Google ADS

Liderët botërorë urojnë Metën për 105 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë

17:09 | 28 Nëntor 2017
Arbresh.info

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka marrë mesazhe të shumta urimi me rastin e 105-vjetorit të Festës së Pavarësisë dhe Ditës së Flamurit, nga homologë e Krerë Shtetesh të vendeve mike të Shqipërisë.

Në mesazhin e tij Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ndër të tjera thekson se, “dy kombet tona kanë zhvilluar një bashkëpunim të thellë që na ka lejuar të punojmë së bashku për të trajtuar çështje me rëndësi globale. Ju falënderojmë për rolin tuaj si partner vendimtar në promovimin e qëndrueshmërisë rajonale dhe luftën kundër ekstremizmit, si dhe mbështetjen tuaj anembanë botës, si një Aleat i NATO-s dhe vend anëtar i koalicionit për Shkatërrimin e ISIS-it”.

Ndërsa, Presidenti Italian Sergio Mattarella, në mesazhin e tij të urimit shpreh ndër të tjera se: “Takimi i frytshëm dhe intensiv që kemi pasur me rastin e vizitës suaj të fundit në Romë, ka konfirmuar më tej statusin e shkëlqyer të marrëdhënieve midis vendeve tona, forcën e lidhjeve të miqësisë dhe të afërsisë që bashkojnë popujt tanë dhe mbështetjen e fortë të Italisë në rrugëtimin e integrimit evropian të Shqipërisë”.

Po ashtu, Presidenti Gjerman, Frank-Ëalter Steinmeier thekson në mesazhin e tij se: “Të jeni i sigurt se, Gjermania do të vazhdojë të jetë e angazhuar si vend mik dhe partner në krah të Shqipërisë, në rrugën e saj të Bashkimit Evropian”.

Ndërsa, Presidenti i Greqisë, Prokopios V. Pavlopoulos, shpreh ndër të tjera në mesazhin e tij të urimit, mbështetjen afatgjatë të Greqisë për rrugën evropiane të Shqipërisë dhe në mënyrë të veçantë shpreh: “vendosmërinë dhe gatishmërinë për t’i promovuar më tej marrëdhëniet tona dypalëshe në dobi të dy popujve tanë dhe të të gjithë rajonit”.

Një mesazh urimi vjen dhe nga Presidenti i Kinës, Xi Jinping, i cili ndër të tjera shkruan se: “Unë i kushtoj rëndësi të madhe zhvillimit të marrëdhënieve kinezo-shqiptare dhe dëshiroj të bëj përpjekje bashkë me Ju për nxitjen e zhvillimit të vazhdueshëm dhe të shëndetshëm të marrëdhënieve miqësore midis Kinës dhe Shqipërisë, që t’u sjellim më shumë të mirën dy vendeve dhe dy popujve tanë”.

Presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitarovi?, thekson ndër të tjera në mesazhin e saj se: “Republika e Kroacisë si mike dhe aleate e juaja, mbështet fuqishëm të ardhmen e Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe është e gatshme për të vijuar të japë ndihmë dhe transferojë njohuri dhe eksperiencë nga proceset e saj të integrimit evropian”, shkruan syri.net.

Mesazhe urimi Presidenti Meta ka marrë edhe nga Perandori i Japonisë Akihito, Mbretëresha e Britanisë së Madhe, Elizabeth II, Mbreti i Suedisë Carl XVI Gustaf R, Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, Presidentja e Konfederatës Zvicerane, Doris Leuthard, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vu?i?, Presidenti i Indisë, Ram Nath Kovind, Presidenti i Kazakistanit, Nursultan Nazarbayev, Presidenti i Uzbekistanit, Shavkat Mirziyoyev, e shumë homologë e personalitete të tjera evropiane e botërore.

Mesazhe të shumta vijojnë të mbërrijnë në këtë përvjetor të shënuar të Ditës së Pavarësisë dhe të Flamurit Kombëtar./syri.net

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme