Google ADS

Ligji i mediave, pushteti akuzon opozitën

17:41 | 12 Qershor 2018
Arbresh.info

Qeveria akuzon opozitën se me anë të amendamenteve të panevojshme po e pengon miratimin e Ligjit të mediave.

Në gjashtë seancat e para të Komisionit parlamentar për Transport dhe Lidhje, janë shqyrtuar vetëm 7 amendamente, ndërsa pa prekur mbesin edhe 67 të tjera të cilat sipas ministrit të shoqërisë informatike, Damijan Mançevski do të duhej edhe dy vite e gjysmë deri sa të shqyrtohen të gjitha.

“Apeloj që Komisioni për Transport dhe Lidhje në Parlament, me të cilën kryeson VMRO-DPMNE-ja, të punojë pa ndalur dhe çdo ditë deri sa të përfundojë debati dhe të shqyrtohen të gjitha amendamentet. Qëllimi i VMRO-DPMNE-së është që me çdo çmim ta vazhdojë mandatin e anëtarëve të Agjencisë së Medieve dhe RTVM-së. Pjesa dërmuese e anëtarëve janë anëtarë dhe funksionar partiak, apo këshilltarë në kabinetin e Gruevskit” – deklaroi Damijan Mançevski, Ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës.

Nga VMRO-DPMNE-ja thonë se Mançevski me këtë apel po i bën presion institucionit ligjvënës. Me këtë ligj, opozita thotë se LSDM-ja dëshiron që të ketë kontroll të plotë mbi trupat e pavarur të medieve.

“Komisionet parlamentare punojnë me dinamikë të rregulluar e cila siguron diskutim cilësor që do të sjell tekst më të mirë të ligjit. Në këtë drejtim janë edhe amendamentet e VMRO-DPMNE-së. Përveç asaj, amendamentet përmbajnë zgjidhje cilësore të cilat e përmirësojnë tekstin e Ligjit dhe që nuk ia mundësojnë Qeverisë që të ketë kontroll të plotë partiak mbi trupat e pavarur. Nëse VMRO-DPMNE-ja do të dëshironte të bllokojë ligjin, nuk do të përpilonte 60 amendamente” – thanë nga VMRO-DPMNE

Me hyrjen e Ligjit në fuqi, anëtarëve aktual të këshillit të RTVM-së dhe Agjencisë së Medieve automatikisht u skadon mandati, anëtarë këto të zgjedhur në kohën e qeverisjes së VMRO-së e për të cilët nga LSDM-ja thonë se janë politikisht të punësuar dhe të njëanshëm në vendime. LSDM-ja përmes propozim-ligjit të mediave kërkon debat publik për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Agjencisë së Mediave dhe të RTVM-së, gjë që kundërshtohet fuqishëm nga VMRO-DPMNE-ja. Dallime mes shumicës dhe opozitës ka edhe në pagën e paraparë për anëtarët e rinj të këtyre dy institucioneve./Alsat-M

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme