Manastirliu: Vaksina e vetmja armë për t’u mbrojtur, mos neglizhoni dozën e tretë

12:30 | 27 Nëntor 2021
A. B.

Nga qendra shëndetësore e Vorës, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale së Shqipërisë, Ogerta Manastirliu apeloi qytetarët të vaksinohen sa më parë kundër Covid-19.

Duke folur për rëndësinë e vaksinimit, Ministrja e Shëndetësisë tha se faktet tregojnë se të shtruarit që aktualisht janë në spital, janë kryesisht të pavaksinuar.

“Vaksinimi është e vetmja armë që ne kemi për të kufizuar përhapjen e pandemisë dhe sigurisht për të shmangur format e rënda të sëmundjes apo fatalitetet. Ashtu sikurse po shihen edhe nga të dhënat që ne kemi nga spitali Infektiv, mbi 94% të rasteve të shtrimeve me komplikacione janë ata të cilët nuk janë vaksinuar. Është një infektim i rasteve të pa-vaksinuara, pra i pa-vaksinuarve quhet epidemia e të pa-vaksinuarve në fakt sepse është aty ku po shohim një përhapje të gjërë të virusit. Dhe për këtë arsye nevojitet një sensibilizim i shpejtë”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu apeloi edhe për vaksinimin kundër gripit, për të përballuar sa më mirë sezonin e dimrit.

“Për sa i përket vaksinave të gripit ne kemi ecur me ritme të mira. Janë më shumë se 140 mijë vaksina gripi të kryera deri më tani në të gjitha qendrat shëndetësore dhe ambulancat ku kryhet ky vaksinim kundër gripit sezonal. Ajo çfarë na pret përpara është sezoni i dimrit. Ndaj duhet të sigurojmë që të gjithë ata qytetarë që janë me sëmundje bashkëshoqëruese dhe që janë grupmosha +60 vjeç të mundet të vaksinohen menjëherë me vaksinën e gripit, sikundër vaksina kundër Covid-19 është një detyrë e personelit shëndetësor për të vazhduar dhe për t’u marrë me shumë seriozitet me çdo familje”, tha Manastirliu.

Në të gjithë vendin vijon vaksinimi kundër Covid-19 në qendrat shëndetësore do ditë të javës, për çdo qytetar mbi 16 vjeç si dhe për fëmijët 12-15 vjeç, sipas rekomandimit të mjekut. Deri tani janë kryer 2,088,394, teksa janë mbi 60 mijë qytetarë që e kanë kryer edhe dozën e tretë të vaksinës. /tch/

Të ngjashme