Letra nga burgu, kërcënohet me jetë deputeti demokrat

21:14 | 21 Nëntor 2018
Trina Galanxhi

Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji është kërcënuar me jetë. Sipas “Syri.net”, Salianji ka marrë një letër nga burgu i Fushë Krujës, ku paralajmërohet se do “ta vrasin me snajper”.

Letra i është dërguar Salianjit tre jave më parë, dhe paralajmërohet se është vënë në shënjestër të një atentati.

Zarfi me letrën ku jepen detaje nga atentati i supozuar, ka mbërritur në adresën e deputetit demokrat në datën 31 tetor 2018, në selinë e PD.

I burgosuri që e ka paralajmëruar deputetin quhet, Agim, i dënuar me 24 vite burg për vrasje. Në letrën e tij ai shkruan se deputeti demokrat do vritet me snajper nga një ish-punonjës policie, i quajtur Dorian Duli, 38-vjeç, me origjinë nga Parruca e Shkodrës, i cili ka qenë i dënuar, por është liruar nga qelia në 2 janar të vitit 2016.

Reagimi

Pas publikimit të letrës ku kërcënohej me jetë nga burgu, ka ardhur dhe një reagim nga deputeti i PD, Ervin Salianji.

Salianji thotë se rasti po ndiqet nga institucionet dhe se i kishte parashikuar që mund të ndodhnin gjëra të tilla por se do vazhdojë denoncimet.

“Ju keni marrë sot info për këtë çështje por unë kam kohë që kam dijeni dhe nuk e kam gjykuar si çështje publike. Madje bërja publike i jep pike pikërisht këtyre formave të intimidimit apo intrigës që të ushtrohet presion nëpërmjet përdorimit të delikuenteve.

Në dijeninë time rasti po ndiqet nga institucionet.

Personalisht të gjitha këto i kam parashikuar dhe nuk më bëjnë përshtypje, çfarëdo qoftë sajesë e qeverisë apo përpjekje delikuentësh. Nuk më bën asnjë përshtypje dhe siç mund ta keni ndjekur kam vazhduar denoncimet e krimit edhe në majat më të larta të pushtetit”, tha deputeti i PD.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme