Pas përgjumjes më shumë se njëvjeçare, Partia Demokratike më në fund do të provojë veten. Opozitarët do të dalin sot në shesh për t’i bërë me dije qeverisë se qytetarët janë lodhur nga keqqeverisja e majtë dhe për të testuar elektoratin e djathtë, e kjo katër muaj para zgjedhjeve.
Një ditë para protestës, krahas dhjetëra të rinjve, drejtuesve të lartë të PD-së, në zyrën qendrore të “selisë blu” në mesditë është parë të futet dhe ish-deputeti i PD-së, Mark Marku së bashku me Agron Gjokmarkajn, dhe ish-këshilltari i Berishës, Neritan Sejaminin, shenjë kjo që tregon se Basha ka hapur partinë, pasi vitet e fundit si Marku dhe Sejamini kanë kritikuar ashpër ish-kreun demokrat.
Axhenda
Për tu kthyer te protesta e sotme, ajo është vendosur të mbahet nga demokratët në orën 12:00, ndërsa kohëzgjatja, ose thënë më mirë fundin e saj e kanë në dorë qytetarët. As vetë kryetari i demokratëve nuk është i qartë se kur do të mbarojë, pasi në axhendën që i ka shpërndarë drejtuesve të protestës nuk ka asnjë vendim të qartë në qoftë se do të qëndrojë në shesh apo do t’ia lërë momenteve të fundit nisur edhe nga pjesëmarrja e qytetarëve. Rreth orës 11:30 të së shtunës, Basha i shoqëruar nga një grup të rinjsh do të marshojë drejt pedonales “Murat Toptani”, për t’iu bashkuar protestuesve në bulevard përpara Ministrisë së Brendshme dhe më pas për tu zhvendosur bashkë me ta drejt Kryeministrisë. Është parashikuar se në protestë do të ketë rreth 10 folës, ku mesazhin e fundit politik do ta mbajë vetë kryetari Lulzim Basha.
Në protestën e PD-së do të marrin fjalën artistë, intelektualë, dhe aktivistë nga shoqëria civile, ndërsa opozita do të marrë fjalën vetëm kreu i PD-së. Burime brenda PD-së sqarojnë se skenari për të qëndruar në shesh për shumë orë është opsion i mundshëm në rast se prania e qytetarëve është e madhe. Pas fjalimeve politike, fjalimi i fundit do të jetë i Bashës, kryetari i PD-së do t’u kërkojë protestuesve të qëndrojnë në shesh dhe të mos largohen deri kur të plotësohet kauza për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kjo sipas burimeve të PD-së mund të arrihet vetëm duke ushtruar presion dhe protestuar derisa kryeministri Rama të pranojë një qeveri teknike, e cila do të përgatisë zgjedhjet. Deputetët në qarqe po shpërndahen në zonat ku janë caktuar për të organizuar autobusët që do të sjellin protestuesit në Tiranë.
Organizimi
Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, dje takoi aleatët, ndërsa në një deklaratë për shtyp tha se 18 shkurti është dita e ndryshimit për shqiptarët, duke theksuar se bashkë me qytetarët do të marrë një vendim të madh, por pa specifikuar se për çfarë bëhet fjalë “Do t’i tregojmë çdo shqiptari dhe botës mbarë, e cila do të jetë me sytë te ne, dhe do na mbështesë, dhe bota demokratike po na mbështet për fitoren e kauzës së drejtë të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Të vijnë me gratë, me të rejat, me të rinjtë, me familjet. Ne do të jemi me familjet tona. Do të jetë një protestë madhështore, do të jetë një bashkim madhështor dhe të gjithë së bashku do të hapim një derë të re për Shqipërinë tonë dhe për jetën e çdo shqiptari”, tha kryetari i Partisë Demokratike, duke shuar çdo lloj dyshime se protesta e sotme mund të jetë e dhunshme.
