LSI përdor të njëjtën shifër si Berisha: 75% e qytetarëve nuk e votuan Ramën

14:54 | 11 Korrik 2017
Arbresh.info

Lëvizja Socialiste për Integrim është në të njëjtën linjë me ish kryeministrin Berisha për numrin e qytetarëve që nuk e votuan Edi Ramën në 25 Qershor.

Nënkryetari i LSI-së, Luan Rama tha në përfundim të një mbledhje të kryesisë së kësaj force politike se LSI do të mbrojë interesin e 75% të qytetarëve që nuk e votuan Rilindjen.

“E kemi vënë theksin te krijimi i një fronti kombëtar opozitar. Përballë është një pushtet i dalë nga paratë e pista të krimit dhe të drogës, të cilat dominuan mbi alternativat dhe ballafaqimin e tyre. LSI si një forcë që në themelin e vet ka dhe do ketë vlerat e humanizmit, do vazhdojë të jetë me qytetarët në mbrojtje të interesit publik për të qenë realisht zëdhënëse shprese dhe mbrojtëse e interesit të më shumë se 75% të qytetarëve të këtij vendi: pra të të gjithë atyre që kanë votuar kundër Rilindjes, apo me mospjesëmarrjen e tyre kanë shprehur abstenimin ndaj mënyrës se si është qeverisur vendi”, tha Luan Rama.

Sipas tij “ne me shumë seriozitet po ristrukturojmë të gjithë skemën tonë të organizimit. Është për të ardhur keq që ajo që ne paralajmëruam po konfirmohet edhe me sjelljet e fundit në KQZ. Janë shfaqur raste konkrete të vjedhjes së votës. E gjitha kjo është një njollë e madhe turpi për procesin, edhe për ata të verbër që nuk kanë sy të shohin edhe pas dokumentimit me pamje filmike të rasteve skandaloze të vjedhjes së votës. Kryesia e emëroi në detyrën e kreut të grupit parlamentar Petrit Vasilin, duke përcaktuar edhe raportin e bashkëpunimit mes strukturave të partisë dhe grupit”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme