Ka një rënie të numrit të moshës së viktimave të trafikimit kohët e fundit. Kështu shprehet prokurori Naim Tota në librin “Trafikimi i qenieve njerëzore” botim i UETPRESS.
“Çështja e Trafikimit të qenieve njerëzore është një shqetësim i hershëm i njerëzimit, me të cilën sistemi i drejtësisë përballet çdo ditë në të gjithë botën.
Naim Tota ka arritur të sjellë për herë të parë një studim të hollësishëm për këtë çështje në një libër, duke bërë një skaner të asaj çfarë ka ndodhur me këtë fenomen në Shqipëri pas viteve 90-të”, shprehet Alda Bardhyli. “Prirja më shqetësuese kohët e fundit është pikërisht ulja e moshës mesatare të viktimave të krimit të trafikimit në shumë vende, prirje kjo që çon drejt rritjes së moshës së fëmijëve viktima.
Trafikantët po përdorin për prostitucion fëmijë gjithmonë e më të vegjël, sepse klientët besojnë që seksi me fëmijë pakëson rrezikun e marrjes së sëmundjeve seksualisht të transmetueshme”, shkruan Tota. Sipas tij, “Procesi i rekrutimit pasohet pikërisht nga faza e transportimit dhe të transferimit, të cilat nënkuptojnë strehimin dhe pritjen e viktimës nëpër një numër pikash gjatë gjithë procesit, duke përfshirë pritjen e parë dhe transferimin e viktimës brenda vendit të saj të origjinës. Ajo mund t’u nënshtrohet abuzimeve të rënda të të drejtave të saj humane dhe abuzimeve fizike gjatë udhëtimit.
Trafikimi nuk nënkupton zhvendosjen e viktimës domosdoshmërish përtej kufijve ndërkombëtarë. Një prirje e kohëve të fundit është edhe hasja më e shpeshtë e trafikimit të brendshëm, domethënë, e trafikimit të qenieve njerëzore për qëllimet e shfrytëzimit brenda territorit të të njëjtit shtet. Trafikantët i zhvendosin viktimat e tyre për t’i larguar nga komunitetet e tyre, larg familjeve dhe miqve me të cilët ata janë afër dhe i izolojnë në një vend, i cili mundëson të fitojnë dhe të ruajnë sa më të fortë që të jetë e mundur kontrollin e tyre mbi viktimat.
“Transportimi i grave dhe vajzave jashtë kufijve është një aspekt thelbësor i trafikimit ndërkombëtar. Në pjesën më të madhe të rasteve, të rekrutuarit bien dakord me trafikuesit në lidhje me sigurimin e dokumenteve dhe transportimin. Kjo i jep trafikuesit një nivel të lartë kontrolli gjatë fazës së transitit. Në vijim, trafikimi ndërkombëtar njerëzor ka linjat e tij të shtrirjes gjeografike, duke qenë se ky krim është i mirorganizuar”, thotë Tota, duke bërë një grafik të linjave kryesore botërore të transportimit të qenieve njerëzore.
Sipas Totës, qytetet më të prekura në Shqipëri si rrjedhojë e këtij trafiku janë: Tirana, Vlora, Berati, Kuçova, Skrapari, Puka dhe Lezha. Gjithashtu, rrugët për realizimin e trafikimit janë rrugët detare, ajrore, tokësore.
Linja Ndërkombëtare:
1.Linja e Balltikut. Duke filluar nga Rusia dhe shtetet e Detit Baltik, nëpërmjet rrugës tokësore drejt brigjeve, duke vijuar në rrugë ujore për në vendet Skandinave.
2.Linja e Europës Veriore. Nëpërmjet Europës Lindore nga Polonia, Hungaria dhe Republika Çeke, në fillim në Gjermani dhe pastaj në gadishullin Skandinav.
3.Linja e Europës Qendrore. Nga shtetet e Europës Qendrore duke përdorur rrjetin shumë të mirë të autostradave dhe linjat për distanca të largëta të autobusëve, për të hyrë më pas në Austri dhe Italinë e Veriut.
4.Linja e Ballkanit Qendror. Nga vendet e Kaukazit, të Azisë dhe të Europës Lindore, nëpërmjet vendeve të Ballkanit Qendror, nëpërmjet Hungarisë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
5.Linja e Ballkanit të Jugut. Nga vendet e Kaukazit, të Azisë dhe të Europës Juglindore nëpërmjet Moldavisë, Rumanisë, Bullgarisë dhe Shqipërisë, për të hyrë në vendet e Bashkimit Europian nëpërmjet Italisë dhe Greqisë.
6.Linja jugore. Nga Afrika Perëndimore nëpërmjet Algjerisë dhe Marokut, mes përmes ngushticës së Gjibraltarit në rrugë ujore dhe pastaj për në Portugali e Spanjë.
7.Linja perëndimore. Nga Amerika Qendrore dhe Jugore për të hyrë në Bashkimin Europian nëpërmjet gadishullit Iberik. Kjo linjë përdoret gjithashtu edhe si etapa e fundit e udhëtimit të emigrantëve që mbërrijnë me rrugë ajrore nga Lindja e Largët, Afrika dhe Amerika e Jugut.
Ndërsa linjat e trafikimit të lidhura drejtpërdrejt me Shqipërinë janë:
1.Ukrainë – Jugosllavi – Kosovë – Shqipëri
2.Beograd – Bosnjë ̶ Mali i Zi – Shqipëri
3.Rumani – Serbi – Kosovë – Shqipëri
4.Kosovë (ose Bosnjë) – Shqipëri
5.Kosovë – Shqipëri – Greqi
6.Bullgari – Shqipëri ose Kosovë – Shqipëri
Nga ana tjetër, linjat kryesore të trafikut të brendshëm janë:
1.Kosovë – Mali i Zi – Liqeni i Shkodrës – Tiranë – Vlorë ose Durrës – Itali
2.Mali i Zi – Liqeni i Shkodrës – Tiranë – Elbasan – Korçë – Greqi
3.Pogradec – Elbasan – Vlorë ose Durrës – Itali
4.Tiranë – Gjirokastër ose Sarandë – Greqi – Itali
5.Nëpërmjet Aeroportit të Rinasit
Më tej Tota shpjegon rrugët nga bëhet ky trafik. Rruga detare mbetet rruga kryesore për realizimin e këtij trafiku. Duke përjashtuar lundrimin me gomone, për këtë trafik janë përdorur edhe mjete lundruese private të tonazhit të mesëm, të cilët ngarkojnë klandestinët në kalatat e porteve, në pikat natyrore të fshehta dhe shpesh në det të hapur në varësi të kushteve klimatike, mjeteve disponibël, situatës operative të forcave të rendit, raportit kërkesë-ofertë etj. Rruga ajrore i referohet Aeroportit të Rinasit, ku hyjnë nëpërmjet linjave ajrore ndërkombëtare, klandestinë kurdë, arabë, kinezë, të cilët punojnë në Shqipëri në firma të ndryshme për një periudhe 2 – 3-mujore, kohë e mjaftueshme kjo për të siguruar pagesën e udhëtimit. Në mjaft raste në këtë trafik kanë qenë të implikuar edhe punonjës nga Komisariati i Rinasit, të cilët i nisnin femrat për në Vlorë dhe më pas në drejtim të Italisë.Rruga tokësore përfaqëson pikat e kalimit kufitar tokësor ose rrugët e tjera, duke shmangur këto pika kufitare. Rrugët tokësore përfaqësojnë itinerare si:
Mali i Zi ̶ Malësi e Madhe ̶ Shkodër, e më pas Shëngjin, Vlorë, Durrës, Fier, Tiranë me destinacion përfundimtar Italinë
Kosovë ̶ Kukës e më pas Durrës, Tiranë, Vlorë e Itali
Maqedoni ̶ Qafë-Thanë, Bllatë, Tushemisht e më pas Tiranë, Fier, Vlorë, Itali
Maqedoni ̶ Liqeni i Ohrit ̶ Korçë e më pas Fier, Vlorë e në fund Itali
Shqipëri ̶ Mali i Zi ̶ Kroaci e më pas drejt Italisë ose Austrisë
Rrugët e hyrjes së klandestinëve të huaj në drejtim të Vlorës me destinacion përfundimtar Italinë janë:
Nga Mali i Zi nëpërmjet kufirit me Malësinë e Madhe dhe Shkodrën;
Nga Maqedonia nëpërmjet doganës së Qafë-Thanës, Tushemishtit, Bllatës, si dhe nëpërmjet liqenit të Pogradecit.
Sipas Totës, ulja e emigracionit legal në Europë dhe në Amerikën e Veriut ka dhënë kontributin e tij në lindjen e tregut të zi për aktivitetet e emigrimit. Në këtë mënyrë, edhe shtetasit shqiptarë kanë kërkuar rrugë të shpejta për të arritur mirëqenien, përfshirë rrugët e trafiqeve të jashtëligjshme që tejkalojnë brigjet adriatike. Këto trafiqe kanë qenë dhe janë vepër e kriminalitetit të organizuar ndërkombëtar (Gjiri Persik, Amerika e Jugut, Rusia, Iraku, Turqia, Italia), kryesisht të mafies italiane, në bashkëpunim të ngushtë me klanet kriminale shqiptare (mes të cilëve “Zani” në Vlorë, “Kakami” në Elbasan, “Gaxhaj” në Cërrik) etj.”
Trafikimi i njerëzve ka tërhequr vëmendjen e autoriteteve të caktuara, sidomos ato të shoqëruara me incidente. Shembuj të tillë janë fundosja në Kanalin e Otrantos e anijes shqiptare “Kater i Rades” e cila u godit nga anija ushtarake italiane “Sibilla” me 28.03.1997, tragjedia e dytë e Otrantos datë 12.03.2002 etj. Vlerësohet se 60% deri 90% të emigrantëve ilegalë sot janë ndihmuar nga grupet e organizuara për të udhëtuar në Europë. Ekzistojnë gjithashtu vlerësime, sipas së cilave numri i plotë i njerëzve të trafikuar shkon në rreth 2 milionë në vit”, shkruan Tota.
Serbët pro pjesëmarrjes në zgjedhjet e 9 shkurtit
Rashiq nuk pret asgjë nga takimi i radhës në Bruksel
Ish-legjenda e Liverpoolit e sulmon Salah: Egoist, dihet që ...
Gjenerallejtënant Jashari, uron “Ditën e Forcës- Ditën e Ush...
Formacionet/ Slovan Bratislava – Milan, Leao në bankë
Osmani në Senatin e Kolumbisë, diskuton për bashkëpunimin nd...