Makina godet kalimtarët, dy të vdekur

12:53 | 24 Shkurt 2018
Arbresh.info

Një tjetër aksident i rëndë automobilistik ka përgjakur rrugët në vend. Mëngjesin e kësaj të shtune, dy persona të së njëjtës familje kanë mbetur të vdekur, ndërsa është plagosur një fëmijë, që ndodhet në Spitalin e Durrësit jashtë rrezikut për jetën.

Ngjarja e rëndë ndodhi te kryqëzimi i Malit të Robit, në aksin rrugor Plepa-Kavajë. Një automjet ka goditur për vdekje nënën dhe gjyshin e fëmijës 8-vjeçar.

Sipas burimeve nga policia, viktimat janë identifikuar si shtetasit Xhemal Pisku dhe Edlira Pisku, vjehërr e nuse, me banim në Golem e origjinë nga Berati. Familja Pisku kishte dalë buzë rrugës për të gjetur e udhëtuar me një nga autobusat që lëvizin çdo ditë përgjatë këtij aksi drejt Jugut të vendit.

Policia ndaloi drejtuesen e mjetit që shkaktoi aksidentin dhe po punon për zbardhjen e plotë të tij. Siguria e këmbësorëve në këtë rrugë është e ulët edhe për shkak të mungesës së stacioneve për autobusat ndërqytetas.

Tri net më parë, një tjetër aksident i rëndë automobilistik ndodhi në autostradën Tiranë-Durrës, në afërsi të Maminasit. Dy persona, një taksist dhe pasagjerja e tij, humbën jetën pas goditjes së fortë që morën nga një tjetër automjet, që lëvizte me shpejtësi në autostradë./TopChannel

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme