Llalla shpërthen ndaj Lu-së: Boll më, po dhunon ligjet shqiptare!

19:36 | 14 Prill 2018
Arbresh.info

Pas disa ditësh në heshtje, ish-Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, ka reaguar ditën e sotme lidhur me akuzat për korrupsion që janë bërë në drejtim të tij nga ambasadori amerikan në vendin tonë, Donald Lu.

Duke theksuar se nuk është i përfshirë në asnjë rast në afera korruptive, Llalla thotë se për asnjë moment nuk ka qenë kundër Reformës në Drejtësi, madje ka punuar që ajo të bëhej.

Por nga ana tjetër, ish-kreu i akuzës shqiptare shprehet se nuk ka qenë dakord për mënyrën se si Lu është përpjekur për të ndikuar në Administratën e Drejtësisë, duke hedhur baltë ndaj të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve, transmeton Express.

“Akuzat e Ambasadorit Lu janë pa bazë dhe do të provohen të pavërteta nëse do të paraqiten përpara çdo gjykate. Përfitoj nga mundësia për të ripërsëritur në mënyrë të qartë dhe të prerë se unë kam mbështetur dhe vazhdoj të mbështes Reformën në Drejtësi në Shqipëri. Unë mbështes çdo reformë që i shërben interesave të popullit shqiptar duke garantuar një sistem të pavarur drejtësie dhe ndarje të pushteteve. Por unë jam kundër çdo përpjekjeje për ta vendosur drejtësinë shqiptare nën ndikimin e kujtdo—qeverisë, partive politike, oligarkëve, apo interesave kriminale dhe të biznesit. Natyrisht, kurdo që ka qenë e nevojshme unë kam dhënë këndvështrimin tim për propozimet konkrete gjatë hartimit të reformës. Qëndrimet e mia kanë reflektuar gjithmonë shqetësimin tim të thellë për detyrimin tim si Prokuror i Përgjithshëm për të siguruar se prokuroritë vazhdonin të luftonin krimin dhe korrupsionin edhe gjatë kohës që hartohej reforma dhe për të ruajtur moralin e shumë prokurorëve dhe punonjësve publikë që janë të ndershëm dhe të pa korruptuar.”, -shprehet Llalla në një reagim për mediat.

Për Adriatik Llallën, sjelljet e ambasadorit Donald Lu janë të papranueshme, që sipas tij, jo vetëm është përpjekur herë pas here për të ndikuar në Administratën e Drejtësisë, por ka hedhur akuza të forta ndaj tij për korrupsion.

Llalla është i kujdesshëm kur thotë se punën e tij si kryeprokuror e gjykojnë qytetarët, por ama shprehet me bindje se nuk është i përfshirë në asnjë aferrë korruptive apo që ka abuzuar me detyrën.

Ai thotë se Lu po bën edhe prokurorin edhe gjyqtarin, duke dalë publikisht dhe duke thënë për të se është në hetim apo madje duke shkuar edhe më tej, shpalljen e tij fajtor.

“Natyrisht, është e drejta e publikut të shqyrtojë dhe gjykojë punën dhe arritjet e mia si Prokuror i Përgjithshëm, por unë nuk kam ndërmarrë kurrë asnjë hap apo veprim kundër reformës në drejtësi, nuk kam abuzuar kurrë me detyrën dhe nuk jam përfshirë kurrë në veprime korruptive.

Sulmet personale të Ambasadorit Lu janë të papërgjegjshme dhe të papranueshme. Për mua është e vështirë të kuptoj se si një ambasador i huaj mund të pretendojë të ketë dijeni për një hetim të supozuar nga autoritetet e vendit pritës.

Ambasadori Lu jo vetëm që e ka futur veten e tij në procese hetimore vendase, por ai i ka dhënë vetes të drejtën të sillet si prokuror, gjykatës dhe juri duke shpallur publikisht se unë jam nën hetim dhe pastaj duke më shpallur të fajshëm dhe me çfarë duhet të dënohem, pa patur asnjë provë dhe pa asnjë proces të rregullt.

Fatkeqësisht, qëndrimi ndaj meje është një tjetër rast në vazhdën e përpjekjeve të vazhdueshme të Ambasadorit Lu për të ndikuar administratën e drejtësisë në Shqipëri, ndër të tjera duke sulmuar në mënyrë arbitrare të gjithë prokurorët, përfshi prokurorët e ndershëm dhe të devotshëm të cilët rrezikojnë çdo ditë jetën e tyre për të luftuar trafikun e drogës dhe korrupsionin politik.”, -vazhdon me tej Llalla.

Në fund, ish-kreu i organit të akuzës për disa vite thotë se ambasadori amerikan ka shkelur si ligjet shqiptare dhe po ato ndërkombëtare me deklarata dhe veprimet e tij, ndërsa i ka bërë thirrje që të ndalojë së abuzuari me pushtetin e tij duke ndërhyrë në administrimin e sistemit të drejtësisë shqiptare.

“Sjellja e Ambasadorit Lu është shtrembërim i diplomacisë dhe dhunim i hapur i ligjve shqiptare dhe atyre ndërkombëtare. Është momenti që Ambasadori Lu të ndalojë së abuzuari pushtetin e tij duke ndërhyrë në administrimin e sistemit të drejtësisë shqiptare.”, -përfundon reagimin e tij ish-Kryeprokurori i Përgjithshëm.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme