Profesor Moikom Zeqo ndjehet shumë i ligështuar për mosçeljen e negociatave të Shqipërisë me BE-në.
Megjithëse ai është shumë koshient që politika e brendshme ka shumë gjynahe ndaj popullit të vet, ai e shtron diskutimin në një tjetër nivel, duke u shprehur me bindje se ne e meritonim çeljen e negociatave me bashkësinë europiane.
Për të refuzimi me këmbëngulje nga ana e Macron është thjesht dhe vetëm çështje gjeopolitike, pasi Europa, sipas tij, i është kthyer traditës së vjetër.
Ai më tregon se Shqipëria asnjëherë nuk ka qenë e zgjedhura e Francës për aleate, përkundrazi, historia tregon që megjithëse ka patur krerë të shtetit francez që e kanë dashur Shqipërinë, në momente vendimtare politike i janë kthyer traditës së vjetër dhe aleatit të tyre, Serbi.
Me profesor Moikomin jemi takuar tek Friend’s Book House, paraditen me diell të së shtunës, një ditë pasi Këshilli Europian dështoi të merrte nje vendim për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Tek ngjisim shkallët për t’u rehatuar në një qoshk të katit të dytë për të biseduar, i ndiej frymëmarrjen e rëndë prej sëmundjes dhe një kollë që e bezdis herë pas here.
I them se kanë rënë virozat e stinës, për të mos e vënë në siklet që të flisnim për sëmundjen e tij që e mundon prej disa vitesh.
Por profesori nuk e ka kompleks, përkundrazi. Kështu e thyem akullin për të ngrohur bisedën.
Dhe gjithë kohës më qëndronte si çekan në kokë një pyetje aq retorike, sa edhe ulëritëse që nuk ia gjen kurrë përgjigjen: “Si ka mundësi që vendi ynë ka një traditë të tillë që i lufton njerëzit e mençur, fisnikë, të përgatitur e të mirë që japin për vendin e vet maksimalisht, duke u udhëhequr vetëm nga idelaet dhe kur ka mundësi t’i ndihmojë, i injoron, kurse të tjerëve është gati t’u japë edhe një jetë të dytë?!”
Pavarësisht se profesor Moikomi është në vështirësi shëndetësore dhe gjatë bisedës sforcohet për të dhënë më të mirën e eksperiencës së tij në artikulim të mendimeve, ai më thotë se vazhdon të lexojë si përherë, të shkruajë dhe të ofrojë mendimet e tij edhe në shtypin e përditshëm.
Ai nuk është fort optimist për ndryshimin e vendit. “Moj bijë, as për brezin tënd nuk ka shpresë”, më thotë duke vijuar mendimin se “ky vend 5 ministra idealistë kërkon dhe ndryshimi vjen i menjëhershëm, sepse vend i vogël jemi”.
Profesor Moikomi mendon se edhe fitorja e Vetvendosjes në Kosovë mund të ndikojë pozitivisht në ndryshimin kulturor të të bërit politikë në Shqipëri pa korrupsion duke thënë se politikanët shqiptarë që prej ’90”-s kanë qenë diletantë dhe aspak profesionistë.
Për të kjo është shprehur edhe në rastin më të fundit të Shengenit Ballkanik ku është përjashtuar Kosova.
Megjithatë, pavarësisht kusureve tona, thotë profesor Moikomi, e premtja nuk duhet të kishte qenë një ditë refuzimi ndaj shqiptarëve që tashmë vend i NATO-s, aspirojnë Europën prej 26 vjetësh, teksa vende të ngjashme me ne janë aderuar në bashkësinë europiane brenda 10 vitesh nga hapi i parë i procesit.
Profesor si kanë qenë marrëdhëniet Francë-Shqipëri në një periudhë më të gjerë historike se pas viteve ’90”? Çfarë i ka karakterizuar ato?
Po të bësh një historik të kohërave, ka subjekte dhe materiale të çuditshme në marrëdhëniet mes Francës dhe Arbërisë në Mesjetë. (se kështu quhej në atë kohë Shqipëria).
Në shekullin e XIII anzhuinët francezë, Karli i Madh Anzhu krijoi “Regnum Albania”, mbretërinë shqiptare me kryeqytet Durrësin më 1272. Ishte një ngjarje, e cila ka studimet e veta, janë botuar nga studiues francezë, nga studiues shqiptarë jo ndonjë botim i veçantë. Kjo është një dukuri se si në mesjetë u krijua një Mbretëri shqiptare nga francezët për interesat e tyre, për të tejkaluar në Lindje. Kjo i përket mesjetës.
Për sa u përket kohërave moderrne, që me Lidhjen e Prizrenit (1878), diplomacia franceze ka qenë kundër shqiptarëve.
Më 1913-ën kur përcaktohet pjesa e territorit shqiptar, Shqipëria e sotme në hartën e vet quhet Shqipëria londineze për shkak të Kongresit të Londrës. Diplomacia franceze ka qenë pro sllave. Tradicionalisht francezët kanë qenë me atë që quhet Jugosllavia e Jugut.
Sllavët e Jugut u quajtën Jugosllavë dhe në Beograd sot është një statujë e madhe kushtuar Francës, e cila bëri të mundur ekzistencën e Jugosllavisë. Është e drejta e tyre, por kjo është për të treguar se sa kanë qenë ata të lidhur tradicionalisht. Pse? Arsyet janë gjeopolitike. Meqënëse në shek XX Gjermania, Austro-Hungaria ndjente një lloj rreziku nga sllavët, krijuan një gjeopolitikë dhe patën një qasje proshqiptare, prandaj dhe konsulli hungarez Johann Georg von Hahnqe studioi për Shqipërinë, dhe krijoi një degë të re që u quajt Albanologjia. Pse ndodhte një gjë e tillë? Për shkak edhe të Francës. Sepse në kuadrin e rivalitetit midis Francës dhe Gjermanisë ka qenë edhe zgjedhja e aleatëve.
Kurse Franca në të kundërtën ishte pro sllavëve. E çuditshme është vendimi i sekretares amerikane të shtetit, Madeleine Albright që konferenca e Rambujesë u bë në Francë. Pse u bë në Francë? Sepse Franca qe tradicionalisht një aleate e madhe e Serbisë. Në atë kohë Milloseviçi donte të bënte një Jugosllavi të re. Dihet genocidi që u bëri shqiptarëve të Kosovës, ndërsa gjysmë milion shqiptarësh kosovarë erdhën në kufijtë e Shqipërisë.
Konferenca e Rambujesë qe një përpjekje e diplomacisë amerikane dhe asaj europiane në një kështjellë franceze për një shtet, i cili kishte simpati për Serbinë. Në atë konferencë ishin ftuar edhe përfaqësuesit e Kosovës; Rexhep Qosja, Ibrahim Rugova, Hashim Thaçi, që përfaqëosnte UÇK në atë kohë. Dihet që këta ishin për një marrëveshje paqësore. Marrëveshja e Rambujesë qe e tillë, që nëse Serbia nuk firmoste, NATO-ja kishte të drejtën e sulmit mbi Serbinë.
Më 1999 ndodhi sulmi, Përgjithësisht mediet botërore mbajtën qëndrim të drejtë, të cilin e quajtën sulm mbi një shtet që kishte bërë një genocid mbi shqiptarët, pa harruar edhe genocidin e ndodhur në Srebrenicë, Bosnje.
“Presidenti francez i asokohe, Zhak Shirak, i cili i ka dashur shqiptarët, që më 1968 ka bërë edhe festimin e 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut dhe ka urdhëruar edhe emërtimin e një sheshi të madh në Paris “Gjergj Kastriot Skënderbeu”, të cilin unë e kam parë. Por qe jo shumë optimist për sulmin e NATO-s mbi Serbinë”, -Zeqo
Pati zëra edhe nga intelektualët francezë kundër këtij sulmi.
Presidenti francez i asokohe, Zhak Shirak, i cili i ka dashur shqiptarët, që më 1968 ka bërë edhe festimin e 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut dhe ka urdhëruar edhe emërtimin e një sheshi të madh në Paris “Gjergj Kastriot Skënderbeu”, të cilin unë e kam parë. Por qe jo shumë optimist për sulmin e NATO-s mbi Serbinë.
Çështje gjeopolitike. Kurse presidenti tjetër Sarcozy ishte plotësisht pro shqiptar. Është i famshëm veprimi i tij kur shkoi në një klasë të një shkolle dhe i tregoi një nxënësi hartën dhe shtetin më të ri në Europë që ishte Kosova.
Tani të kalojmë në kohën e sotme.
E kam ndjekur dinamikën e politikës europiane të BE-së dhe jam shumë i prekur që Macron mbajti një qëndrim të tillë. Pavarësisht se situata politike në Shqipëri nuk është në atë nivel që duhet, fakti që Gjermania si shteti kryesor në BE, ishte dakord për çeljen e negociatave, mendova që edhe Franca do të ishte më tolerante, por Macroni për shkak të një protagonzimi të tij të tepruar, pasi Franca nuk është një zë i barazvlefshëm, do të ndihet. Ai ka nisur të artikulojë edhe se si duhet të jetë një BE e ardhme. Pavarësisht se nuk pati një argument të fort përveç azilantëve, mbajti këtë qëndrim, i cili u kritikua edhe nga shumë bashkëpunëtorë të BE-së, si Cipras, kryeministri italian, etj.
Sepse duke mbajtur këtë qëndrim, dekurajon qoftë Shqipërinë, qoftë ndonjë vend tjetër ballkanik siç është Maqedonia e Veriut dhe nuk krijon një hapësirë perspektive.
Nuk besoj që pjesa më e madhe që pranoi për negociata paska një qëndrim jo aq kriticist ndaj Shqipërisë së sotme politike. Ata mund ta kenë, por këtu bëhet fjalë për bashkësi shtetesh që kanë votën e tyre në BE. Pse vota e Francës, Hollandës, Danimarkës dhe e Spanjës qe kaq e dallueshme? Nuk jam në gjendje ta kuptoj.
Për ju frika e Macronit për çështjen e azilantëve është diçka reale, apo pas saj fshihet politika dhe gjeopolitika?
Moikom Zeqo
Për mua është thjesht gjeopolitikë. Nuk është se ka azilantë vetëm Shqipëria. Të gjithë vendet europiane kanë azilantë, Spanja, Italia, Polonia. Nuk është teza e azilantëve e vërteta.
E dyta, Shqipëria pavarësisht parametrave që ka, ka një përparësi në raport me shtetet e tjera se është anëtare e NATO-s.
Nëse Mali i Zi që sapo është bërë anëtar i NATO-s, aspiron për BE-në, nuk ka të drejta superiore krahasimisht me Shqipërinë për në bashkësinë europiane.
Ta shohim në një këndvështrim tjetër, në këto momente a është gati BE të zgjerohet dhe të pranojë në gjirin e saj vende si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut?
” NUK E DI SI DO TË JETË E ARDHMJA E EUROPËS, POR NËSE NE QË KEMI 30 VITE QË ASPIROJMË EUROPËN, FATKEQËSISHT U ANASHKALUAM EDHE KËTË VIT, PAVARËSISHT GJYNAHEVE QË KEMI NE TË QEVERISJES SONË. POR KËTO NUK JANË GJYNAHE TË NDRYSHME NGA SHTETE TË TJERA QË JANË SOT NË BE”, – ZEQO
Kam lexuar një bibliotekë të tërë me libra për BE-në. Kur lexoja librin e Anthony Giddens për të ardhmen e BE-së, nuk e besoja BREXIT, largimin e Britanisë së Madhe nga BE. Më dukej utopike ajo që shkruante Giddens. Por ja që ndodhi. Nuk ndodhi nga një anëtar dosido, por nga një anëtar që ka një peshë më të madhe se edhe vetë Gjermania e Franca.
A do të ketë të ardhme BE si një organizim i përbashkët, nuk e parashikoj dot. Por duke lexuar fjalimet e Macron, shoh një protagonizëm pak të tepruar për të ardhmen e BE-së.
Nuk e di si do të jetë e ardhmja e Europës, por nëse ne që kemi 30 vite që aspirojmë Europën, fatkeqësisht u anashkaluam edhe këtë vit, pavarësisht gjynaheve që kemi ne të qeverisjes sonë. Por këto nuk janë gjynahe të ndryshme nga shtete të tjera që janë sot në BE.
Cilat janë këto gjynahe profesor Zeqo, ato detyra shtëpie që ne duhet t’i kryejmë në radhë të parë për vete e mandej për të qenë pjesë e BE-së?
I vetmi gjynah është situata e sotme politike. Politika është një qarkullim juridik. Do të thotë që partia fituese dhe ajo që është në opozitë, veprojnë në bazë të një qarkullimi juridik.
Qarkullimi juridik ka vetëm një rregull; zgjedhjet. Qeveris ai që ka numrin më të madh. Ky qarkullim juridik u shkatërrua që në momentin që opozita hodhi tutje titujt juridikë, mandatet, pra. Kjo është një shkelje e pashembullt. Kjo rrjedh nga ndryshimet e kobshme të vitit 2008 kur kryetarët e partive kanë të drejtën prej monarku të bëjnë listat. Këta listën mund ta bëjnë e ta çojnë për të votuar, por pas votimit, këta deputetë që kanë marrë titujt juridik të deputetit i ka votuar një elektorat. Ti nuk mund të bësh një heqje kolektive të titujve pa pyetur këtë elektorat që e ka votuar. Kjo çoi në një ndërprerje të komunikimit juridik e çoi gjithashtu në zgjedhje ku mori pjesë vetëm një parti.
A ka një zgjidhje? Po ka; të bëhen zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe ato lokale dhe të ndreqet ky qarkullim juridik.
Çfarë humbëm ne nga mosçelja e negociatave?
Ne kemi humbur që, kemi 26 vjet që aspirojmë për t’u futur në BE dhe jemi më të vonuarit nga të gjithë. Shtetet e tjera vetëm për 10 vite janë futur në BE. Ky qëndrim ndaj Shqipërisë më duket i tepruar, në rastin konkret nga Franca.
Si e parashikoni të ardhmen afatmesme në lidhje me zhvillimet e brendshme në Shqipëri me fokus aspiratën drejt BE-së?
Do të ndodhë diçka e ngjashme me Hungarinë. Idea sovraniste që quhet, që japin më shumë prioritet lidhjes kombëtare se asaj me BE-në. Kryeministri i Hungarisë e thotë haptas këtë gjë. Ka shumë mundësi të ndodhë një qëndrim ballkanik kundër BE-së.
Për shembull takimi mes tre shteteve; Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë për Shnegenin Ballkanin tingëllon si qëndrim sovranist në raport me BE-në.
Sipas jush, në këtë rast a nuk është përjashtuar Kosova? Ne si Shqipëri nuk kemi arritur të eliminojmë barrierat tregtare me Kosovën, si do të arrijmë deri te Shengeni Ballkanik?
Për mendimin tim është bërë gabim. Duhej bërë ndryshe, Shqipëria dhe Mali i Zi duke qenë në NATO kishin më tepër të drejtë për të bërë një organizim se sa u bë me Serbinë, e cila nuk është në NATO dhe Maqedoninë e Veriut e cila është një shtet që përbëhet nga dy komunitete të mëdha; maqedonas dhe shqiptar. Nuk duhej në asnjë rast dhe mënyrë që Shqipëria të merrte pjesë në një takim të tillë pa patur parasysh Kosovën.
Mund të bëhej me Kosovën dhe Malin e Zi. Fakti që nuk u bë as me Malin e Zi që është vend i Natos, as me Kosovën, për mendimin tim është një veprim jo i zgjuar nga politikanët shqiptarë.
Ka qenë një sjellje impulsive apo e mirëmenduar për interesa të caktuara?
Unë e kam kritikuar klasën politike shqiptare si klasë parapolitike. Këta politikanë që kanë qenë këto 30 vite kanë qenë injorantë në politikë, jo profesionistë. Për mua është shprehje e një diletantizmi politik se sa profesionalizmi politik. Nuk di, janë politikanë që nuk e njohin politikën dhe mburren se bëjnë politikë. Politika është profesionale, vetëm diletantizmi mund të bëjë që të zgjidhet si ministër i jashtëm një djalë që nuk i ka fare parametrat për të qenë Ministër i Jashtëm. Këto janë diletantë. Pse bëhen gjëra të tilla? Nuk jam në gjendje ta shpjegoj.
Fitorja e Vetvendosjes në Kosovë dhe krijimi i asaj partie në Shqipëri sipas jush, a nënkupton projektin e Shqipërisë së Madhe?
Jo, nuk do të thotë. Albin Kurti që unë e njoh, është i vetmi politikan i ditur dhe i pakorruptuar në të gjithë klasën politike në Shqipëri e Kosovë.
Unë mendoj që ata mund të sjellin një frymë të re në politikë, sidomos kundër korrupsionit dhe të një niveli më të lartë kulturor të politikës. Sepse politika duam nuk duam ne, është edhe kulturë, edhe shkencë dhe kjo mund të ndikojë edhe në Shqipëri pozitivisht.
Mosçeljen e negociatave të Shqipërisë me BE-në kryeministri Edi Rama, ia faturoi presidentit francez Macron. Jemi mësuar ne që fajet t’ia faturojmë tjetrit?
Unë e kam kritikuar shpesh kryeministrin Rama. Në rastin konkret gabimi është i Macronit. Se si e artikulon Rama për të bërë politikën e brendshme në Shqipëri, ajo çështje nuk më intereson shumë. Në rastin konkret nuk duhej që Franca të manifestonte një jo skepticizëm, se mund të thuash një po dhe të kesh parasysh edhe këtë edhe këtë, siç e bëri Gjermania. Ai ishte qëndrim antishqiptar. Është sabotim i një vendi që e mertion pas 26 vjetësh të futet në BE. Këtë e them si shqiptar.
Që të jesh me Serbinë është të mos njohësh as Kosovën e të jesh kundër Shqipërisë. Europa është kthyer në traditën e vjetër, i është kthyer gjeopolitikës. Pas Merkelit do mbetet ai, Macroni. Protagonizmi i tij do të thotë që aspiron të jetë zëri i BE-së. Kjo tregon që edhe ai është mburravec si shqiptarët.
Mospërfshirja në listë për zgjedhje, Aliu: Vendim është i im...
Der Spiegel: Kosova ka humbur rreth 12 për qind të popullsis...
Samiti i BE-së: Miliarda ndihmë shtesë për Ukrainën
Përurohet rruga Nacionale N2 Prishtinë – Mitrovicë
Pyetja që i ‘djegu’ Xhenetës, si reagoi ajo në darkën e të n...
Mujka: Dëmi i shkaktuar nga sulmi në kanalin e “Ibër-Lepenci...