Provokimi
Caktimi i orës 16:00 si përfundimin e protestës nga policia, ka irrituar kryetarin Basha. Mësohet se në kërkesën e saj drejtuar policisë, Partia Demokratike e ka lënë të papërcaktuar orarin e përfundimit të tubimit. Duke folur për zgjatjen e protestës, Basha i dërgoi një mesazh policisë: “Policia i ka marrë mesazhet. Po ia përsëris edhe sot, të mos bie pre e asnjë manipulimi politik, të mos provokojë, përndryshe do të përballet me pasojat e sjelljes provokative.
Por jam i bindur se e nesërmja do të jetë një festë gjigante demokracie, shprehja më e drejtpërdrejtë e vullnetit të qytetarëve për t’i dhënë fund të keqes, për të marrë së bashku një vendim të madh nesër për zgjedhje të lira dhe të ndershme, që do ta marrim së bashku aty, të gjithë së bashku, të gjithë qytetarët”, tha kryetari Basha. Nisur nga informacionet se mund të ketë provokime dhe Kryeministria mund të sulmohet me sende të forta, hyrja e institucionit është mbuluar. Por, burime nga Kryeministria pohojnë se mbulesa e zezë është vendosur me qëllim mirëmbajtjen e veprës së artit, neonit në hyrje të godinës. Kujtojmë që në protestën e opozitës në 17 dhjetor 2015 neoni në hyrje të godinës së qeverisë u thye pasi u qëllua me sende të forta.
Protesta e PD-së, Lulzim Basha merr mbështetje nga kongresmeni i SHBA
Kryedemokrati përcjell mesazhin e përkrahjes që i është paraqitur nga Kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme për Europën, Kongresmeni Dana Rohrabacher, për protestën e sotme. “Të dashur bashkqytetarë, Nga Kongresi i Shteteve te Bashkuara mua dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë na vjen ky mesazh përkrahje përpara protestës së nesërme nga Kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme për Europën, Kongresmeni Dana Rohrabacher”, shkruan kryedemokrati Basha, ndërsa përcjell edhe mesazhin e marrë.
Kongresmeni thotë se mbështesin fuqimisht përpjekjet e qytetarëve shqiptarë në betejën e tyre të drejtë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. “I dashur Lulzim, Ne mbështesim fuqimisht përpjekjet e qytetarëve shqiptarë dhe betejën e tyre të drejtë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Populli shqiptar duhet ta dijë se do të ketë gjithmonë mbështetjen tonë në kauzën e tij për liri dhe demokraci, shtet të së drejtës dhe liri njerëzore. Përzemërsisht, Dana Rohrabacher”.
Policia e Shtetit në gatishmëri për të shmangur incidentet gjatë protestës
Të gjithë efektivët e Policisë së Tiranës do të aktivizohen gjatë protestës që do të zhvillohet ditën e sotme nga Partia Demokratike. Nuk bëhet e ditur një numër i saktë i efektivëve që do të qëndrojnë në mbrojtje të godinës së Kryeministrisë por, burimet thanë se vëmendja do të jetë e gjitha aty. Kjo për të shmangur ndonjë incident të mundshëm gjatë tubimit që do të kryhet.
Po ashtu, një numër i konsiderueshëm i punonjësve të policisë do të qëndrojnë përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, aty ku do të jetë edhe prania e protestuesve. Sakaq, një rol të rëndësishëm ka edhe Policia Rrugore, të cilës do t’i duhet të devijojnë trafikun që do të krijohet si pasojë e bllokimit të disa akseve në kryeqytet. Mësohet se ditën e sotme nuk do të ketë tolerim, por policet femra, të cilat mësohet se do të jenë në gatishmëri të plotë gjatë fillimit të protestës, zhvillimit dhe përfundimit të saj.
Ndërkohë, burime nga policia thanë se nëse do të ketë veprime të dhunshme gjatë zhvillimit të protestës, do të bëhet edhe ndërhyrja e efektivëve të RENEA-s dhe FNSH-së, të cilët gjithashtu do të qëndrojnë në gatishmëri të plotë. Madje, gatishmëria e punonjësve të policisë mësohet se fillon që në orët e para të mëngjesit të sotëm dhe do të përfundojnë kur turma e njerëzve të shpërndahet plotësisht. Disa rrugë janë bllokuar, ndërsa trafiku do të devijohet nga Policia Rrugore, e cila do të jetë e gjitha në gatishmëri deri në përfundim të protestës.
Ja rrugët që bllokohen dhe oraret
Si rrjedhojë e marshim- protestës së PD-së, do të ketë bllokime të pjesshme të trafikut në segmentet rrugore: Kryqëzimi i Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, me Bulevardin “Zhan D’Ark”, Kryqëzimi i Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, me Bulevardin “Bajram Curri”. Si dhe ndalohet parkimi dhe qarkullimi i të gjitha kategorive të mjeteve në segmentet rrugorë: Nga kryqëzimi i Rrugës “Myslym Shyri” me Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” deri tek kryqëzimi i Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” me rrugën “Ismail Qemali”, nga ora 12:00 deri në orën 16:00. Policia e Tiranës ka marrë të gjitha masat për sigurinë e protestës. Kërkojmë bashkëpunimin organizatorëve për mbarëvajtjen e saj dhe mirëkuptimin e të gjithë qytetarëve gjatë kohës së zhvillimit të protestës.
SHBA: Protesta e PD-së mund të ketë konfrontime dhe dhunë
Ambasada amerikane në Tiranë lajmëron qytetarët e saj të bëjnë kujdes e të mos u afrohen zonave të përcaktuara të protestës, një ditë para protestës së PD kundër qeverisë. Me anë të një postimi në faqen zyrtare të Ambasadës, ajo njofton orarin e mbajtjes së protestës, vendin para kryeministrisë ku do stacionohen protestuesit, sinjalizon se mund të zgjasë deri në mbrëmje dhe bën apel se edhe protestat më paqësore mund të kthehen në konfrontuese. “Ambasada SHBA informon qytetarët amerikanë se nesër zhvillohet një demonstratë kundër qeverisë shqiptare planifikuar për 18 shkurt, 2017. Demonstruesit kanë planifikuar të mblidhen duke filluar në orën 11:00 paradite, në një vend në afërsi të Parkut Rinia përgjatë Bulevardit Dëshmorët e Kombit. Demonstruesit pritet të vazhdojnë deri në Bulevardin Dëshmorët e Kombit në drejtim të Zyrës së Kryeministrit.
Demonstrata aktualisht është planifikuar nga ora 12:00. në 4:00 të darkës, por mund të shtrihet në pasditen e vonë dhe në mbrëmje. Ambasada e SHBA nuk është në dijeni për ndonjë kërcënim të veçantë kundër qytetarëve apo interesave të SHBA-së. Ambasada kujton qytetarët e SHBA-së se edhe demonstratat dhe ngjarjet e mëdha të destinuara të jenë paqësore mund të kthehen në konfrontuese. Shmangni zonat e demonstrimeve, dhe bëni kujdes, nëse në afërsi të vendit të tubimit, protestës apo demonstratës. Tubimet e mëdha publike mund të ndikojnë në qarkullimin të gjitha arteriet kryesore hyrëse të qytetit në të cilën ato ndodhin. Demonstratat në një qytet kanë potencial që të çojnë në mitingje të tjera publike apo demonstrata në vende të tjera rreth qytetit dhe vendit”, thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane.
Njëqind vjet më parë u ndërtua autostrada e parë në botë, a ...
Apple do ta mbajë kamerën telefoto periskop ekskluzivisht pë...
Rrëzimi i avionit në Lituani ngre dyshime se mund të jetë i ...
Ismajli vazhdon paraqitjet e jashtëzakonshme në Serie A
“M’ka pshtu nga goja”, Edi bëhet pishman për ofendimet ndaj ...
Sara: U bëra akull, sepse nuk e prisja nga Driloni