Google ADS

Mandatet, Benešík-Ruçit: Qëndrimet e opozitës jo pozitive

15:33 | 21 Shkurt 2019
Arbresh.info

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, priti sot delegacionin e Komisionit për Çështje Europiane të Dhomës së Deputetëve të Republikës Çeke, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri. Në takim ishte i pranishëm edhe Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi vlerësoi ndjenjat e miqësisë midis të dy popujve si edhe nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve e bashkëpunimit politik dhe parlamentar midis të dy vendeve.

Këto u rikonfirmuan edhe nëpërmjet mbështetjes së Republikës Çeke për procesin e integrimit europian gjatë vendim-marrjes së Komisionit dhe Këshillit Europian për caktimin e datës së hapjes së negociatave me Shqipërinë. “Përvoja juaj, nënvizoi Ruçi, është një model i shkëlqyer i bashkëpunimit midis të gjitha forcave politike për përshpejtimin e procesit të integrimit. Aktualisht, Kuvendi i Shqipërisë po punon për realizimin e tri prioriteteve kombëtare: kurorëzimin e reforms në drejtësi, përfundimin e reformës zgjedhore dhe hapjen e negociatave të pranimit në qershor të këtij viti. Për të tri këto objektiva, bashkëpunimi, ndihma dhe inkurajimi i Republikës Çeke është shumë i rëndësishëm, duke pasur parasysh zërin e fortë të Republikës Çeke në Bashkimin Europian”.

Kryetari i Kuvendit informoi kolegët çekë edhe mbi zhvillimet e fundit politike në Shqipëri dhe vendimin e deputetëve të opozitës për “djegien” e mandateve parlamentare. “E përjetojmë me shqetësim këtë veprim të paprecedentë sepse asnjëherë opozita nuk ka pasur në Kuvendin e Shqipërisë ato hapësira dhe ato instrumenta që gëzon sot, si për procesin legjislativ, ashtu edhe për kontrollin parlamentar të qeverisë. Opozita është sovrane në vendimet e veta, të cilat ne nuk do t’i dëshironim kurrë, por për këto veprime përgjegjësia është tërësisht dhe vetëm e saj.”

Kryetari i Komisionit për Çështje Europiane të Dhomës së Deputetëve të Republikës Çeke, Gramoz Ruçi, vlerësoi ndjenjat e miqësisë, vullnetin për bashkëpunim si edhe qëndrimin e Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi. “Shumica e anëtarëve të delegacionit që janë në këtë takim i takojmë opozitës. Por ne vlerësojmë se qëndrimet e opozitës shqiptare nuk janë pozitive për Shqipërinë. Opozita është në të drejtën e saj të kërkojë të ndryshojnë shumë gjëra, përfshirë edhe ndryshimin e qeverisë, por kjo duhet të arrihet duke përdorur instrumentet kushtetuese dhe denokratike. Dhe fusha e betejës së opozitës është vetëm në parlament”. Deputetët çekë vlerësuan arritjet e mëdha e të dukshme të Shqipërisë në rrugën e reformave, sidomos reformën në drejtësi. “Ky vlerësim nuk vjen vetëm nga Republika Çeke, por nga Komisioni Europian. Ne të gjithë jemi të vendosur të vazhdojmë ta mbështesim Shqipërinë për hapjen e negociatave në qershor të këtij viti. Sepse stabiliteti dhe prosperiteti i Shqipërisë do të thotë stabilitet dhe prosperitet i Ballkanit dhe stabiliteti dhe prosperiteti i Ballkanit do të thotë stabilitet dhe prosperitet i të gjithë Europës”./balkan web

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme