mungesa e një skeme të sigurt që vjen nga sistemi i drejtësisë në terësi, në mënyrë të veçantë nga ndjekja penale.

Manjani: Nuk është ky çelësi është diçka tjetër, njëherë nuk është kapur demi nga brirët dhe kjo është arsyeja që vinë vërdallë me hiq dhe vër njerëz.Nuk jemi në gjendje të ndërtojmë një skemë të sigurtë që vjen jo vetëm nga autoritetet e burgjeve por nga sistemi i drejtësisë në terësi, në mënyrë të veçantë e ndjekjes penale, reformë e cila nuk u bë asnjëherë.Reforma që sapo kemi mbyllur pothuajse nuk e ka prekur fare sistemin e ndjekjes penale ose e ka prekur në ato pjesë që nuk ka ndryshuar asgjë në thelb. Ne kemi sot edhe pas reformës në drejtësi një sistem që shton në mënyrë artificiale prezencën e personave në dhomat e paraburgimit.

Shqipëria është ndër vendet e rralla që ka më shumë të paraburgosur sesa të burgosur në sistemin peripeciar. Duhet të jetë e kundërta. Burgu është ndërtuar për të izoluar njerëzit që dënohen jo njerëzit që presin të dënohen. Kjo është një histori që shkon përtej administratës së burgjeve dhe Ministrisë së sotme të Drejtësisë e cila ka vetëm një rol, roli kodifikues i shtetit, që për shkak të ndërhyrjes dhe konceptit shumë agresiv të kryeministrit Rama besoj që ka ardhur duke u shuar dhe kjo është një problem shumë i madh.Ministri i Drejtësisë është përgjegjës për kushtetuetshmërinë e vendimmarrjes së qeverisë. Nëse një qeverie i rrëzohet vendimi për çështje kusshtetuese, Ministri i Drejtësisë është përgjegjës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme