Live nga Kongresi i CDU-së, Basha tregon se çfarë diskutoi me përfaqësuesit e politikës gjermane

13:11 | 23 Nëntor 2019
Arbresh.info

I gjendur në Kongresin e CDU-së në Lajpcig, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha realizoi një lidhje direkte në Facebook.

“Ju përshëndes nga Lajpcig ku ndodhem në ditën e dytë të Kongresit të partisë sonë simotër, të CDU-së së Angela Merkelit. Gjatë ditës së djeshme, kam patur rastin të bisedoj me disa nga figurat drejtuese të CDU-së, me emra të njohur, kontribues të jashtëzakonshëm për Shqipërinë; si dr. Johann Wadephul, dr. Gunther Krichbaum, drejtuesit e ekipit ekonomik në Bundestag dhe në partinë tonë simotër. Gjatë ditës së sotme, pres të takohem me kryetaren e partisë dhe ministren e Mbrojtjes Annegret Kramp-Karrenbauer. Në fokus të bisedave ka qenë, së pari, çështja e integrimit europian të Shqipërisë, pra, hapja e negociatave. Kam falënderuar CDU-në gjermane për qëndrimin, për hapjen rrugë të mocionit të Bundestagut, planit me 9 pika dhe udhërrëfyesit për nxjerrjen e Shqipërisë nga kriza”, u shpreh Basha.

Më tej shtoi:

“Kam kërkuar vazhdimin e kësaj mbështetje, çka më është konfirmuar këtu nga të gjitha takimet që kam patur në Lajpcig me përfaqësuesit më të lartë të politikës gjermane në Berlin, por edhe me përfaqësuesit në Bruksel, në veçanti me David Mc Allister, kryetarin e Apelit të Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentin Europian dhe me figura të tjera të rëndësishme eurodeputetë, eurodeputete, parlamentare, ministra të qeverisë federale. Ata kanë ritheksuar mbështetjen pa kushte për Shqipërinë, për shqiptarët në rrugëtimin drejt Bashkimit Europian dhe për planin e Bundestagut dhe, natyrisht, mbështetjen për opozitën, për Partinë Demokratike, partinë e tyre simotër, për të cilën u kam shprehur mirënjohjen time më të thellë. Dua të ndaj me ju të dashur miq edhe një lajm tjetër të mirë. Gjatë ditës së djeshme dhe gjatë ditës së sotme, ka qenë në fokus plani ekonomik i Partisë Demokratike që, siç e dini, është hartuar me ndihmën e ekspertëve më të mirë të kristiandemokratëve gjermanë, të partisë dhe Fondacionit Conrad Adenauer. Ne vazhdojmë bashkëpunimin me ta, në veçanti, përsa i përket investimeve gjermane në fushën e teknologjisë, investimeve gjermane në Shqipëri, ku ambicia jonë është që, përmes ofertës së qeverisë së ardhshme të demokratëve dhe fuqisë së kapitalit dhe inovacionit të fuqisë gjermane, edhe Shqipëria të përfitojë dhjetra mijëra vende pune të sektorit të teknologjisë dhe informacionit. Gjithçka ndodh që edhe Shqipëria, njësoj si vendet e tjera të rajonit, në veçanti Serbia, të jetë në gjendje të krijojë dhjetëra mijëra vende pune me paga të mira për rininë shqiptare në veçanti.”

Për ta përmbyllur me:

“Jam shumë optimist nga kontaktet këtu në Lajpcig, siç edhe me përfaqësues të qeverisë, por edhe përfaqësues të sektorit të industrisë dhe teknologjisë gjermane, mund të them me siguri të madhe se nga Lajpcig do të kthehemi sot me zemrën plot, besoj edhe me duart plot, sa i përket planit për ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza ekonomike dhe për ta futur Shqipërinë në rrugën e zhvillimit ekonomik, me investime gjermane, me investime europiane me vende pune dhe teknologji të përparuar.”/TCH

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme