Miqësia virtuale në rrjetet sociale në internet mes një emigranti shqiptar në Greqi dhe një gruaje të martuar në një qytet bregdetar në Shqipëri është pasuar me një histori gjobëvënieje dhe një dënim me burg për të parin.
“Kthesa” e fortë ka ndodhur kur gruaja, nënë e dy fëmijëve, ka kërkuar të ndërprisnin komunikimin. Ngjarja ka ndodhur në muajt qershor-korrik 2016 kur emigranti Alfred Sahitaj ka hapur një adresë denigruese me emrin e saj në “Facebook”, ku ka publikuar foto intime dhe ka kërcënuar se do t’ua dërgonte miqve të saj.
Gjatë vazhdës së kërcënimeve, ku i ka kërkuar edhe marrëdhënie seksuale, Sahitaj i ka marrë asaj dhe një shumë prej 300 eurosh. Kallëzimi i të dëmtuarës e çoi emigrantin 27- vjeçar si të pandehur në Gjykatën për Krimet e Rënda. Ai u deklarua i fajshëm për akuzën e “shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë” dhe u dënua me 2 vjet burg. Vendimi u kundërshtua në Apel, ku pak ditë më parë një Kolegj Penal, i kryesuar nga gjyqtari Gurali Brahimllari, la në fuqi fajësinë, por vendosi për të një masë dënimi më të butë, 1 vit e 8 muaj burg.
HISTORIA
Referuar vendimit të fajë- sisë për Sahitajn, një kopje e të cilit zotërohet nga “Panorama”, rreth muajve qershor – korrik të vitit 2016, kallëzuesja E. ka hapur një adresë në rrjetin social “Instagram”, me emrin e saj. Ndër të tjera ajo ka marrë ftesë për ta pranuar si shok edhe nga i pandehuri Alfred Sahitaj, i cili kishte adresën “fredos kuks…”. Kallëzuesja e ka pranuar ftesën dhe mes tyre ka pasur komunikime. Në ditët e fundit të muajit korrik, rezulton se kallëzuesja ka dashur të ndërpresë kontaktet me të pandehurin, sepse jo vetëm është ndierë e bezdisur nga thirrjet e herëpashershme të tij, por edhe sepse nuk i ka pëlqyer më tej biseda me të. I pandehuri Alfred ka insistuar në vazhdimin e lidhjes elektronike e vijimin e bisedave me të, por kallëzuesja e ka bllokuar komunikimin.
PROFILI “E… KURVA” NE FACEBOOK
Në këtë kohë, në ditët e fundit të korrikut 2016, i pandehuri Alfred, duke përfituar nga marrëdhënia e krijuar me kallëzuesen, ka arritur të hapë një faqe në “Facebook”, në emër të saj, madje me shprehje ofenduese, duke e emërtuar faqen “E… Kurva”, në të cilën ka publikuar foto intime të kallëzueses. Pasi është njohur me këtë fakt, rezulton se kallëzuesja ka rihyrë në kontakte me të pandehurin, duke kërkuar prej tij që të fshijë fotot e të mbyllë adresën e hapur prej tij, por përgjigjja e të pandehurit ka qenë mohuese, madje e ka kërcënuar se fotot e saj do t’i shpërndante tek adresat e të gjithë miqve të saj.
GJOBA 300 EURO
Insistimit të kallëzueses për të mos i hapur probleme edhe për faktin se është e martuar e më fëmijë, i pandehuri Alfred i është përgjigjur me kërkesën e dërgimit të një shume parash në euro, në këmbim të fshirjes së fotove. Pas debatesh mes tyre, rezulton se kallëzuesja, me qëllimin që t’i japë fund kësaj situate, provohet se ka pranuar kërcënimin e të pandehurit Alfred dhe dërguar në adresën e dhënë prej tij, në Greqi, nëpërmjet një agjencie transferimi parash, shumën prej 300 eurosh, duke paguar edhe komisionin prej 22 eurosh. Këtë vlerë i pandehuriAlfred pohon se e ka tërhequr. I pandehuri, me qëllimin e përfitimit pasuror, ka insistuar në vijimin e lidhjes mes tyre, madje edhe i ka kërkuar kryerjen e marrëdhënieve seksuale. Kundërshtimit të kallëzueses, i pandehuri i është përgjigjur duke e kërcënuar përsëri me publikim të fotove në adresën e mëparshme të hapur prej tij.
MESAZHET NE FACEBOOK
Kjo situatë ka sjellë revoltimin e kallëzueses, e cila jo vetëm që ka refuzuar vijimin e kontaktit, por i ka bërë të qartë që nuk do ta paguante më tej. Në një nga SMS-të që ajo ka shkëmbyer në “Messenger”, të rrjetit “Facebook” me të pandehurin, i ka thënë ndër të tjera: “ore ça ke me mua …më lër rehat në shtëpinë time, pse më bje më qaf, të dhash lekët e mbyllëm atë muhabet, ça do tani s’e kuptoj, u betove për vëllanë… po të them mos e zgjat më këtë muhabet do më detyrosh t’u them burrit dhe vëllezërve, më bëri presion do t’u them…”, ndërsa i pandehuriAlfred Sahitaj i përgjigjet: “ouuuu, ok thuj pra ta shohim kush jam un e kush je ti. Klm”. Pas këtij momenti, e dëmtuara ka njoftuar bashkëshortin për ngjarjen dhe ka bërë kallëzim në Polici. /panorama/
Haradinaj mban sot konferencë për media
Horoskopi, zbuloni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj
Sot mbahet Samiti i Ballkanit Perëndimor kundër diskriminimi...
Parashikimi i motit për sot
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...